Nga Çapajev GJokutaj
Hap sytë pas një nate me bubullima, shi dhe erë. Kodrat përballë notojnë në mjegull dhe të vjen t’ia marrësh prapë me gjumë të zhytesh në mjegullat e kujtesës dhe ashtu, gjysmë i lirë nga vargonjtë e së përditshmes, të fluturosh në kohë e ngjarje të shkuara. Ndjesia e ikjes nga çasti e nga vetja më bën të ndihem mirë. Gjithsesi, ngrihem dhe nis ditën. ‘Filluan dhe shirat’, i them fqinjës në ashensor, thjesht sa për të thënë diçka. ‘Filluan hallet thuaj, shfryn ajo. Ç’të qash më parë, lagështinë, të ftohtit, dhimbjet e kockave që aman, o Zot. Thuaj shi, mërzi dhe i ke thënë të gjitha…’ Fatmirësisht kemi arritur në katin e parë dhe nxitoj të shpëtoj me këmbë nga ky mahmurllëk verbal.
Në trotuar takoj Jotin. ‘Të qenkan fryrë sytë si bo*e dashi, më përshëndet ky dhe pa më lënë radhë vazhdon: Je ënjtur ca, sikur e tepron me ato ecjet nga kodrat e liqenit. S’jemi më të rinj. Vate dielli më të ryrë, thoshte im atë, ndjesë pastë…’
Në kafe lexoj titujt e lajmeve nga ekrani përballë. ‘Masakër në tokat e bregdetit’, ‘Flet prokurori i plagosur në atentat’, ‘Vrasje me armë zjarri në Shkodër’, ‘Bomba e Çim Muçës: Skënderbeun e shoh… ‘Shpërthen akademiku: ky model na shpie në qorrsokak’, SHBA paska fshikulluar mediat pranë opozitës, kurse Bushati paska fshikulluar, jo kuajt e karrocës, por Ballën dhe Kodhelin…
Po të nisesh nga titujt, të ngjan vetja në luftë e shkuar luftës. Pse e helmojmë ditën me kaq shumë gjëra të liga, sikur të mos na mjaftonin hallet, pyes veten. Kur vijnë të tjerët u bëj të njëjtën pyetje.
E kemi nga fukarallëku, thotë Naqja. Denbabaden provincë, kufi perandorish. Larg qendrës e larg zhvillimit, po pranë fukarallëkut. Fukarallëku s’na u shqit edhe këta njëqind e kusur vjet që na kanë qeverisur hajnat tanë. Dihet, fukarallëku material sjell edhe fukarallëk shpirtëror. E kur kjo vazhdon me shekuj, vjen e bëhet huq kombëtar.
S’e kemi vetëm ne. Është model kulturor universal, thotë Qaniu. Prej natyre, njeriu emocionohet më shumë nga e liga. Ndaj në lajme, kudo në botë, mbisundon e keqja. Ndërtohen qindra grataçiela e s’flet njeri për to. Po dy vjet të shkuara, kur mori flakë shumëkatëshja në Londër, u bë lajm në gjithë mediat e botës.
E drejtë, ndërhyn Ilmiu, dhe kjo prirje s’ka lindur sot. E keni vënë re? Përralla zgjat aq sa zgjatin peripecitë e rreziqet. Kur mbarojnë, gjithçka përmblidhet në frazën: dhe pastaj rrojtën të lumtur e të gëzuar. Lumturia nuk ka histori, as lajm bëhet.
Jemi xhins i lig, këmbëngul Lilua. E kam thënë dhe herë tjetër: gruri bën grurë, misri misër, gomari kërriç, kurse i ligu ligësi.
Pas pak e harrojmë temën e negativizmit dhe nisim e grindemi nëse Reforma në Drejtësi do ksebëjë peshq të mëdhenj apo do përsërisë avazin e njohur “drang e drung këmbor’ e madhe, qumështi gjysmë okare”.
2.Lënë mënjanë folklorin e kafeneve, roli i mediave në kultivimin e qasjeve negativiste është i madh. Nuk është se shpikin e trillojnë, por zgjedhin me përparësi dukuri e ngjarje negative, u japin vend të dukshëm, i përsërisin dhe i ripërsërisin duke krijuar kështu iluzionin se kjo botë mbisundohet nga e keqja.
Për ta perceptuar më lehtë këtë qasje, le të kujtojmë si u përcollën në mediat tona dy lajme të njëkohshme, të raportuara 3-4 vjet më parë. Vërtet ka kaluar kohë, por pranëvënia e pasqyrimit të këtyre dy lajmeve ruan vlerë ikonike, të denjë për të hyrë në manualet e gazetarisë.
Atëbotë, pothuajse njëkohësisht, mediat tona botuan njoftime për dy të rinj me origjinë shqiptare, Martin Shkreli dhe Laura Mersini. Shkrimet për të parin ishin ku e ku më të shumta se për të dytën, në një kohë që logjika e gjërave kërkonte të kundërtën.
Martin Shkreli, pasi bleu monopolin e një ilaçi jetik kundër SIDA-s dhe kancerit, i vuri një çmim 60 herë më të lartë dhe fitoi kështu urrejtje masive jo vetëm në SHBA. Kozmologia Laura Mersini u përmend për prova të reja dhe me peshë në favor të teorisë “multivers”, që supozon se universi ku gjallojmë nuk është i vetëm. Kjo teori shënon një revolucion të vërtetë në kozmologji.
Shkreli është emigrant i brezit të dytë, lindur e rritur larg, për më tepër vetëm babanë e ka shqiptar, kurse nënën kroate. Mersini është lindur e rritur në Vlorë, është shkolluar në Universitetin e Tiranës dhe vetëm në 1994-ën ka ikur jashtë për të vazhduar studimet. Vështirë që logjika njerëzore të shpjegojë pse mediat tona i kushtuan shumë më tepër vëmendje Shkrelit, sesa Mersinit.
Gjithsesi, një gjë mund të thuhet me siguri, ky lloj raportimi riprodhon e riprodhon negativen, duke sfumuar e lënë, në mos në harresë, të paktën në periferi, gjërat pozitive dhe duke i nxitur spektatorët dhe lexuesit të anojnë nga përfytyrime të muzgëta dhe heraherës edhe apokaliptike për të sotmen dhe të ardhmen.
- Prirja për t’u përqendruar te negativja dhe për të lënë në periferi dukuri, ngjarje e persona pozitivë nuk është mëkat ekskluziv i mediave tona, përkundrazi, është dukuri ndërkombëtare, karakterizon madje edhe prestigjiozet botërore, ku raportojnë gazetarë të mirëpërzgjedhur dhe super të kualifikuar.
Sondazhet tregojnë se shumica e njerëzve sot kanë bindjen që jetojmë një kohë të trazuar, mbushur me dhunë e luftëra. Profesori i Harvardit, Steven Pinker, te “The Better Angels of Our Nature: Why Violence Has Declined” vërteton me fakte mbushamendëse se dhuna në botë ka ardhur duke rënë dhe sot jetojmë periudhën më paqësore në historinë e njerëzimit. Dekadat pas L2B shënojnë ulje të të gjitha llojeve të dhunës, përfshirë konfliktet ushtarake, vrasjet, gjenocidin, torturat, burgjet, trajtimin e fëmijëve, të grave, minoriteteve etnike, atyre seksuale, madje edhe trajtimin e kafshëve.
Pinker, jo vetëm që e vërteton bindshëm këtë tezë, por përpiqet edhe që t’i gjejë burimet. Reduktimi i dhunës sipas tij ka ardhur nga një varg faktorësh, si: shteti modern bën drejtësi dhe monopolizon dhunën, tregtia globale bën që të huajt të jenë më të vlefshëm kur janë gjallë e konsumojnë sesa kur vdesin, rritja e shkollimit dhe intensifikimi i komunikimit bëjnë të rritet empatia dhe të pranohet më lehtë tjetri etj.
Veçse ka një paradoks, vë re Pinker, dhuna vërtet ka shënuar ulje të dukshme, por njerëzit përgjithësisht e perceptojnë kohën tonë të mbingarkuar me dhunë e konflikte si rrallë ndonjë periudhë të mëparshme. Ndër faktorët kryesorë, që krijojnë diferencën e thellë mes asaj që ndodh në realitet dhe asaj që pandehin njerëzit, është raportimi mediatik. Krimet, vrasjet, përleshjet kthehen në kryetituj dhe tituj, që mediat e shumëllojshme i përsërisin dhe ripërsërisin duke ndikuar fort perceptimin publik.
Prirja për ta parë botën muzgët nuk lidhet vetëm me dhunën, por me shumicën e dukurive. Te libri ‘Factfulness: Why Things Are Better Than You Think’ statisticieni dhe mjeku suedez, Hans Rosling, sjell shifra e fakte që dëshmojnë se vetëm brenda dekadës së fundit varfëria ekstreme është përgjysmuar nga 18.1%, në 8.6%. Edhe vdekjet foshnjore kanë rënë dukshëm, nga 5.8% në 3.9%. Në rënie me 3% është dhe analfabetizmi i të rinjve. Kurse jetëgjatësia mesatare është rritur dukshëm, nga 69.8 vjet në 72.2 vjet. Të gjitha këto, vetëm brenda 10 vjetësh. E megjithatë, shumica e qytetarëve të sonduar në vendet e zhvilluara kanë prirje të mendojnë se edhe në këto drejtime bota ka bërë pas.
- Perceptimet negative a përkeqësuese, vërtet nxiten nga raportimi i njëanshëm mediatik, por vetë ky lloj raportimi i ka rrënjët në psikologjinë humane, apo në ato që Rosling i quan ‘megamisconceptions’.
Thënë ndryshe, mediat kanë pjesën e vet të fajit në prirjen për t’u fokusuar me përparësi në anët e muzgëta të realitetit. Gjithsesi, kjo punë është si tango, nuk kërcehet vetëm. Prej natyre njeriu është i prirur të mendojë më shumë, më fort e më gjatë për gjërat negative sesa për ato pozitive.
Psikologët flasin për një prirje të trurit human, që e quajnë anshmëria e negativitetit. Gjërat me natyrë negative, thonë këta, kanë ndikim më të madh në botën tonë psikologjike, i kujtojmë dhe i rikujtojmë më shpesh sesa gjërat pozitive a thjesht neutrale.
Kjo dukuri nuk është prirje e vullnetshme, por zakon evolucionar, d.m.th. tipar i ngulitur në luftën e gjatë të humanoidëve për të mbijetuar e për të siguruar vazhdimësinë e species. Stërgjyshërit tanë primitivë mund t’i vinin re ose jo ngjyrat e fluturave apo elegancën e sorkadhes, por ujkun a luanin do t’i pikasnin me doemos, ndryshe rrezikonin të shkonin me të shumtët.
Parë kështu, prirja për t’u përqendruar te negativja ka rrënjë ekzistenciale, ndaj është universale dhe panhumane. Statistikat thonë se 80% e mendimeve dhe kujtimeve të njeriut gjatë ditënatës janë për gjëra negative.
Përqendrimi me përparësi te negativja vazhdon të jetë tipar i njeriut të sotëm, jo thjesht si trashëgimi, por edhe si një instrument që na shërben edhe sot e kësaj dite, kur jemi larguar nga savana dhe nga jeta primitive. Na pëlqen të kthehemi e të rikthehemi me mendje tek eksperiencat e dhimbshme, turpëruese, të papëlqyeshme, thonë psikologët, ngaqë duam të çlirohemi prej tyre. Ekskursione të tilla anë në thelb përpjekje për ta kuptuar të papëlqyeshmen, për të gjetur e shkulur rrënjët e saj. Kur analizojmë e zbulojmë cilat janë shkaqet, çfarë nuk ka shkuar mirë, kush duhet fajësuar, sqarojmë veten se ç’duhet bërë në rrethana të ngjashme të së ardhmes.
Prirja për t’u kthyer e rikthyer te negativja, për të analizuar e shpjeguar ndodhi të dhimbshme a të papëlqyeshme, thonë psikologët, na shërben edhe si ngushëllim, sepse na mbush mendjen që dhimbjet tona nuk kanë ndodhur më kot, kanë pasur arsye, aktorë e faktorë.
Në rrafsh ekzistencial dhe identitar, rikthimi te pësimet e dhimbjet na ndihmon të ndiejmë se ekzistojmë. Kur e kujtojmë a e rivëmë veten përballë vështirësish e problemesh, e perceptojmë më mirë si individualitet a si një aktor, që e shohim edhe nga jashtë. Ashtu si subjektet letrare shtjellohen përgjithësisht rreth konfliktesh, përpjekjesh e dramash, ashtu edhe narrativa jonë personale parapëlqen dhimbjen, lënduesen, turpëruesen që të ekzistojë dhe t’ia kallëzojmë e rikallëzojmë vetes.
- Faktorë të ndryshëm evolucionarë, psikologjikë, ekzistencialë, identitarë etj., bëjnë që njeriu të jetë më i interesuar për gjëra negative, të kthehet e të rikthehet te mendime e kujtime të dhimbshme, të frikshme, frustruese etj. Këtë prirje universale të njeriut kanë parasysh mediat kur u lënë vend kryesor raportimeve negative.
Natyrisht, mediat nuk e bëjnë këtë thjesht për të kënaqur një kërkesë të lexuesve e spektatorëve, e bëjnë kryesisht për të shtuar audiencën dhe për të siguruar kështu më shumë reklama e të ardhura. Kjo relatë dyshe të kujton proverbin që thotë se njeriu tjerr gjalmin, kurse djalli – në këtë rast media – tjerr shkorsën e komercializmit.
Media ka qenë dhe mbetet e interesuar për fitimin, ka anën e vet ekonomike, por gjithsesi nuk është veprimtari e mirëfilltë komerciale, ka pasur dhe duhet të vazhdojë të ketë edhe një aspekt të fuqishëm shoqëror. Nisur nga kjo, studiuesit vijnë në konkluzionin se mediat duhet të bëjnë më shumë kujdes për të mos e tepruar me dukuri negative.
Ashtu si njeriu, edhe shoqëria që jeton e rijeton vetëm gjëra të muzgëta rrezikon të zhytet në dëshpërim e depresion. Përpjekjet e vetëdijshme për të pasqyruar edhe gjëra pozitive janë përpjekje për shëndetin mendor e emocional të gjithë shoqërisë.
Nevoja për raportim edhe të dukurive pozitive bëhet më e fortë në kontekstin shqiptar. Tranzicioni i stërzgjatur, varfëria thuajse endemike, polarizimi pasuror ekstrem, korrupsioni i lartë dhe hajdutllëqet e paskrupullta të oligarkisë, si dhe një varg i gjatë paudhësish, kanë bërë që prej vitesh të llapashitemi mundimshëm në ligatinat e një krize të rëndë shpirtërore e morale. Si rrjedhim, sistemi i vjetër i vlerave ka rënë, ndaj kemi nevojë ulëritëse për modele e vlera të reja, larg miteve kombëtariste e pranë bashkëkohësisë.
Kërkesa për gjurmim dhe raportim të dukurive pozitive mund të lexohet edhe si yshtje tinëzare për të mbështetur qeverinë e radhës. Bëj pjesë në grupin e atyre që mendojnë se kjo klasë politike ka dështuar dhe do rinovuar sa më shpejt. Të flasësh gjithë ditën dhe gjysmën e natës për politikë dhe politikanë, do të thotë të zhgërryhesh keq e më keq në ligatinat e negatives e të depresionit. Po kush tha se Shqipëria është vetëm politikë apo, më keq akoma, vetëm batuta, bëma e gjëma politikanësh?