Kryeministri Edi Rama ka sjellë në vëmendje një histori të shumë viteve më parë. Teksa ishte i ftuar në emisionin “Studio e Hapur”, Rama kujtoi momentin kur e kishte gjetur të birin Gregorin poshtë tavolinës të tmerruar. Kjo, sipas kryeministrit, ndodhi pas akuzave që Berisha i kishte bërë publikisht, se Rama nuk kishte pranuar atësinë e Gregorit, por e kishte konsideruar fëmijë të babait të tij, Kristaqit.
“Ne do ta luftojmë krimin dhe drogën, me gjithë shqetësimet që iu shkaktohen familjarëve tanë dhe shqiptarëve të ndershëm me këto maskarada”, tha Rama.
Vasili: Kur thoni familjarët çfarë keni parasysh?
Rama: Kam parasysh djalin tim, që ishte fëmijë kur për herë të parë dola në fushatë elektorale dhe tha ky (Berisha në ekran) që është bërë dixhital sot, mori mikrofonin dhe tha: ‘E dini kë keni kandidat për kryetar bashkie? Atë që ka akuzuar gruan se e ka djalin me babanë e vet. Jam unë që e kam parë djalin tim të tmerruar, që nuk dilte nga poshtë krevatit i tmerruar. E kam parë gjithë familjen time të tmerruar. Dhe janë historira që më kanë ndjekur gjithë jetën. Drogë, drogë, overdozë, overdozë, drogaxhi, hajdut, kriminel, pastron paratë, pederast. Ca janë këto? Janë të gjitha mbi lëkurën time. Prandaj rri në këtë punë dhe do t’i shkoj deri në fund kësaj pune, sepse unë e dua Shqipërinë. Unë nuk i ndahem këtyre deri sa njerëzit të më besojnë”, tha Rama mbrëmë, gati i përlotur.
Por, kjo është një histori që ka bërë bujë plot 12 vite më parë, por në atë kohë Rama akuzonte tjetër person si përgjegjës të kësaj akuze. I ftuar në emisionin “Opinion” në 2006-ën, Rama u përplas me gazetarin dhe botuesin e gazetës “Tema”, Mero Baze.
Rama i tha Fevziut se po ta dinte që ishte i ftuar dhe Mero Baze, nuk do të kishte shkuar, se për shkak të këtij njeriu e kishte gjetur djalin e tij nëntëvjeçar duke qarë poshtë tryezës.
Sipas tij, kjo kishte ndodhur pasi Gregori kishte lexuar në gazetën e Bazes se i ati në gjyqin e divorcit me nënën, Matildën, i kishte thënë gjykatës se nuk e njihte atësinë e djalit dhe se kjo e kishte atë me të vjehrrin, Kristaqin, pra vetë babanë e kryeministrit.
Mbrëmë Rama ia drejtoi gishtin si përgjegjës vetëm deputetit Berisha, ndërsa nuk e përmendi aspak Mero Bazen dhe median e tij. Kjo sepse tashmë Rama e ka në krah Bazen, prandaj akuzat e mbrëmshme zgjodhi t’ia faturojë vetëm Berishës, edhe pse në fakt ishte vetë Baze ai që siguroi dhe publikoi dokumentin e gjyqit, ku Rama mohonte djalin e tij Gregorin.
TIRANA TODAY