Tirana Today
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing
No Result
View All Result
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing
No Result
View All Result
Tirana Today
No Result
View All Result
Home Stil

Nanon nuk e rrëzuan “Tëvërat”, por zullumqarët rreth tij!

3 vjet ago
in Stil, Të Gjitha, W-Instant
Nanon nuk e rrëzuan “Tëvërat”, por zullumqarët rreth tij!

Nga: Kristo Mërtiri

Vite më parë, pas 1997-ës zezonë kombëtare, kur Partia Socialiste kish fituar votat masive të elektoratit të majtë e përtej tij, e po drejtonte pushtetin legjislativ e ekzekutiv në Shqipërinë e katrahurës, botova shkrimin “Kam frikë nga hijet rreth Nanos !”.

Titull që ma përmendin sot e kësaj dite mjaft shokë e miq dhe sidomos ish emigrantët bashkëvuajtës të detyruar në Greqi. Të them të drejtën, për mua ishte një shkrim i zakonshëm dhe intrigues kryesisht nga rrëfimet shqetësuese të mjaft militantëve të thekur të asaj force politike, por edhe nga simpatizantët e saj jo të paktë.

Fatos Nano kishte dalë nga burgu politik i pashembullt në Ballkan e Europë! Burgosje që tronditi rëndë besimin te Demokracia e vërtetë e Lirisë së trumpetuar me megafonë të vegjël e të mëdhenj, por edhe me daulle e me gërnetë ekstazë në ato kohëra të krisura. Hipokrizia e fjalimeve euforike për Pluralizmin e vërtetë politik, po digjej shpejt si flakë kashte.

Ndërsa mitingu i papërsëritshëm i qindra emigrantëve shqiptarë nga tërë Greqia në sheshin “Omonia” për tu takuar e biseduar ballë për ballë me Fatosin pa pranga në duar, do të mbahet mend gjatë. Kam parë nga afër gra e burra nga Labëria dhe Jugu që manifestonin të përlotur, të gëzuar, po edhe të revoltuar në kulm për bëmat e gjëmat që ranë nga pushteti cmendurak e kulpërak i së Djathtës.

Kam parë nëna e motra të veshura si korbat për dhjetra e dhjetra burra, djem, vëllezër e fëmijë të ikur në atë botë nga plumbat e shtetit që ra si kuti kartoni sidomos pas rrokullimës së Piramidave financiare. Piramida që i hodhën pa mëshirë në mes të katër rrugëve dhe i zhveshën lakuriq shumë familje nga qyteti e fshati.

Kam parë e takuar bashkatdhetarë të arratisur nga sytë këmbët nëpër male e mbi telat me gjemba, që mallkonin me shpirt politikanët e cakërdisur e të hazdisur dhe rënkonin e vajtonin fatin e tyre dhe lënien e baballarëve e të nënave kërcure në pragjet e shtëpive të mbuluara nga zia e vetmia krejt e pamerituar. Madje, u shtuan si në një heshtje mortore, shtëpitë me oxhaqet pa tym dhe me drynat e ndryshkur mbi porta !

Një dramë e tragjedi e prekshme dhe e thekshme gjer në kockë. Atdheu ishte plagosur rëndë e brinjë më brinjë nga Polit(h)ika qorre e atij “regjimi gangster”. O njerëz, disa mbeturina e karrakatina të atij regjimi të mallkuar që na rrëmbeu deri shtëpi e katandi dhe na vërviti udhëve helm të kurbetit, që na shau e na vrau, që na ndau e na përcau, që gjakosi e varrosi lulen e vendit nga Tropoja në Sarandë, sot në perëndim e sipër kërkojnë me cdo cmim pushtet për t’ua lënë si pajë pinjollëve familjarë e politikë(?!).

Por nuk mund të harrohet as “turpi i namusqarëve patriotë” që gjoja u qante shpirti për “dinjitetin” kombëtar dhe dilnin nëpër ekranin e TVSH-së Policor të pacipë, bashkë me gjymat me ujë të qelbur për të fikur zjarrin e revoltës së vërtetë popullore(më saktë: revolucionin demokratik!) në emër të “imazhit” e të “krenarisë” shqiptare (?). Mirëpo, historia nuk harron. Ajo mban shënim edhe ëndrrat e shpresat sadopak xixëlluese…

-Dëgjomë pak, miku im i vjetër! Ato “hijet rreth Nanos” para 25 viteve, shumica e tyre vërtiten, rrojnë e mbretërojnë ende në këtë botë jallane. Kujtoj një ish- ministër kokëplotë e dinjitoz nga Bregu i Detit, atëhere na tha se e kish parë mbi tavolinën e Kryeministrit gazetën e hapur te shkrimi yt,-më tregonte këto ditë një miku im i vjetër, gjirokatrit 24 karat, që banon këtu te Brryli.-Troç muhabeti, ato hije nate e mandate do ia hanin kokën pak më vonë, jo vetëm në Qeveri po edhe në Parti.

Nuk e them dot se Doktori po bënte gjumin e shejtanit apo ca “kolloqife me rigon”! Por kam bindje të palëkundur, se më të poshtër e më faqezinj ishin ata titullarë që këtej i lëpiheshin Fatosit, e matanë ndërtonin pallate me maska e pa maska, merreshin me kontrabandë skuthash e me kapobanda financiare tepër të pista nën ombrellën e pushtetit. U bënë aq të fuqishëm prapa krahëve, sa filluan të mos pyesnin as për shefin e Ekzekutivit e as për Sekretarin e Përgjithshëm “autoritar” të PS-së(?). Qoftë edhe për një pushim krejt arbitrar e arrogant nga puna…Çudira të krokolepsura që nuk janë ç’krokolepsur plotësisht sot e gjithë ditën ! Sinqerisht, nuk dua të besoj vetëm thashethemnajat popullore që qarkullojnë pa hesap.

Ti i provove vetë në kurriz, megjithse kishe qenë pjesmarrës me mandat në mblethjen Themeluese të asaj force politike ku fale kontributin tënd. Ç’të të thom unë më shumë ! Përshembull, viti 2005 i kërreu mjaft të palara mbi ujë, por sa para bën, atëhere “harro mushkë Valarenë”…Nuk ishin vetëm ekranet e Tëvërave. Jo ore, jo, për mua dhe shumë e shumë të majtë, atë e rrëzuan Pëgërat (jashtëqitjet) rreth tij, që sot pëlcasin nga pasuria e llogaritë bankare. Disa nga këta burrecër, të pabesë e karrieristë të tërbuar që shesin edhe babë e nënë, vazhduan c uditërisht deri tani vonë nëpër kolltuqe të larta qeveritare.

Dhe qyrkun e fajit ia hidhnin tinëzisht e djallëzisht Kryeministrit Nano! Mirëpo mjerisht, koha po vërteton plotësisht mjaft fytyra të ndyra nga e majta, që dikur Fatos “liberali demokrat” e pa asnjë kompleks primitiv e militantesk i pranoi në vatër te oxhaku, u mësoi abc-në e liderit dhe të politikës moderne. Por siç thoshin dikur në mëhallën tonë të Dunavatit, ata kërthinj një ditë “u rritën e u manitën!” Mbi 30 vite me prapanicën mbi benza luksozë, me shoferë e bodiguardë, me vila në kryeqytet, në mal e në det. Dhe janë po këta sojsëzë të pandreqshëm që sot vjellin vrer fshehurazi edhe kundër Edi Ramës, pasi ia volën pushtetin pacipërisht ! Nuk e ndërrojnë kollaj qimen, e as zakonin e ujkut a të dhelprës plakë. Neve mbase e kullotëm livadhin e jetës dhe po na mblidhet lëmshi ngadalë e me faqe të bardhë, por kjo është e vërteta e hidhur, e thartë apo e ëmbël qoftë…

Fatos Nano nuk ka hiç nevojë për prokuror, gjyqtar, avokat a gazetar si unë që po na troket muzgu i jetës. Por të thuash publikisht se atë e rrëzuan Tëvërat, veç të tjerave, minimalisht synohet të shiten xhaba cerek e gjysëm të vërteta. Sikur i drejtohen një tufe me budallenj e naivë të vjetëruar që cakërrisin sytë përballë tyre. Fjala vjen, a mund ta krahasosh standartin e tij perëndimor të dorëheqjes me ndonjë lider djathtas e majtas që ka 17 vjet(pas largimit të Fatosit) dhe mbajnë ende me thonj e me dhëmbë kolltuqe e poste partiake e shtetërore ?…Dhe kanë nisur të qajnë me lotë krokodili fatin e rinisë shqiptare !

Dhe harrojnë që “popullin mund ta mashtrosh për një kohë, po jo për tërë jetën”. Nuk është thënë kot  nga të mençurit: Ruhuni nga gjysëm të vërtetat ! Dhe mos na hidhni tra më tra ! Ose më thoni: Kush sakrifikoi dhe e pagoi më shtrenjtë e më shumë nga e majta (në daçi edhe djathtas) nëpër qelirat me pranga mesjete të Pluralizmit të çartallosur ? Dhe namusqarët “patriotë” vazhdojnë t’i lakojnë e zgjedhojnë rrufisjet e gotës së uiskit ! Ndërsa sot duartrokasin ata që u hapën udhë Gërdeceve e qameteve me njerëz të djegur e të pjekur; hakmarrjes e gjakmarrjes në zemër të Tiranës(se për Azemin e lëpinë paturpësisht emrin e Fatosit, duke shkelur gjuhën!); vrasjeve të njerëzve me duar në xhepa te shkallët dhe trotuaret e selisë së Qeverisë ose ato vrasje 100 metra larg Ministrisë së Brendshme etj. etj. hatara që nesër do tromaksen brezat e rinj. Thoshte mirë një tregimtar i talentuar: O Zot, mos na shtjer në ngasje, por shpëtona nga i ligu !….

Neverinë deri në urrejtje ndaj Polit(h)ikës mashtruese e fare të pacipë e gënjështare që bubullin nga vilat e pasuritë marramendëse, në fund të fundit, e ushqejnë realisht Pëgërat brenda e rreth saj, majtas e djathtas. Politikani qytetar e i mencuri Nano, pas daljes nga burgu i padrejtë politik, nuk demonstroi asnjë thërrime hakmarrjeje ndaj atyre që i vunë prangat në sytë e prindërve antifashistë të betuar e të moshuar dhe tepër të respektuar në opinion!

Por ama, toleranca, liberalizmi progresiv, kultura e konsoliduar dhe qytetaria e tij e njohur edhe nëpërmjet humorit e sarkazmës së rrallë, arritën që ta bënin pas krahëve bishtin më të madh se sqepari !…Nuk hezitoj ta them se ai është një nga studentët e shkëlqyer të brezit tim dhe që botonte shkrime jo dosido në gazetën “Studenti” ku unë punoja e drejtoja pa asnjë lloj shpërblimi financiar. Dritëroi ynë, miku im i pazëvendësueshëm, një nga patriarkët e së majtës moderne dhe vëzhgues i hollë e kritik i veprimtarisë së Fatosit, foli prerë e publikisht kur të tjerë mërmërinin frikshëm ose heshtnin: “Fatos Nanoja është një personalitet i shquar shoqëror dhe politik, me një kulturë të admirueshme kombëtare dhe europiane…Kuadro si ai nuk dalin në horizont cdo vit !”…

Tags: fatos nanoKristo Mërtiri

TË LIDHURA

Berisha nxjerr videon nga protesta e opozitës: Drita e Uraganit që ngrohu zemrat e shqiptarëve
Aktualitet

Berisha nxjerr videon nga protesta e opozitës: Drita e Uraganit që ngrohu zemrat e shqiptarëve

10:06 | 26/01/2026
SHBA/ Të shtëna në Minneapolis, përplasje mes emigrantëve dhe agjentëve federalë, një viktimë
Të Gjitha

SHBA/ Të shtëna në Minneapolis, përplasje mes emigrantëve dhe agjentëve federalë, një viktimë

19:50 | 07/01/2026
U shkëput për një kohë të gjatë pas humbjes së të vëllait, Gjesti rikthehet për Krishtlindje
Të Gjitha

U shkëput për një kohë të gjatë pas humbjes së të vëllait, Gjesti rikthehet për Krishtlindje

21:45 | 25/12/2025
Next Post
Efektivët e policisë goditen nga makina që ecte kundravajtje. Kush është shoferi i a*matosur 

Të shtëna me a*më zjarri në Kamzë, policia del me reagimin zyrtar dhe zbardh detajet

Një këmbë e shkurtër me tre gishta, 5-vjeçari kërkon ndihmën e shqiptarëve për një operacion (VIDEO)

Një këmbë e shkurtër me tre gishta, 5-vjeçari kërkon ndihmën e shqiptarëve për një operacion (VIDEO)

“Edukojmë brezat e rinj me vullnetarizëm”, nxënësit e shkollës “Elitë” dhurojnë veshmbathje, lodra dhe libra

"Edukojmë brezat e rinj me vullnetarizëm", nxënësit e shkollës “Elitë” dhurojnë veshmbathje, lodra dhe libra







JU REKOMANDOJMË

Pas Zvërnecit, Ivanka Trump ndalon në ‘fshatin më të braktisur’ pas viteve ‘90

Pas Zvërnecit, Ivanka Trump ndalon në ‘fshatin më të braktisur’ pas viteve ‘90

14:43 | 21/01/2026
E rëndë në Tiranë! 30-vjeçarja hidhet nga kati i tretë i një pallati, humb jetën

E rëndë në Tiranë! 30-vjeçarja hidhet nga kati i tretë i një pallati, humb jetën

11:41 | 22/01/2026
LAJMI I FUNDIT/ Kërcasin armët në Kukës, raportohet për të plagosur

LAJMI I FUNDIT/ Kërcasin armët në Kukës, raportohet për të plagosur

14:05 | 23/01/2026
Kosovë, dënohet ish-truproja e Rugovës për vrasjen e 20 viteve më parë

Kosovë, dënohet ish-truproja e Rugovës për vrasjen e 20 viteve më parë

17:42 | 26/01/2026




TË FUNDIT

Rritet bilanci i viktimave nga moti i keq në SHBA: 20 të vdekur, mes tyre një 16-vjeçare
Bota

Rritet bilanci i viktimave nga moti i keq në SHBA: 20 të vdekur, mes tyre një 16-vjeçare

by mirseda
22:19 | 26/01/2026
0

Një stuhi e fuqishme po godet disa pjesë të Shteteve të Bashkuara, duke lënë të paktën 20...

Foto/ Plagosi vajzën e tij dhe kolegun e saj në Durrës, ky është autori 56-vjeçar

Foto/ Plagosi vajzën e tij dhe kolegun e saj në Durrës, ky është autori 56-vjeçar

21:45 | 26/01/2026
Lushnje, zjarri përfshin disa banesa, një vajzë e re dërgohet në spital e asfiksuar nga tymi

Lushnje, zjarri përfshin disa banesa, një vajzë e re dërgohet në spital e asfiksuar nga tymi

21:06 | 26/01/2026
Tragjedi në Qipro, 4-vjeçarja humb jetën nga gripi A

Tragjedi në Qipro, 4-vjeçarja humb jetën nga gripi A

21:03 | 26/01/2026
Izraeli merr trupin e fundit të pengut nga Gaza, mbyllet faza e parë e Planit të Paqes

Izraeli merr trupin e fundit të pengut nga Gaza, mbyllet faza e parë e Planit të Paqes

20:50 | 26/01/2026
Tirana Today


© 2025 TiranaToday Dev By: Techzero1.com


© TIrana Today. All rights reserved.
Kontakt
EMAIL : [email protected]
Cel: +355694040005

Follow Us

Tirana Today

© TIrana Today. All rights reserved.
EMAIL : [email protected]
Cel: +355694040005
© 2025 TiranaToday Dev By: techzero1.com

Follow Us

No Result
View All Result
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing

© 2025 TiranaToday Dev by : Techzero1.com