Shumëkush mund ta dijë se futbolli me rregulla, siç e njohim sot, ka nisur të luhet fillimisht në Angli në mesin e shekullit XIX-të. Shefilld FC, klubi më i vjetër në botë që ekziston ende, ishte i pari që përcaktoi rregullat më 1858-ën. Më pas, gjatë viteve 1860, loja u zhvillua me shpejtësi në atë që njohim sot: 11 lojtarë, goditje këndi, faulla, dhe ndeshja 90 minutëshe. Po ku është luajtur futbolli për herë të parë? Në këtë aspekt, pretendimet janë të shumta, dhe anglezët e humbin ekskluzivitetin.
Italianët pretendojnë se futbolli është luajtur në Itali që nga koha e Romës së Lashtë, dhe me rregulla që në shekullin XIV. Skocezët pretendojnë se futbolli është shpikur pikërisht në Skoci në vitin e largët 1424. Por sipas studimeve më të fundit, futbolli është luajtur për herë të parë në Kinë më shumë se 2000 vjet më parë. Sipas të dhënave “kickball” ose cuju, ishte pjesë e argëtimit në kohën e lire, dhe luhej nga profesionistë. Ironikisht Kina ka sot një ndër kombëtaret më të dobëta të futbollit në Azi, duke arritur të marrë pjesë vetëm në një herë në një botëror.