Nga Refxhei Tola / Sot është dita botërore kundër dhunës ndaj gruas, dhe si një femër e re dua të jap një mesazh për çdo mike timen dhe për çdo femër që do ta lexojë. Jetojmë në kohë krizash të forta morale. Të jesh femër nuk është aspak e lehtë, përkundrazi është një luftë e vazhdueshme me veten, shoqërinë, moralin, mentalitetin dhe sistemin. Sfidat e femrës shqiptare ndoshta nuk janë shumë ndryshe me ato të shoqërive lindore. Praktikisht çdo vendimi i takon një kosto shumë e lartë, dhe çdo kosto paguhet veçse me jetë, me kohë dhe energji të jashtëzakonshme.
Është e çuditshme të shohësh sesi e gjithë lufta e një femre i përket dëshirës së saj për liri, në një kohë dhe moment kur vazhdimisht një femër ka tendencën të krijojë varësi me çdo gjë pas të cilës dashurohet, qoftë kjo karriera e saj, ambicia apo një mashkull.
Dhuna ndaj gruas ka qenë për shumë kohë një fenomen i pranuar në heshtje në shoqërinë shqiptare, një fenomen që konsiderohej si një proces të cilin cdo femër duhet të përjetonte me durim. Kjo zgjati për shumë kohë, deri sa disa vajza dhe gra të guximshme vendosën të ngrihen kundër dhunuesve të tyre. Si cdo kauzë, edhe kjo u përdor. U përdor për vjedhje fondesh, për integrimin e disa figurave publike që skanë lënë asnjë gjurmë në shoqëri, gjithësesi kjo ska pikë rëndësie sot.
Unë mendoj se problemi më i madh i çështjes së femrës sot në shoqërinë tonë është lufta e gabuar që “feminizmi” ka ngritur. Mendoj se kjo luftë është orientuar qëllimisht gabim. Shumë femra mendojnë sot se lufta e tyre është me meshkujt. Dhe unë mendoj se kjo është e padrejtë. Ne nuk jemi në një luftë me meshkujt, madje nuk jemi fare në garë me ta. Vetë qenia jonë qëndron shumë më lart, nuk kemi pse kërkojmë të jemi të barabartë.
Unë mendoj se lufta jonë i takon sistemit. Atij sistemi që ka vendosur disa parime morale që nuk janë aspak të vërteta. I takon atij sistemi, që e trajton femrën si një objekt seksual kur shkon në një intervistë punë. I takon atij sistemi që e konsideron femrën të paaftë për të udhëhequr një shoqëri, dhe po! I takon atij sistemi që e përdor femrën për të mbushur numrin e caktuar në sallën e parlamentit ose të këshillit bashkiak pa kurrëfarë të drejte për të ngritur zërin e për të thënë jo. Lufta e femrave i takon sistemit që e bleu dhe e shiti femrën shumë lirë në emër të ambicies për karrierë.
Megjithatë… të jesh femër mbetet në çdo sekondë, padiskutim, e mrekullueshme. Sot dua tu them të gjitha vajzave dhe grave, të gjitha femrave; mos lejoni kurrsesi të ndiheni të parespektuara, mos lejoni asnjë raport të konsumojë anët tuaja njerëzore. Mësoni të largoheni. Mësoni të thoni jo, dhe mbi të gjitha mësoni të përballeni me jetën me dinjitet. Mësoni të falni dashuri pa egoizëm, dhe kuptojeni se të qenurit e brishtë është privilegj dhe jo dobësi!