Eltoni është një polic në mision për të ndihmuar në asgjësimin e industrisë masive të marijuanës në Shqipëri. Dhe ai i është përshtatur detyrës, me nje hanxhar në dorë dhe kokën e rruar. Në një mëngjes gushti, ky komandant rajonal anti-droge udhëheq një karvan të vogël forcash policore nga qyteti i Krujës, drejt një rajoni më pak të populluar dhe me shumë male përreth.
Jemi vetëm disa minuta larg qytetit, duke ecur përgjatë një rruge dredha-dredha me dy korsi, kur na shfaqet shenja e parë e marijuanës, me një gjethe kanabisi të pikturuar me bojë mbi një gur. “Adoleshentët, ata e pinë shumë”- thotë Eltoni, që për arsye sigurie kërkoi të mos e thotë mbiemrin.
Ai çlodhet për një moment, dhe fillon të më tregojë për një mik që pinte drogë në shkollën e mesme, dhe që më vonë filloi të konsumonte heroinë. Ai u bë tërësisht i ndërvarur nga droga, dhe një ditë vdiq nga një mbidozë. “Është diçka shumë e dhimbshme për mua, sepse ishte një djalë vërtetë i mirë”.
Eltoni, një baba në dyzetat e tij të hershme, e beson teorinë e portës – sipas së cilës marijuana i shtyn njerëzit të përdorin dhe të abuzojnë me droga edhe më të rrezikshme. Ai thotë se gjurmimi i kanabisit në burim, aty ku kultivohet, do ta bëjë në fund të fundit më të sigurt Shqipërinë.
Ky vend prej 2.8 milionë banorësh, ka një oreks relativisht të vogël për marijuanën dhe drogërat e tjera, në krahasim me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian – bllokun e kombeve, ku ky vend është kandidat për t’u anëtarësuar. Vetëm 1 në 10 të rritur, pretendon se e ka provuar marijuanën të paktën një herë në jetën e tij, rreth një e katërta e normës në të gjithë BE-në.
Por Shqipëria është furnizuesja më e madhe e Evropës me marijuanën ilegale, shumica e të cilës kultivohen nëpër ambiente të hapura, sipas Europolit. Një operacion masiv i policisë në vitin 2014, i dha fund atë që njihej si kryeqyteti i drogës në Evropë, fshati Lazarat, ku për vite të tëra banorët kultivuan marijuanën ilegalisht, dhe në një shkallë industriale.
Pas operacionit në Lazarat, dhe veprimeve të tjera policore që synonin zonat kryesore të kultivimit në të gjithë vendin, qeveria shqiptare shpalli se kishte shkatërruar 99 përqind të bimëve të kanabisit. Por ky sukses nuk zgjati shumë. Marijuana në Shqipëri, është një biznes i madh, dhe ka një vlerë vjetore që vlerësohet në miliarda dollarë.
Kultivimi u rikthye masivisht, veçanërisht në vitet 2016- 2017, gjithnjë e më shumë i shtrirë në skuta më të vogla brenda këtij vendi kryesisht rural dhe malor, banorët e të cilit janë ndër më të varfrit në Evropë. Qeveria e Kryeministrit Edi Rama, e vetëdijshme se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është në proces, ka reaguar duke dyfishuar përpjekjet për çrrënjosjen e këtij fenomeni. Zyrtarë të policisë si Eltoni dhe ekipi i tij prej një duzine oficerësh, përfaqësojnë pararojën, duke u përpjekur të eliminojnë kanabisin para se ai të mund të qarkullojë në kanalet e mëdha të trafikut. Vetëm në vitin 2016, policia shqiptare njoftoi se kishte shkatërruar 2.4 milionë bimë marijuanë. Megjithatë, sasi të tjera të mëdha vazhduan të trafikoheshin dhe dërgoheshin në Evropën Perëndimore, siç dëshmohet nga konfiskimet e rregullta nga policia shqiptare dhe ajo italiane, disa dërgesa madje në disa ton.
Pas rreth 10 minutave udhëtim me makinë, Eltoni tërhiqet në anën e rrugës së bashku me pjesën tjetër të policëve. Oficerët mblidhen, shumica e tyre kanë me vete nga një hanxhar në dorë, ca të tjerë të armatosur me automatikë Kallashnikov. Ata derdhen mbi një fushë të vogël brenda një zabeli të dendur me pemë.
Shkoj pas Eltonit, dhe ndjekim shtegun që mezi duket për disa minuta, para se të mbërrijmë në një gardh teli të improvizuar. Një oficer përdor pincat për të çarë rrugën, duke ekspozuar një kopsht të rregullt me bimë marijuanë, vetëm pak hapa larg rrugës kryesore, por e fshehur nga një pemë e dendur me degë dhe shkurre.
Ekipi i Eltonit, kryesisht meshkujt të moshës mesatare, fillojnë shpejt nga puna. Ata marrin disa copa të prera për t’i dërguar në laborator – për të konfirmuar qartazi, se këto bimë janë marijuanë. Pastaj ato i presin dhe i grumbullojnë . Eltoni hap një shishe me benzinë, dhe ndez një nga togjet. Flakët gllabërojnë shpejt bimët e kanabisit, të cilat ishin gati për korrje. Tymi që e shoqëron djegien ka aromën e pagabueshme të marijuanës.
Operacione si ky ndodhin në të gjithë Shqipërinë gjatë sezonit të kultivimit të kanabisit, nga marsi deri në tetor. Shumë prej bimëve narkotike kultivohen në toka shtetërore, tejet të vështira për t’u gjetur, shpesh lart nëpër male. Ndonjëherë, policia shqiptare ndihmohet nga ajo italiane, e cila është në gjendje të identifikojë parcelat e vogla të marijuanës, përmes mbikëqyrjes ajrore dhe analizave të veçanta të fotografive të marra.
Por ndihma e vetme që merr Eltoni është nga një vëzhgues, i pozicionuar në një kodër aty pranë dhe i pajisur me një palë dylbi. Zakonisht kultivuesit janë larguar me kohë, pasi ka mbërritur policia. Eltoni thotë se në rast pa një njeri që ecte në mes të pyllit me dy çanta të mëdha me bukë. Ai dyshonte se qe një kultivues droge, dhe që me siguri do t’ia çonte ato bukë ndonjë bashkëpunëtori.
Por Eltoni s’kishte prova, ndaj dhe nuk kishte arsye që ta arrestonte. Në vend të kësaj, ata ia morën bukët, pjesërisht për shkak se kishin për të bërë një rrugë të gjatë tek automjetet e tyre. Unë qesha, paksa me nervozizëm, sa prej aktit qesharak të policëve, por edhe disi i trazuar nga kjo histori.
“Po, bëmë diçka të gabuar, por ne atje ishim duke vdekur urie!”- thotë Eltoni, duke shpjeguar se oficerët kishin ecur mbi 5 orë në këmbë dhe kishin mbaruar ushqimet e tyre.
“I kujt ishte faji për këtë?”- e pyes.
“I fermerit!”- më përgjigjet.
Një thirrje nga radioja e dorës së Eltonit e ndërpret bisedën tonë. Oficeri që shërben si një vëzhgues, raporton se ka gjetur një tjetër parcelë të dyshuar me kanabis. Nisemi sërish drejt shtegut që tashmë ngushtohet në një korsi të vetme, dhe vetëm metra larg zbret në një luginë më poshtë.
Por këto operacione, nuk kënaqin gjithkënd në Shqipëri. Deputetët e opozitës, e akuzojnë rregullisht policinë për përfshirje të drejtpërdrejtë me prodhuesit dhe trafikantët e drogës, me ndihmën edhe të qeverisë. Sulmet përfshijnë edhe arkitektin e fushatës shqiptare kundër marijuanës, Saimir Tahirin, për të cilin prokurorët dyshojnë se është i përfshirë në një rrjet trafiku droge me të afërmit e tij.
Tahiri, ministri i Brendshëm nga shtatori 2013 deri në marsin e vitit 2017, i mohon akuzat. Eltoni thotë se nuk i kushton shumë vëmendje polemikave rreth operacioneve anti-drogë. “Unë nuk i lexoj gazetat”- thotë ai. “Unë flas me punën time. Pres çdo ditë bimët narkotike, çdo ditë. Dhe deri tani kam asgjësuar miliona euro drogë!”.
Ne ndalemi pranë një grupi shtëpish, kalojmë nëpër një fushë dhe futemi në pyll. Brenda disa minutash, ndeshim një tjetër parcelë me rreth 100 bimë kanabis. Ndërsa oficerët i presin dhe i vënë zjarrin, Eltoni fokusohet tek një shenjë:një rrugicë që të çon disa qindra metra larg nga parcela e drogës.
https://www.facebook.com/pritheworld/videos/10155305985209888/
Ai e ndjek rrugicën që na çon në një barakë me dy dhoma, e cila duket e braktisur. Por ngjitur me të është një shtëpi e mirëmbajtur, ku jeton një familje. Më thuhet të pres jashtë, ndërsa Eltoni dhe kolegu shkojnë brenda për të pyetur banorët. Pak minuta më vonë, Eltoni del dhe ne kthehemi tek makinat. Ai duket i shqetësuar, fytyra e tij është përflakur. Familja mohoi të kishte dijeni për drogën.
“A mendoni se unë i besoj ata?” – pyet ai me sarkazëm. Pastaj flet në gjuhën shqipe, dhe sugjeron se do ta kryente hetimin në një mënyrë më agresive, po të mos kishte me vete një gazetar. Eltoni nuk e sheh atë që bën në terren si një lloj mase parandaluese. Fermerët e kanabisit, thotë ai, janë njerëz të varfër që e dinë shumë mirë se mund të shkojnë në burg.
Por ai thotë se ndjekja e tyre, mund të çojë në fund tek trafikantët e mëdhenj. “Ajo që ne po bëjmë sot, është vetëm një pjesë e punës sonë. Pjesa tjetër është hetimi penal. Ne jemi duke kërkuar peshkun e madh”- thotë ai.
Eltoni dhe oficerët e tij, kontrollojnë një parcelë tjetër të dyshuar për kultivim droge, para se ta quajnë të mbyllur ditën e tyre të punës. Ata e shohin nga larg të fshehur nën një mal, por që është shumë e vështirë për t’u arritur. Atë do ta kontrollojnë një ditë tjetër. Brenda në makinën e Eltonit, është qetë. Ai dhe dy oficerë të tjerë të ulur në shpinë, janë të lodhur dhe të mbytur në djersë.
Por, ndërsa kalojmë tek një fshat i vogël i quajtur Noja, djemtë e rinj që ishin ulur jashtë një kafeneje fillojnë të lehin si qen ndaj karvanit të policisë. Eltoni frenon me shpejtësi, del nga makina së bashku me oficerët e tjerë. Ka shumë britma. Eltoni kërcënon t’i çojë të rinjtë në stacionin e policisë. “Ne jemi thjesht fshatarë!”- thotë një djalë.
Një tjetër thotë se policia i ka shkatërruar ata me bastisjet e tyre. Policëve u thuhet të shkojnë në Tepelenë, një qytet disa orë në jug të vendit, ku qeveria akuzohet se mbron kultivuesit e marijuanës. U duk sikur do të shpërthente një luftë, kur një i moshuar ndërhyn dhe i qetëson të gjithë, ndërsa edhe oficerët rikthehen në makinat e tyre.
Ndërsa Eltoni hyn në makinë, unë pres që ai të thotë diçka për atë që ndodhi. Ai është i heshtur por duket i qetë. Në fund nuk m’u durua, dhe e pyes rreth përplasjes me të rinjtë. “Njerëzit janë të pakënaqur kur vijmë këtu, dhe ata reagojnë në mënyra të ndryshme”- përgjigjet ai. Eltoni pastaj imiton hungërimat që bënë djemtë e rinj dhe qeshi.
“Pse vendosët të ndalonit?”- e pyes. Eltoni më shpjegon se ai dëshironte të gjente atë që e kishte organizuar atë gjest në mesin e atyre të rinjve. Me pak fjalë, ai e bëri një shfaqje force. Rikthehem në fshatin Noja dy ditë më vonë, pa policinë, duke shpresuar të flas me djemtë që ishin atje. Ulem në të njëjtën kafene ku ulen ata përditë, dhe filloj të pyes përreth.
Me cilindo që komunikoj, pretendon se nuk ka asnjë dijeni për incidentin, diçka që duket e vështirë për t’u besuar, duke pasur parasysh madhësinë e vogël të fshatit. Më shumë gjasa, përplasja i ka lënë banorët të frikësuar, dhe Eltoni nuk është më pranë zbulimit të “peshkut të tij të madh”.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce