Mero Baze/Fushata e Edi Ramës për të telendisur publikisht administratën në disa sektorë kyç të shërbimeve, si shëndetësi, Hipoteka, ALUIZNI etj., po nxjerr në pah një fakt të dhimbshëm, që nuk ka të bëjë as me korruptimin e tyre, dhe as me tepsinë që i ka çuar aty, por me mungesën e integritetit dhe frikën nga politika.
Nuk e vë në dyshim se ato poste kanë thithur njerëz problematike, sa i përket mitmarrjes apo përfitimeve të tjera financiare. Edhe pse është krim t’i konsiderosh të gjithë njësoj, periudha çerekshekullore e Shqipërisë së korruptuar, e ka standardizuar personalitetin e dikujt që do të punojë në ato zyra. Dhe ky standard është përgjithësisht ai i njeriut që do të bëjë para me punë shteti.
Por, kjo nuk përjashton mundësinë që disa prej atyre drejtorëve të jenë njerëz me personalitetet, të ndjehen që e kanë merituar atë vend pune, dhe të dinë ta mbrojnë atë. Unë mezi po pres të shfaqet një i tillë. Po pres të ngrihet një drejtor aty përballë Edi Ramës, t’ia hedhë çelësat në fytyrë, t’i thotë nuk kam nevojë për vendin tënd të punës, por kjo që thotë ky qytetar, apo kjo letra anonime, është shpifje.
Mezi po pres dikë që të më bindë se nuk i dhimbset fare ajo karrige, që edhe kështu do t’i iki, por të paktën të dëshmojë se nuk ka shkuar aty, ashtu siç paragjykohet. Të ngrihet një drejtor spitali e t’i thotë përse nuk janë kushtet e mira në spital, përse nuk ia del dot me ilaçet, përse nuk shkon dot ambulanca në kohë, përse u detyruan ta bënin emërimin e infermiereve nga qeveria qendrore etj. Dhe pas kësaj, t’i hedhë çelësat në tavolinën e spektaklit dhe të iki në punë të tij.
Nuk po ndodh, dhe jam i trishtuar për këtë. Jo se dua që dikush “t’ia thyejë turinjtë” Edi Ramës medoemos, por për të bindur veten, se dikush e ka merituar atë vend pune.
Kjo që po ndodh është trishtuese, pasi po provon mungesën e thellë të integritetit të njerëzve që drejtojnë postet kyçe në shoqërinë shqiptare. Një drejtor në një kompani private ka shumë herë më tepër dinjitet përballë pronarit të vet, se sa dikush në punët publike përballë Kryeministrit. Dhe kjo vjen, se ai person që ja ka dalë të bëhet drejtor në biznesin privat, e ka merituar dhe është blerë për atë që vlen, ndërsa ata që janë në krye të shtetit, e kanë blerë atë vend pune, dhe nuk ruajnë më dinjitetin, por paratë e tyre. Kjo është një akuzë e rëndë për sistemin, për politikën dhe natyrisht edhe për Kryeministrin.
Ana tjetër e shëmtuar e kësaj mungese, është frika nga politika që po injektohet për postet publike. Spektakli i Kryeministrit, i ngjan spektaklit të Lulzim Bashës, që pasi spastroi gjithë kundërshtarët në PD, tha “herën tjetër zgjedhjet do të jenë demokratike dhe deputetët do t’i caktojë populli”.
Edhe Edi Rama, pasi po i telendis vetë personalisht gjithë drejtorët, pasi po u kërkon dorëheqje, edhe pse nuk varen nga ai, po u premton që pas kësaj, do ketë pavarësi për institucionet dhe s’do guxojë kush t’i nëpërkëmbë.
E gjithë kjo, në vend të pakësojë ndikimin e politikës mbi administratën, kam frikë se po e rrit atë. Unë jam ende pa fjalë se si askush nuk del t’i thotë “nuk më plas për këtë vend pune” dhe s’dua të kem të bëj më me shtetin”. Vetë do ta kisha bërë qysh minutën e parë të një takimi të tillë poshtërues.
Vetëm një çmim i lartë i asaj karrigeje dhe një frikë e madhe se politika të lë pa të ardhme, duket se i mban të gjithë ashtu, kokulur dhe të bindur para telendisjes publike, dhe me mua me vesh të ngritur mos po del ndonjë trim. Por, duket që nuk do të dalë. Kaloi dhe 1 gushti e s’ka më dëgjesa. (Gazeta TemA)