“Të gjithë prokurorët do të kalojnë në skanerin e vettingut. Të gjithë. Edhe Prokurori i Përgjithshëm, edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese”. Keshtu shprehet Genoveva Ruiz Calavera, kryetarja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për vettingun e gjykatësve dhe të prokurorëve të Shqipërisë.
Sipas saj, “vettingu lidhet me të ardhmen e qënieve njerëzore dhe duam të jemi të sigurtë që gjithë puna që po bëjnë institucionet është shumë rigoroze, e ndershme dhe e ekuilibruar, – thotë për DW-në Genoveva Ruiz Calavera.
Genoveva Ruiz Calavera Europäische Kommission (European Commission)
DW: Znj. Ruiz-Calavera, si po ecën procesi i vettingut? Jeni e kënaqur me ritmet e tij?
Genoveva Ruiz Calavera: Procesi i vettingut, në përgjithësi, po shënon progres dhe është në drejtimin e duhur. Ai është shumë i rëndësishëm pasi është i lidhur me skanimin e të ardhmes së njerëzve dhe duhet kryer me shumë seriozitet dhe rigorozitet për të siguruar një ecuri sa më të mirë në procesin e hyrjes së Shqipërisë në BE. Institucionet e vettingut, të ngritura në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë duhet të marrin përgjegjësitë e tyre për të shënuar progres dhe vendosur atë fort në shinat e duhura, përpara vlerësimit të kontekstit të Shqipërisë, në dritën e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE. Jam shumë e kënaqur që operacionet e vettingut kanë filluar dhe që së bashku me progresin në pesë prioritetet kyҫe do të hapin derën për hapin tjetër që do të hedhë Shqipëria në procesin e integrimit europian. Nuk dëshiroj të them se kur kjo do të ndodhë: në pranverën apo verën e ardhshme pasi varet vërtet nga progresi në procesin e vettingut dhe 5 fushat prioritare. Por dëshiroj të them, që pres me padurim të shoh progres në kontekstin e vettingut, që ai të funksionojë mirë për të demonstruar se po kryhet, dhe po kryhet në standardet më të larta të mundshme.
DW: Sa kohë mund të marrë pak a shumë vettingu për të skanuar rreth 1000 gjyqtarë dhe prokurorë të Shqipërisë?
Genoveva Ruiz Calavera: Nuk dëshirojmë të vendosim afate artificiale, pasi procesi i vettingut i ngjan pak atij të anëtarësimit në BE: dëshirojmë cilësinë para shpejtësisë. Është një proces kaq i rëndësishëm saqë kërkon vërtet një vlerësim në thellësi të ҫdo gjyqtari dhe prokurori. Flasim për të ardhmen e qënieve njerëzore dhe duam të jemi të sigurtë që gjithë puna që po bëjnë institucionet e vettingut është shumë rigoroze, shumë e ndershme dhe e ekuilibruar. Koha sesa do të zgjasë varet nga rastet konkrete: mund të ketë raste të thjeshta, të ndërlikuara nga pikëpamja e aksesit në informacion, do të ketë dëgjesa pasi njerëzit kanë të drejtën të shprehen, do t‘ u jepet mundësia për të sjellë prova dhe dëshmi. Për ne nuk është e rëndësishme që procesi i vettingut të përfundojë që Shqipëria të kalojë në fazën tjetër në procesin e anëtarësimit në BE. Për ne është e rëndësishme që procesi i vettingut të kryhet si duhet. Pra, e rëndësishme është që nuk kemi nxitim për t’u siguruar që do të merret opinioni për hapjen e negociatave pasi e rëndësishme është të bëjmë gjënë e duhur. Kjo është garancia e një procesi të ndershëm, jam e bindur që shumë gjykatës dhe prokurorë do ta kalojnë vettingun pa vështirësi, nuk dua të stigmatizoj gjithë sistemin gjyqësor, ka profesionistë shumë të mirë. Por në të njëjtën kohë do të jemi të aftë të identifikojmë “mollët e kalbura të shportës”, ata që nuk do ta kalojnë testin e vettingut. Pra, do të hapet një hapësirë për gjykatës dhe prokurorë të rinj, që vijnë me qëndrime dhe pikpamjë të tjera për profesionalizmin, integritetin, pavarësinë dhe efikasitetin. Duam që sistemi gjyqësor të bëjë drejtësi në mënyrë të ndershme për të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe të jetë efikas.
DW: Rasti i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, që po hetohet si i dyshuar për korrupsion dhe lidhje me trafikantë të drogës, mund të jetë sipari i një drejtësie të tillë. A mund të ҫojë procesi hetimor në fjalë në një drejtësi, gjykim të ndershëm kur prokurorët e Tahirit nuk e kanë kaluar testin e vettingut?
Genoveva Ruiz Calavera: Të gjithë prokurorët do të kalojnë në skanerin e vettingut. Të gjithë. Edhe Prokurori i Përgjithshëm, edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ne shpresojmë fort që në fund të procesit do të jemi të aftë të identifikojmë gjykatësit dhe prokurorët e lidhur me krimin e organizuar. Procesi në vetvete është për t’i skanuar dhe nxjerrë ata nga sistemi i drejtësisë. Vettingu nuk i fut në burg, por pasoja e vettingut do të jetë që ndaj tyre të fillojnë hetime dhe ngrihen akuza. Roli im është që vettingu, skaneri të bëhet në mënyrë të ndershme dhe të pavarur nga ndërhyrjet politike.
DW: Çfarë hapësirash pritet të krijojë vettingu për politikanët dhe zyrtarët e lartë të administratës publike të përfolur në media apo debate publike me kundështarët politike për pasurim të paligjshëm, abuzim me postin, korrupsion, lidhje me krimin e organizuar?
Genoveva Ruiz Calavera: Kur të kemi një gjyqësor të ri, ku gjyqtarët do të të kenë standarde më të larta profesionale, pa marrëveshje të fshehta me krimin e organizuar apo ndikime nga politikanët atëhere ata do të jenë mjaft të lirë dhe të pavarur për të ndërmarrë hetime ndaj kësisoj politikanësh. Kjo është fryma e vettingut: të krijojë një hapësirë për një system gjyqësor profesional, të përgjegjshëm ndaj qytetarëve, të pavarur dhe efikas.
DW: Çfarë garancish ka që në fund të tunelit ka dritë? Dhe që ajo po afrohet?
Genoveva Ruiz Calavera: Nuk do të harxhonim kaq shumë fonde nga buxheti i BE, kaq shumë energji. dhe kaq shumë nga kredibiliteti ynë nëse nuk të mendonim që do arrinim atë që presim në fund të procesit: kushte më të mira për gjykatësit për të bërë punën e tyre në standardte të larta dhe sjellë, si pasojë më shumë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe sigurisht një drejtësi shumë më të ndershme se deri tani dhe zbatim rigoroz të ligjit.
DW: A prisni rezistencë ndaj një kthese të tillë historike në Shqipëri, së cilës, ju po thoni, do t’i hapë rrugën vettingu?
Genoveva Ruiz Calavera: Rezistencën e kemi hasur që në fillim të procesit. Kryetarja jonë e Delegacionit të BE-së në Tiranë, ka qënë subjekt fushatash denigruese, shpifjesh dhe sulmesh totalisht pa asnjë bazë. Jam realiste që vettingu do të prekë interesa financiare të individëve që janë pasuruar padrejtësisht dhe nuk do të jetë një proces i qetë. Pres lajme të rreme, gjysëm të vërteta, fushata shpifjesh, sulmesh denigrurese ndaj meje. Por jam e përgatitur t’i përballoj. Vettingu është një proces që duhet mbrojtur, ai nuk është një show. Duhen mbrojtur institucionet e vettingut që të bëjne punën e tyre Kam shumë besim se gjykatësit ndërkombëtarë që kemi janë të aftë të japin ndihmesën e tyre.Roli i tyre është të jenë vëzhgues të pavarur, ata por mund të japin këshilla shumë të mira sesi duhen bërë gjërat,nisur nga përvoja e pasur. Janë gjyqtarë të nivelit të lartë, shumë të përkushtuar ndaj Shqipërisë dhe besoj fort se janë krijuar kushtet për të bërë punën. Por nuk jam naïve për vështirësitë që do hasim për t’i shkuar deri në fund procesit. Por do të përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë që asistenca jonë në monitorimin e procesit të jetë në standartet më të larta të mundshme. Shqiptarët e meritojnë këtë process. Kjo që po bëjmë nuk është sepse e kërkojnë politikanët por sepse e duan qytetarët e Shqipërisë. Është një përgjegjësi dhe nder i madh që po bëj këtë punë. Dua të falenderoj shqiptarët për kurajon që flasin hapur dhe kërkojnë ndryshimn. Kjo është mënyra e vetme për të bërë të përgjegjshëm politikanët dhe institucionet të bëjnë punën e tyre. Dëshëroj t’u kërkoj shqiptarëve të jenë të duruar pasi procese të tilla nuk bëhen brenda natës, të transformosh sistemin gjyqësor kërkon kohë. Shqiptarët nuk duhet të humbasin shpresën dhe besimin që kjo do të ndodhë. Ata duhet të vazhdojnë ta kërkojnë ndryshimin, të flasin hapur se kjo është ajo që ata duan. Kjo na jep forcë për të vazhduar.
Genoveva Ruiz Calavera, kryetare e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për vettingun e gjykatësve dhe të prokurorëve të Shqipërisë dhe Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit
DW