Nga: Yanis Varoufakis “Project Syndicate”
Athinë- 7 tetori ishte një ditë e mirë për demokratët. Gjykata Greke e Apelit la në fuqi dënimet e liderëve të Agimit të Artë, e vetmja parti naziste që kishte fituar vende në çdo parlament që nga vitet 1940, me akuzat e vrasjes, dëmtimit të rëndë trupor dhe drejtimit të një organizate kriminale. Një turmë prej 20.000 athinasish festoi jashtë gjykatës.
Festa jonë zgjati saktësisht 40 sekonda, para se policia të na shpërndante me gaz lotsjellës. Duke gulçuar, bashkëshortja ime dhe unë u përpoqëm t’i bashkoheshim qindra të tjerëve që po përpiqeshin të shpëtonin përmes një rrugice të ngushtë që të çonte në Malin Likabetus. Atje ndodheshin dhjetëra policë, që gjuanin me gaz lotsjellës turmën që po largohej.
Unë iu përgjërova oficerit drejtues që të ndalonte. “Nuk ka asnjë qëllim të helmosh njerëzit që po përpiqen të shkojnë në shtëpi”- i thashë me qetësi.
Ai nisi të më kërcënojë. Kur i tregova kartën e deputeti, përgjigjja e tij më trembi:”Edhe një arsye tjetër për t’iu rrahur!’’. Dënimi i udhëheqësve nazistë të Greqisë është një fitore vendimtare kundër ringjalljes së ekstremizmit të djathtë ekstremist në Evropë.
Por ndërsa ata po dërgoheshin në burg, idetë, sjelljet dhe urrejtja e tyre ndaj demokracisë parlamentare kishte veshur uniformën e policisë, duke terrorizuar rrugët. Një javë më vonë, një oficer policie më mori në pyetje si pjesë e një hetimi të shkaktuar nga dëshmia ime.
Unë nuk munda ta njihja fytyrën e policit në atë trazirë, pasi nuk isha në gjendje të merrja frymë apo të shihja siç duhet në kohën e incidentit. Por njoha një gjë: qetësinë në sytë e tij, një vështrim që më kujtoi Kapnias, dikur një hetues i stërvitur i Gestapos.
Unë u takova Kapnias në vitin 1991. E pashë duke qëndruar pranë dhive të tij, në një fermë në jug të Peloponezit, ku ai banonte me gruan e tij, Jiajia Jorgjia, të cilën po e vizitoja për arsye familjare, dhe historia e jetës të të cilës meriton të jetë në qendër të ndonjë kryevepre të ndonjë dramaturgu të talentuar.
Megjithë imazhin e tij negativ, unë nuk isha i përgatitur për mirëseardhjen që më ofroi atë natë. Pasi u vendosa në dhomën e gjumit që Jorgjia kishte përgatitur me adhurim, dhe pasi kisha ngrenë darkën me ta, u justifikova dhe u nisa për në qytetin aty pranë për t’u takuar me disa miq.
Pas rikthimit në fermë pas mesnate, mund të dëgjoja gërhitjen e fortë të Kapnias dhe mjaullimat e një vargu macesh të ngazëllyera. I rraskapitur u bëra gati të shtrihem në shtrat. Në jastëk ishin vendosur 2 libra. Njëri titullohej “Kujtimet e një kryeministri”.
Autori i saj: kryeministri i fundit i diktaturës fashiste në kohën e rinisë sime, një kukull e emëruar nga ai që e çoi juntën neofashiste drejt një territori të egër neo-nazist pas masakrës ndaj studentëve më 17 nëntor 1973. Libri i dytë ishte manifeti i Hitlerit “Mein Kampf”, botuar në Gjermani në vitin1934.
Unë supozova se kjo ishte mirëseardhja ndaj një të majti si unë e një fermeri gjysmë të shkolluar, që përpiqej të më kumtonte diçka. Si adoleshent, Kapnias ishte një fermer “i paprekshëm” i lidhur me babanë e Jogjias, që ishte një lloj fisniku në fshatin malor të origjinës së tyre.
Gjatë pushtimit nazist, babai i saj veproi si një ndërlidhës midis inteligjencës britanike dhe partizanëve të majtë lokalë, duke sabotuar njësinë e Vehrmahtit, dhe disa toga ushtarësh italianë. Jorgjia, bukuroshja e fshatit, ra në dashuri dhe u martua fshehurazi me një prej partizanëve.
Në sfondin e një lufte të ashpër, dy fëmijë lindën nga një çift i lumtur. Ndërkohë, Kapnias,u rreshtua më palën tjetër:ai iu bashkua një njësie paraushtarake nën varësinë e Gestapos, dhe u dërgua në Kretë për t’u trajnuar mbi metodat e marrjes në pyetje dhe kundër-subversionit.
Aty ishte Hansi, instruktori i tij, që i dha kopjen me kapak lëkure të “Mein Kampf”. Kur gjermanët po tërhiqeshin, Greqia u zhyt në batakun e një lufte të egër civile. Aleatët u kthyen kundër njëri-tjetrit, vëllai kundër vëllait, vajza kundër babait.
Burri partizan i Jorgjias e pa veten duke luftuar në radhët e ushtrisë kombëtare që mbështeste britanikët. Brenda 2 vjetësh, ai u vra nga partizanët që punonte babai i saj. Dhe për të përfunduar tragjedinë, shokët e burrit të saj i vranë të atin.
E mbetur e ve nga nacionalistët e babait të saj dhe jetim nga partizanët e burrit të saj, Jorgjia mbeti e varfër me dy fëmijë të vegjël. Ndërkohë Kapnias, pasi kishte kaluar nga paramilitari i Gestapo në xhandarmërinë lokale, ishte tashmë në gjendje të hakmerrej ndaj shtresës së pasur.
Ai i bëri Jorgjias një propozim:”Ti martohesh me mua, dhe unë do t’i pengoj djemtë e mi të të marrin tokën dhe ngacmojnë fëmijët e tu komunistë”. Duke besuar se ajo nuk kishte asnjë alternativë tjetër përveçse të pranonte, Jorgjia nuk pati zgjedhje tjetër deri në vdekjen e saj në 2012.
Kur u takova me të më 1991, supozoja se figura si Kapnias ishin relike që do të zhdukeshin menjëherë pas një funerali. Por e kisha gabim. Një ndjenjë e disfatës së përhershme, mungesës së shpresës dhe e poshtërimit të përhapur, krijon një mjedis në të cilin ringjallet ADN-ja e fjetur e nazizmit.
Sapo shoqëria greke u zhyt në dëshpërim, pas falimentimit të shtetit tonë në vitin 2010, një brez i ri nazistësh, me shikimin e Kapniasit, zunë vendet e tyre në parlamentin grek. Tani, shumica e tyre janë në burg për krime të tmerrshme. Por, ai vështrim mbetet në sytë e shumë njeëzve, dhe jo të gjithë ata janë me uniformë.
Shënim: Yanis Varoufakis, ish-ministër i Financave në Greqi, udhëheqës i partisë MeRA25, dhe profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës.
Burimi i lajmit: https://www.project-syndicate.org/commentary/golden-dawn-greek-nazis-and-police-by-yanis-varoufakis-2020-10
Përshtatur nga TIRANA TODAY