Mijëra studentë u janë drejtuar sot auditorëve me nisjen e vitit të ri akademik.
Kryeministri Rama ka zgjedhur që t’u urojë studentëve një vit të mbarë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se do tëketë një transformim rrënjësor të universiteteve, ndërsa shtoi se shpronësimet për këtë zonë janë të domosdoshme dhe se duhet të bëhen një orë e më parë:
“Zgjodhëm ta uronim fillimin e vitit të ri akademik, në këtë universitet pasi dëshirojmë që këtu të vazhdojmë t’i hapim rrugë një procesi transformimi rrënjësor. Bashkë me disa pedagogë vizituam kantierin e universitetit. Bindja ime është që modeli do të jetë një oaz i mrekullueshëm ku natyra dhe e gjithë infrastruktura të jetë në harmoni të plotë. Nuk do të ketë asnjë aktivitet nëse nuk është në harmoni me ato të studentëve.”
Gjithashtu, kreu i Qeverisë tha se Universiteti Bujqësor i ka të gjitha mundësitë të bëhet një bazë prodhuese dhe patjetër i ka të gjitha potencialet që të bëhet konsulenti më i rëndësishëm strategjik i Qeverisë, i cili në mbështetje me Ministrinë e Bujqësisë do të sjellë më shumë të ardhura:
“Do ta transformojmë këtë territor në një model jo vetëm për universitetet në vendin tonë, por edhe në rajon. Mjafton që secili prej nesh të bëjë detyrën e vet. Është dita sot për të mos i bërë të ndjehen keq të tjerët, prandaj përfitoj nga rasti që të uroj çdo të mirë dhe sukses pedagogëve dhe studentëve në çdo universitet. Nëse do të investohemi më shumë për të ditur më shumë, patjetër që do bëjmë shumë më tepër dhe do kemi shumë më tepër. Marrëdhënia më e afërt me universitetin do të na sjellë edhe më shumë të ardhura në tërësi, për fshatin dhe për ju.”