Gabimi mjekësor, në rastet kur mjeku ndërmerr një veprim që ka sjell për pasojë një dëmtim të të sëmurit, nuk do të gjykohet më si një vepër penale por si një çështje administrative. Kjo kërkesë e bluzave të bardha tashmë është bërë pjesë e ndryshimeve të Kodit Penal.
Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli në një prononcim për “Tv Klan” thotë se gabimi mjekësor do të gjykohet administrativisht, ndërsa neglizhenca penalisht.
“Kjo u bë pas një konsultimi edhe me mjekët dhe persona kompetentë të ministrisë së drejtësisë. Gabimi mjekësor është atëherë kur mjeku pa dashje duke zbatuar protokollet mjekësore bën një veprim ose nuk ndërmerr një veprim që ka sjellë për pasoje një dëmtim të të sëmurit, ndërsa neglizhenca është që nuk merresh me pacientin, nuk vepron sipas protokolleve të përcaktuara më parë për mënyrën se si trajtohet , diagnostikohet dhe mjekohet . Gabimi mjekësor do të gjykohet administrativisht dhe neglizhenca penalisht”, u shpreh Rakacolli.
Në rastet kur një pacienti humb jetën për shkak të neglizhencës së mjekëve, atëherë ata do të dënohen penalisht në bazë të shkallës së dëmtimit që neglizhenca ka shkaktuar.
“Është propozuar që dënimi të shkojë nga gjobë deri në dy vite burg , ndërsa nëse si rezultat i neglizhencës mjekësore pacienti ka humbur jetën dënohet vetëm me burgim deri në 4 vjet”, shtoi Rakacolli.