Mike Rann/Fitorja vendimtare e Emmanuel Macron – 65 përkundrejt 35 për qind – mbi Marine Le Pen ka qetësoi frikën e një krize të re në Eurozonë, dhe shtoi shpresat e centristëve dhe biznesit në Evropë, se vrulli i partive populiste është ndalur, të paktën tani për tani. Zëdhënësi i kancelares Merkel e përshkroi pa humbur kohë fitoren e Macron, si një “fitore për një Evropë të fortë e të bashkuar”.
Me fitoren që duket gati e sigurt të Theresa May në zgjedhjet parlamentare në Mbretërinë e Bashkuar në qershor, vëmendja së shpejti do të kthehet ndaj Gjermanisë – ku kristiandemokratët e Merkel-it do të përballen me një sfidë serioze nga socialdemokratët në fund të shtatorit – dhe në Itali ku lëvizja populiste “Pesë Yjet”, udhëheq aktualisht sondazhet përpara zgjedhjeve, që janë paralajmëruar të mbahen mes tetorit të këtij viti dhe shkurtit 2018.
Një nga vizitorët e parë të Macron-it në Pallatin Elize, pas paradës së tij inaugurimit në mesin e këtij muaji, ka të ngjarë të jetë ish-kryeministri italian Matteo Renzi. Takimi i profilit të lartë mes tyre, synon të krijojë imazhin e liderëve të rinj fitues dhe udhëheqësve dinamikë të moderuar në një Evrope të rinuar, në vend të asaj të copëtuar.
Ata do të jenë kritikë ndaj burokracisë së Brukselit dhe kufizimeve të BQE-së, por do të luftojnë si për reformimin e unionit, ashtu edhe për mbijetesën e tij. Duke i bërë jehonë Tony Blair dhe Justin Trudeau, këta dy të vetëquajtur “centristë radikale”, do të përpiqen të ndërtojnë një rrugë për t’u përballur me populistët në të majtë dhe të djathtën e tyre.
Kjo s’do të jetë e lehtë, dhe retorika e tyre duhet të përputhet me politika të afta për të prodhuar rezultate konkrete, veçanërisht për ekonomitë e lodhura të dy vendeve. Për herë të parë në Francë asnjë nga partitë e mëdha, republikanët apo socialistët, nuk fituan vota të mjaftueshme për të vijuar garën në raundin e dytë, kaq e madhe është pakënaqësia me parinë politike.
Ndërkohë në Itali, Renzi sapo është rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike, partia e qendrës së majtë që është grupimi dominues në qeverinë italiane. Ai dha dorëheqjen si kryeministër dhjetorin e kaluar pas humbjes së referendumit mbi reformën kushtetuese.
Asokohe, ai u zotua të lërë përgjithmonë politikën, ndërsa në shkurt të këtij viti dha dorëheqjen si sekretar i partisë, por menjëherë pas kësaj njoftoi se do të kërkojë rizgjedhjen, dhe në këtë mandat të ri do të jetë i suksesshëm, rikthehet të jetë sërish një kandidat për kryeministër.
Pra, çfarë ka të ngjarë të ndodhë gjatë muajve të ardhshëm?
Vitin e kaluar, politika italiane u dominua nga fushata e referendumit. Që atëherë rikthimi i Renzi-t e ka konsumuar PD dhe komentatorët e mediave. Së shpejti, do të zërë vend fushata zgjedhore duke rreshtuar edhe njëherë reformat shumë të nevojshme që duhen ndërmarrë. Megjithatë, në të ardhmen e afërt, tema kryesore e përplasjeve mes palëve janë ndryshimet në ligjin kompleks elektoral të Italisë, që do të kërkojnë negociata të gjata dhe pa dyshim të hidhura me partitë e tjera.
Pak para garës për lidershipin e PD-së, në 26 prill, Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, apeloi ndaj Piero Grasso-s (Presidenti i Senatit) dhe Laura Boldrini-it (kryetare e Dhomës së Deputetëve) mbi nevojën e një ligji të ri zgjedhor, duke pasur parasysh çekuilibrin mes ligjit aktual që rregullon zgjedhjet në Dhomën e Deputetëve, dhe ligjit përkatës për Senatin.
Mattarella nuk pritet të çelë dritën jeshile për zgjedhjet, para se të zgjidhet kjo mungesë ekuilibri. Pavarësisht nga kjo, Renzi do të vazhdojë të kërkojë zhvillimin e zgjedhjeve të reja sa më herët që të jetë e mundur, që gjë do të kundërshtohet jo vetëm nga kreu i shtetit, por edhe nga shumë prej ish-ministrave në qeverinë që ai drejtonte më herët.
Kjo do ta dobësonte dhe destabilizonte qeverinë aktuale të udhëhequr nga mentori i tij Paolo Gentiloni. Gentiloni do të mbetet kryetar i qeverisë deri në zgjedhje, ndërsa Renzi do të vijojë turin e tij në mbarë vendin si kryetar partie. Italia e Jugut, do të vihet në qendër të fushatës dhe politikës, duke pasur parasysh se pikërisht atje Pesë Yjet janë duke gëzuar një mbështetje prej 40 për qind.
Ndërkombëtarisht, do të ketë komplikacione për qeverinë, meqë Renzi është i prirur të rifitojë një profil të lartë si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në politikën e brendshme. Megjithatë, ai dhe Gentiloni, ka të ngjarë të koordinojnë qëndrimet e tyre mbi politikën e jashtme, përveç deklaratave rreth BE-së, ku Renzi do të marrë një qasje më të ashpër dhe më kritike.
Brenda vendit çdo krizë, si p.sh kriza financiare me të cilën përballet AlItalia, do të përdoret nga Renzi për të nxitur afrimin e datës së zgjedhjeve. Për të konkurruar me lëvizjen Pesë Yjet, Renzi do të sulmojë kohë pas kohe qeverinë që drejton partia e tij, për t’u distancuar nga vendimet e papëlqyeshme dhe nga partnerët e koalicionit, duke përfshirë të majtët që kohët e fundit e lanë PD-në të ballafaqohet me perspektivën e rikthimit të Renzi-t.
Duke vepruar kështu, ai do të duhet të kryejë edhe një akt të vështirë balancues; duke vepruar një ditë si lideri populist i opozitës, dhe ditën tjetër si kryeministri i ardhshëm. Për shembull, ai ka të ngjarë të kundërshtojë qeverinë me propozime alternative mbi politikën fiskale, dhe për çështje të tjera ekonomike. Në këtë mënyrë, njerëz brenda PD-së thonë se ai shpreson të shkaktojë një çarje në grupin parlamentar, por në fakt do të donte që kjo të shkaktohej nga grupimet e tjera politike.
Ironikisht, “Forza Italia” e Silvio Berlusconit, tashmë 80 vjeç dhe disi i mënjanuar nga jeta politike për shkak të problemeve serioze shëndetësore dhe me gjykatat, mund të jetë duke u përgatitur për t’u rikthyer. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, njoftoi javën e kaluar se do të shqyrtojë çështjen e Berluskonit.
Një vendim pritet gjatë verës, dhe një verdikt pozitiv do t’i mundësonte Berlusconi-t të kërkojë rizgjedhjen në poste publike, dhe kjo mund të përshpejtojë mbështetjen e qendrës së djathtë për zgjedhje të parakohshme në tetor të këtij viti. Megjithatë, kjo mbështetje varet edhe nga një marrëveshje ndërmjet Berluskoni dhe Lidhjes së Veriut, mbi atë se kush do të udhëheqë partitë e qendrës së djathtë opozitare në zgjedhje.
Lëvizja “Pesë Yjet” ka të ngjarë të fitojë zgjedhjet, por jo qeverinë
Pavarësisht rikthimit të Renzi-t, lëvizja “Pesë Yjet” mbetet favorite për të dalë e para në zgjedhjet kombëtare. Vera po vjen, dhe në Itali kjo do të thotë se emigracioni ilegal do të bëhet sërish një çështje kyçe: 181.000 emigrantë mbërritën në Itali në vitin 2016, dhe më shumë priten këtë vit. Carmelo Zuccaro, një gjykatës në Catania, ka bërë disa deklarata, të cilat kanë gjasa të ndezin debatin.
Sipas tij, ekzistojnë prova të kontakteve të drejtpërdrejta midis kontrabandistëve të afrikanëve dhe trafikantëve të drogës, me disa organizata jo qeveritare që patrullojnë Mesdheun.
Ai beson se këtë vit më shumë se 250.000 emigrantë do të zbarkojnë në Itali nëpërmjet Mesdheut. Ndërkohë që pretendimet e tij, tashmë shumë të diskutueshme, do të shqyrtohen më tej gjatë muajve të ardhshëm, ato kanë gjeneruar një debat të nxehtë mes politikanëve italianë, me polemikat që më shumë mundësi do të favorizojnë lëvizjen populiste “Pesë Yjet” dhe Lidhjen e Veriut të linjës së ashpër.
Megjithatë, shumica e ekspertëve, nuk parashikojnë që një qeveri e lëvizjes së Beppe Grillo-s të bëjë betimin pas zgjedhjeve të ardhshme, edhe nëse partia fiton më shumë vota se PD.
Shumica e analistëve parashikon një tjetër qeveri të “koalicionit të madh”. Nëse zgjedhjet janë afër, “Forza Italia” mund të jetë pjesë e konfigurimit të ri, çka do të thotë që Silvio Berlusconi mund të luajë një rol të rëndësishëm në formimin e qeverisë së ardhshme, edhe pse sondazhet e rendisin dobët partinë e tij.
Në rast se ndodh kjo, nuk është aspak e sigurt që dominimi i PD-së Matteo Renzi-t do ta çojë domosdoshmërish drejt mandatit të radhës si kryeministër. Ka edhe një mundësi, që në rastin e një rruge pa krye, mund të preferohet vazhdimi i konsensusit në stilin e Gentiloni-t.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce