Dashnor Kaloçi/ Publikohet dokumenti arkivor me diskutimin e ish-gazetarit të “Zëri i Popullit”, Vehip Demit, me origjinë nga Çamëria, i cili në vitin 1956, në Konferencën e Partisë të Tiranës, bëri akuza të ashpra kundër privilegjeve të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, dhe personalisht ndaj Nexhmije Hoxhës. Kush ishin ministrat dhe anëtarët e Byrosë Politike që kritikoi Demi dhe vdekja misterioze e tij në qytetin e Vlorës, ku e kishin internuar…
“Shokët nga lart janë burokratizuar për së tepërmi dhe kur vjen çështja e kontakteve në punë, do t’ju sjell rastin tonë: Radio Tirana është një institucion me rëndësi për propagandën. Me maqinë ajo është vetëm gjashtë minuta nga zyrat e Komitetit Qendror. Por në këto gjashtë-shtatë vjet, shoqja Nexhmije, drejtore e Agit-Propit (Agjitacionit e Propagandës) ka ardhur te ne vetëm 2-3 herë. Shoqja Liri Belishova, që kur është bërë sekretare për Agit-Propin, nuk ka ardhur asnjëherë në Radio. Si mund të drejtosh nga zyra, si mund të drejtosh sektorin vartës vetëm duke thirrur drejtorin, pa marrë kontakt me punonjësit, ose të paktën me kolegjiumin. Një vërejtje tjetër: kur dërgohen delegacione jashtë shtetit, ka disa emra që i kap kalemi shumë shpesh: Liri Tashko, Vito Kapo, Eleni Terezi, Pilo Peristeri, Fadil Paçrami e disa të tjerë si drejtori ynë i privilegjuar, shoku Petro Kita, që tani ndodhet në Berlin”. Kështu u shpreh në mes të tjerash, në mbyllje të diskutimit të tij në Konferencën e Komitetit të Partisë të Tiranës në vitin 1956, shefi i redaksisë së Kulturës në Radio Tirana dhe ish-partizani i vjetër i batalionit “Çamëria”, Vehip Demi, i cili me fjalën e tij plot kritika të ashpra për vijën e gabuar politike që po ndiqte PPSH-ja dhe privilegjet e udhëheqjes së saj, ndezi debatet në mes delegatëve dhe presidiumit të asaj konference. Si rezultat i atij qëndrimi, disa ditë më vonë, Vehip Demi u shkarkua nga të gjitha funksionet që mbante dhe u shpall person antiparti, duke figuruar i nënti në listën e gjatë prej 21 personash që ishte miratuar e firmosur nga Enver Hoxha. Pas kësaj, atë e çuan fillimisht të internuar në rrethin e Skraparit dhe më pas në Vlorë, ku dhe vdiq në rrethana misterioze në vitin 1960, pak kohë pasi kishin filluar arrestimet ndaj të ashtuquajturit “Grupi çam i Teme Sejkos”. Rrethanat e vdekjes së Vehip Demit ishin tepër të dyshimta, por të afërm të tij, të cilët qëndruan në internim deri në vitin 1991, dëshmojnë se ai u helmua nga Sigurimi i Shtetit, që u kujdes edhe për të fshehur gjurmët e vrasjes së tij.
Debati me të deleguarin e Byrosë Politike
Po çfarë tha delegati Vehip Demi në diskutimin e tij në Konferencën e Komitetit të Partisë për Tiranën, e cila u zhvillua në marsin e vitit 1956, vetëm pak kohë pas Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ku Nikita Hrushovi, në mes të tjerash, kritikoi të gjitha gabimet e së kaluarës, duke goditur ashpër edhe kultin e Stalinit?! Cili ishte qëndrimi i Demit për vijën politike që po ndiqte udhëheqja e lartë e PPSH-së dhe për hendekun e madh që ajo kishte krijuar me popullin e komunistët e thjeshtë? Siç shihet edhe nga diskutimi i tij, që ndodhet në Arkivin e Shtetit, Vehip Demi ishte ndër të parët delegatë që e mori fjalën, duke kritikuar atmosferën e zymtë që mbretëronte në atë sallë ku zhvillohej Konferenca e Partisë për Tiranën, pas ndërhyrjes së të deleguarit të Byrosë Politike, i cili pyetjet që kishin bërë delegatët e Kinostudios i kishte cilësuar me frymë mosbesimi dhe dyshimi ndaj udhëheqjes së PPSH-së. Lidhur me këtë, në fillim të fjalës së tij, Vehip Demi u shpreh: “Unë, përpara se të diskutoja, u mata disa herë, bile për pak desha ta fshija emrin që kisha dhënë në sekretari. Pse hezitova kështu? Hezitova sepse më bëri të mendoj fjala që tha shoku i deleguar, se pyetjet e shokëve të Kinostudios përshkohen nga një frymë mosbesimi dhe dyshimi tek udhëheqja e Partisë. Ndoshta, unë mund të mos i kem interpretuar drejt përgjigjet e shokut Beqir, por dua të them sinqerisht se ato patën tek unë një efekt druajtjeje për të diskutuar lirisht. Ne jemi komunistë, shoku Beqir, dhe këtu është një mbledhje Partie, që është shkollë për ne. Më mirë të inkurajohemi dhe t’i themi gjërat lirisht këtu, qoftë dhe me gabime, sesa t’i ndrydhim ato në veten tonë, të mbajmë rezerva karshi Partisë dhe ajo që është me e keqja, t’i pëshpëritim ato njëri me tjetrin jashtë mbledhjeve të Partisë. Unë mendoj se shembulli personal nga lart, inkurajimi nga lart, influencon shumë për të krijuar atmosferën e përshtatshme për diskutime të lira. Kur flas për diskutime të lira, unë e kam gjithashtu parasysh artikullin e dytë të “Pravdës”, për të mos kaluar në ekstreme të tilla saqë, nën maskën e kritikës së hapët, të sulmohet vija e drejtë e Partisë. Fjala juaj, shoku Beqir, e çoi Zihni Sakon ta cilësojë qëndrimin e shokëve të Kinostudios si qëndrim i Jaroshenkos. Ky është një mendim ekstrem. Unë personalisht jam dakord se nuk ish i drejtë formulimi i shumë pyetjeve të Kinostudios dhe disa prej tyre janë të gabuara, por t’i kritikojmë këto gabime të shokëve pa kufizuar në asnjë mënyrë të drejtën e tyre për diskutim të lirë dhe të hapur. Unë do të shtroj më poshtë çështjet që më ka porositur organizata e partisë. Komiteti Qendror le t’i dëgjojë këto që do të them në konferencën tonë të Partisë. ‘Nga masat, te masat’, thotë një parim i lartë leninist”.
Demi:“Ja privilegjet e Bllokut”
Në vijim të diskutimit të tij, delegati Vehip Demi u ndal edhe te privilegjet e shumta që i kishte sanksionuar vetes udhëheqja e lartë e PPSH-së dhe hendekun e madh që ekzistonte midis saj dhe popullit të thjeshtë. Lidhur me këtë, në fjalën e tij Demi u shpreh: “Ne si gazetarë, i kemi konstatuar nga afër vështirësitë ekonomike te punonjësit që kanë ardhur nga një tok masash, si heqja e pjesshme e triskave, kategorizimi i ri, vendosja e normave të reja, ligji i sigurimeve shoqërore. Ne i konsiderojmë të drejta këto masa dhe të diktuara nga kushtet tona reale. Por, në të njëjtën kohë, ne mendojmë se këto nuk duhet të ishin marrë të gjitha menjëherë. Në po këtë kohë u shtuan rrogat e nëpunësve të mesëm e të lartë. Në radio ne kemi një fenomen të tillë: ata që merrnin nga 5200 lekë e lartë, kanë të gjithë shtesë rroge. Korrierët, pastrueset, portierët nuk kanë asnjë shtesë. Kjo do të thotë se te ne është shtuar disniveli midis atyre që marrin rroga të larta dhe atyre që marrin rroga të ulëta. Kongresi XX i PK të Bashkimit Sovjetik shtroi çështjen e ngritjes së rrogave të ulëta. Te ne, në korrigjimet që u bënë, ndodhi e kundërta. Ndërsa aty u kritikua disniveli midis rrogave të larta e atyre të ulëta, te ne u shtua akoma më tepër ky disnivel. Ne, si komunistë, duam ta shprehim lirisht mendimin tonë, që partia dhe qeveria ta shikojnë këtë gjë. Shoku Beqir nguli këmbë se çështja e furnizimit me bllok është vendosur nga Komiteti Qendror. Ne mendojmë se në këtë çështje shkelet në mënyrë flagrante parimi “secili sipas punës”.
Le ta argumentojmë këtë gjë. Të marrim një shembull: një familje punëtori me 7000 lekë në muaj dhe e përbërë nga 7 vetë dhe një familje funksionari me 14000 lekë në muaj, prej po aq personash. Punëtori mund të blejë sende ushqimore të garantuara me një vleftë prej 750 lekësh, ndërsa funksionari blen me bllok sende me vlerë prej 7500 lekësh. Pra, raporti është një me dhjetë. Ne mendojmë se kriteri i drejtë do të ish ky: në qoftë se punëtori me rrogë 7000 lekë merr 600 gr sheqer në muaj, funksionari me rrogë të dyfishtë duhet të marrë gjithashtu një sasi të dyfishtë sheqeri të garantuar, d.m.th. 1200 gr. Në qoftë se ai do sheqer më tepër, le ta blejë në pazar me 230 lekë kg, ashtu siç e blen i gjithë populli, se tamam për këtë punë merr rrogë më të lartë. Në të njëjtën zyrë punojnë dy gra: janë të dyja referente, i japin të dyja njësoj shoqërisë. Por shoqëria nuk u jep atyre njësoj: njëra ka ushqime të garantuara vetëm 200 lekë, kurse tjetra 1000 lekë, sepse njëra është grua punëtori e tjetra grua funksionari. A mund të qëndrojë në këmbë një kriter i tillë? Jo, nuk mund të qëndrojë. Në qoftë se ministri i jep më shumë shoqërisë dhe shoqëria ia shpërblen atij me të drejtë, me se mund të justifikohet privilegji që i bëhet gruas së këtij ministri, duke i dhënë ushqim në “Bllok”? Një gjendje e tillë, a e ngjall parazitizmin te disa njerëz? Po, e sjell shembull. Shoku Shuaip Panariti studion jashtë shtetit dhe gruaja e tij, “që nuk punon fare”, merr ushqime me bllok. Pra, të mos i japësh shoqërisë asgjë dhe të marrësh shumë prej saj. Ne kemi në organizatën tonë shoqen Violeta Papuli, komuniste e vjetër dhe partizane e Luftës Nac-l. i shoqi i saj, Çoti, ka qenë kryeredaktor i “Bashkimit”, vend në të cilin tani është emëruar një tjetër. Çoti studion në Moskë. Violetës tani i erdhi blloku. Ajo thotë: “Më vjen turp nga gratë e kooperativës të marr ushqimet me bllok, sepse e ndjej, si komuniste, që më bëhet një favor. Një shembull tjetër: e shoqja e Medar Shtyllës një ditë do merrte mish qengji. Pjesa e mishit kish edhe pak mëlçi. Ajo i thotë shitësit: “Mos më jep mëlçi, se nuk e hamë dhe nuk kam mace që t’ia hedh”. Ne s’kemi aq mëlçi sa të furnizojmë popullin dhe ajo ankohet se s’ka mace që t’ia hedhë. Ne duam të pyesim ministrin e Tregtisë, Kiço Ngjela, dhe ministrin e Financave, Abdy Këllezi, nga dalin fondet që duhen për të mbuluar shpenzimet e “Bllokut”. Në cilin kapitull të buxhetit hyjnë ato? Ne duhet të pranojmë se masat poshtë e bisedojnë shumë çështjen e “Bllokut”. Ne nuk mund ta fshehim këtë gjë. Ne si komunistë nuk dimë t’i sqarojmë, sepse ne vetë nuk e shohim të drejtë ekzistencën e “Bllokut”. Një gjë tjetër: ne mendojmë se çmimet e mallrave industriale janë tepër të larta. Ne kemi dëgjuar që shoku Kiço Ngjela ka shkuar në një dyqan veshmbathjeje dhe u ka thënë shitësve se nuk ka xhiro, mbasi ju nuk dini të bëni tregti të kulturuar”.
“Nexhmija na ka harruar”
Pas kritikave të ashpra lidhur me privilegjet e udhëheqjes së lartë të PPSH-së që jetonin në lagjen e “Bllokut”, në diskutimin e tij, delegati Vehip Demi u ndal edhe në hendekun e madh që kishte krijuar ajo me popullin e komunistët e thjeshtë. Lidhur me këtë, në fjalën e tij ai u shpreh: “Një çështje tjetër: ne bashkohemi me mendimin e shprehur këtu se duhet të forcohen kontaktet dhe lidhjet e udhëheqësve me masat. Ndodh që shokë të ngushtë të luftës ose të punës në ilegalitet të jenë larguar dhe ftohur njëri me tjetrin pa ndonjë arsye: njëri është ministër e tjetri punonjës i rangut më të ulët. Ministrin s’e sheh gjëkundi: me maqinë del nga shtëpia e shkon në zyrë, me maqinë shëtit të dielave me familjen e tij, ose shkon e rri vazhdimisht në shtëpinë e partisë dhe nuk takohet gjëkundi me miq e shokë. Gjatë luftës, a e mendonim nëse do t’ia lejonim vetes një shkëputje të këtillë? Kurrë! Shokët nga lart janë burokratizuar për së tepërmi dhe kur vjen çështja e kontakteve në punë. Do t’ju sjell rastin tonë: Radio Tirana është një institucion me rëndësi për propagandën tonë. Me maqinë ajo është vetëm gjashtë minuta nga zyrat e Komitetit Qendror. Por në këto gjashtë, shtatë vjet shoqja Nexhmije, drejtore e Agit-Propit (Agjitacionit e Propagandës), ka ardhur te ne vetëm 2-3 herë. Shoqja Liri Belishova, që kur është bërë sekretare për Agit-Propin, nuk ka ardhur asnjëherë në Radio. Si mund të drejtosh nga zyra, si mund të drejtosh sektorin vartës vetëm duke thirrur drejtorin, pa marrë kontakt me punonjësit ose të paktën me kolegjiumin. Një vërejtje tjetër: kur dërgohen delegacione jashtë shtetit, ka disa emra që i kap kalemi shumë shpesh… Liri Tashko, Vito Kapo, Eleni Terezi, Pilo Peristeri, Fadil Paçrami e disa të tjerë si drejtori ynë i privilegjuar, shoku Petro Kita, që tani ndodhet në Berlin. Mos ekziston një mendim se ky e bën këtë punë dhe nuk e bën dot tjetri? Para se ta përfundoj, edhe një çështje të fundit: Ne po kalojmë një periudhë kur partitë motra po nxjerrin mësimet e duhura nga fryma e Kongresit XX të Bashkimit Sovjetik. Në mënyrë të pashmangshme lind pyetja e bërë dje këtu në këtë sallë: a kemi ne si parti dhe si shtet për të nxjerrë mësimet e rastit?”
Pas goditjes së “Grupit të Teme Sejkos”, u arrestuan e dënuan mbi 350 çamë
Sikur të mos kishte mjaftuar genocidi i paparë që popullsia shqiptare çame kishte hequr në Greqi nga forcat e gjeneralit Napolon Zerva, pas vitit 1960 ndaj saj u përsërit edhe njëherë e njëjta gjë. Madje, me përmasa edhe më të tmerrshme, por me ndryshim se kësaj here ajo po e pësonte jo nga grekët, por nga vëllezërit e një gjaku. Aty nga fillimi i vitit 1960, kur Enver Hoxha po shkonte drejt ftohjes dhe prishjes përfundimtare me Hrushovin e Moskën zyrtare, sovjetikët përdorën një blof, në mënyrë që të mbanin bazën ushtarake të Pasha-Limanit. Këshilltarët sovjetikë që ishin në Ministrinë e Brendshme, i mbushën mendjen ministrit Kadri Hazbiu se qeveria greke, në bashkëpunim me anglo-amerikanët, po përgatitej të bënte një komplot për të përmbysur regjimin komunist në Shqipëri. Dhe për ta realizuar këtë komplot, ata ishin mbështetur te një grup i madh kuadrosh me origjinë nga Çamëria, të cilët kishin funksione të larta në ushtri, parti dhe administratën shtetërore. Sipas sovjetikëve, kreu i këtij komploti ishte Kundëradmirali i Flotës Luftarake Shqiptare, gjeneral-leitnant Teme Sejko, dhe Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, Tahir Demi. Në këtë kuadër, filloi goditja ndaj “Grupit çam” dhe i pari që e pësoi ishte general-major, Hilmi Seiti, kryetar i Degës së Brendshme të Shkodrës, i cili u helmua nga Sigurimi dhe vdiq në zyrat e Komitetit të Partisë në Shkodër, në maj 1960. Thuhet se gjeneral Seitit iu kërkua nga Sigurimi që, për interesa të partisë, ai të pranonte se ishte “kreu i komplotistëve çamë”, pasi ajo gjë duhej për të demaskuar monarko-fashistët grekë dhe imperialistët amerikanë. Pasi Seiti nuk e pranoi atë gjë, atë e helmuan dhe plani i Sigurimit të Shtetit vazhdoi me arrestimin e Teme Sejkos, të cilit iu kërkua e njëjta gjë si Seitit. Bashkë me Teme Sejkon, u arrestuan edhe: i vëllai i tij, Taho Sejko, e Tahir Demi,Sami Murati, nënkolonel Namik Resuli, Hajri Mane, Ali Xhelo, Adem Osmani, Jonuz Purizio, Nasho Gërxho etj. Teme Sejko në fillim nuk e pranoi planin e Sigurimit, por pas shumë torturash (me ndërhyrjen e Mehmet Shehut, që i shkoi në burg dhe i doli garant), u detyrua të pranonte, pasi iu premtua se, pas gjyqit, atë do ta dërgonin familjarisht jashtë Shqipërisë. Kurse i vëllai, Taho, nuk pranoi dhe i ra murit me kokë duke humbur kujtesën. Ndërsa Taho përfundoi si kavie laboratori ku mësonin studentët, i vëllai, Teme Sejko, dhe i ashtuquajturi “Grupi çam” dolën në gjyq dhe më pas disa prej tyre u ekzekutuan. Pas kësaj, ndaj çamëve që ishin në Shqipëri filloi një genocid i paparë, ku më shumë se 350 vetë u arrestuan dhe u dënuan me burgime të gjata. Në Plenumin e vitit 1982, kur Enveri po godiste Kadri Hazbiun, iu drejtua atij me këto fjalë: “Në 1960-ën, ti me Mehmet Shehun sajuat komplotin çam, që ne të mos u hiqnim bazën e sovjetikëve nga Pasha-Limani”. Pas Konferencës së Tiranës, e internuan në Skrapar e Vlorë
Vehip Demi, kuadri i parë çam që u eliminua nga Sigurimi në 1960-ën
Vehip Demi u lind në vitin 1913, në Filat të Çamërisë prej nga është origjina e familjes së tij, një nga më të njohurat e të gjithë asaj krahine. Në vitin 1914, kur andartët grekë filluan genocidin ndaj popullsisë myslimane shqiptare të Çamërisë, si shumë familje të tjera, edhe familja e tij u largua nga trojet e të parëve dhe u vendos në Konispol. Gjatë pushtimit nazifashist të Shqipërisë(1939-1944), Vehipi u angazhua në lëvizjen antifashiste që në vitin 1942, dhe bashkë me Rexho Plakun, Haki Rushitin, Teme e Taho Sejkon formuan të parën çetë partizane të asaj krahine, të cilën e pagëzuan me emrin “Çamëria”. Në mbarimin e luftës, Vehipi së bashku me Dervish Dojakën u caktuan në krye të Këshillit Antifashist të Çamërisë. Pas vitit 1945, Vehipi shërbeu në detyra të ndryshme dhe aty nga fillimi i viteve ’50 ai punonte si gazetar i sektorit ekonomik në gazetën “Zëri i Popullit”, të cilën e drejtonte miku i tij i ngushtë, Taho Sejko. Si komunist idealist që ishte, ai nuk i duronte dot padrejtësitë që u bëheshin njerëzve të thjeshtë dhe privilegjet që i kishte krijuar vetes udhëheqja e lartë e PPSH-së dhe Byroja Politike. Këto gjëra ai i ngriti në Konferencën e Partisë të Tiranës në vitin 1956 dhe si rezultat, pak ditë më pas u shpall në listën e 21 personave antiparti, të cilën sekretari i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi, ia dërgoi Rita Markos për ta ndjekur më tej. Pas kësaj, atë e internuan si punëtor të thjeshtë në fshatrat e Skraparit dhe më pas në qytetin e Vlorës, ku vdiq në rrethana tepër të dyshimta, në vitin 1960. Sipas dëshmive të të afërmve të tij, ai u helmua nga Sigurimi i Shtetit në spitalin e Vlorës, pikërisht kur filloi goditja ndaj të ashtuquajturit “Grupi i komplotistëve çamë”/Memorie.al