Genc Burimi, /panorama.al/
Kur na ndajnë vetëm më pak se dy javë nga mbajtja e zgjedhjeve legjislative, për shqiptarët dilema përmblidhet në pyetjen: për cilën të keqe më të vogël të votojnë?
Është e tmerrshme kur politika arrin në të njëjtin stad si me Covidin: cili variant është më pak vrastar se tjetri?
Shpresa që duhet të karakterizojë çdo fushatë elektorale, është ajo që mungon hidhtazi kësaj here. Por për kë të votosh? Apo, më mirë, fare të mos votosh?
SHANSET E HUMBURA TË PD-SË
Karakteristikë e politikës shqiptare është se dy partitë kryesore në vend, PS dhe PD, janë kthyer në marka. Si të tilla, këto dy sigla që kanë zaptuar peizazhin politik të Shqipërisë që prej 30 vitesh, u mbivihen emrave të përveçëm të kryetarëve të partive apo të kandidatëve për deputetë që agat caktojnë.
Do të kish mjaftuar që PD-ja të vinte në këto zgjedhje të reja me një staf krejtësisht të rinovuar në krye të saj, për t’ia shtuar ndershmërisht shanset vetes për t’u rikthyer në pushet. Lulzim Basha tërheq pas thembre si një gjyle të burgosuri në internim, të kaluarën sa të afërt e po aq të palavdishme të partisë së tij.
Në lëmin e lirive themelore, damka e vrasjes katërfish të manifestuesve paqësorë në kryeqytet më 2011 mbetet e pashlyeshme. Në lëmin social, damka e “skllevërve” të kohëve moderne që u përcëlluan në Gërdec si në një shpërthim të Pompeit, do të mbetet po aq e pashlyeshme.
Në fushën ekonomike, podiumi i shëmtuar i tri koncesioneve më simbolike që rëndojnë mbi shqiptarët edhe tetë vjet më pas, mban po ashtu vulën apo damkën e qeverive të PD-së. “Sicpa” (pullat gjakpirëse fiskale nga birra tek ilaçet), GFI (lëngu “antievazion” në karburante), Rapiscan (skanimi super i shtrenjtë i kontejnerëve) janë vepër e qeverive të PD-se ku Lulzim Basha ishte eksponenti më i privilegjuar, here si ministër i Brendshëm, herë si ministër i Jashtëm, apo herë si ai i Transporteve.
Janë po ato qeveri të PD-së, që krijuan apo toleruan atë tumor korrupsioni në drejtësi sa e detyruan faktorin ndërkombëtar t’i hyjë me sharrë gjithë sistemit, duke e çuar sot në një kolaps total.
Në një kontekst të tillë të kaluare me kaq “cene në biografinë” e PD-së, mosbërja e asnjë mea culpe nga ky politikan që pretendon se është formuar në frymën europiane të universiteteve holandeze është gjëja që shokon më shumë, për të mos përdorur një folje tjetër. Me një udhëheqje totalisht të re, PD-ja do të ishte distancuar të paktën në formë nga gabimet e saj të së kaluarës, ashtu siç veproi taktikisht Edi Rama kur mori PS-në në dorë më 2005 dhe menjëherë u distancua nga epoka e qeverive të Fatos Nanos.
Një taktikë që i solli frytet, pasi PS-ja e “udhëheqjes së re” ediramiste arriti dy gishta pranë fitores në 2009 (kur iu vodhën votat nga pushteti i PD-së), fitore që e konfirmoi më pas në 2013 me një program shpresëdhënës. Atë të Reformës në Drejtësi veçanërisht, që nuk e realizoi kurrë përfundimisht, duke e çuar drejtësinë sot tetë vjet më vonë edhe më keq se ku e la Berisha më 2013.
Por kjo është temë më vete. Ideja që del nga kjo panoramë, është se një parti madhore përfaqëson një markë dhe, kur marka njolloset, akti i parë është distancimi pa asnjë pikë keqardhjeje ndaj përgjegjësve të së kaluarës. Politikanët, ashtu si administratorët e firmave të mëdha, shkojnë e vijnë, por marka mbetet, ose duhet të mbetet.
Për mungesë kuraje për të bërë një katarsis në krye të saj me emra të rinj pa funksione në të kaluarën, apo për mungesë kuraje të kryesisë së saj për të bërë të paktën një denoncim dhe distancim nga e kaluara, PD-ja i zvogëlon sot shanset me 50% për të pasur një fitore të padiskutueshme ndaj Rilindjes, që ka marrë ujë si një dërrasë e kalbur. Te 50% i shanseve që mbeten për të shpresuar në fitore, një pjesë e madhe konsumohet nga mungesa e alternativave të bindshme.
E bindshme në rastin e Shqipërisë duhet përkthyer në radikale. Çfarë ka si masë radikale në programin e PD-së? Sondazhet pyesin kush do të fitojë, por do të ishte interesante t’u bëhej pyetja shqiptarëve cilat janë tre, dy apo thjesht një masë e vetme që ata kanë memorizuar nga programi i PD-së e llojit që të ndryshojë diçka në jetën e tyre.
Asgjë domethënëse në programin e PD-së. Më e trishtë akoma, të gjithë ato masa që hidhen sot nga PD-ja në tregun e fushatës së saj elektorale, janë të ricikluara nga fushatat e kaluara elektorale. Merrni taksën e sheshtë 9%, të njëjtën masë e gjen në programin e 2017-es. Po ashtu, subvencimin e bujqësisë me rreth 100 milionë dollarë në vit, një tjetër propozim po ashtu i ricikluar nga fushata e 2017-ës.
Po e famshmja pullë fiskale që premtohet nga PD-ja të vihet te bizneset e vogla në mënyrë që inspektorët e taksave mos t’i ngacmojnë pa fund, a s’është po ashtu një premtim i së kaluarës?
Premtim që bëhet dhe më ironik akoma kur dihet se pullat fiskale që PD-ja i ka aq për qejf qenë po ashtu një shpikje e preferuar e saj për t’i dhënë koncesionin marramendës më 2011 shoqërisë zvicerane “Sicpa:, e cila është bërë tani “Sicpa GFI”, pasi në këtë vend habish që është Shqipëria, një koncesion monopol blen një tjetër koncesion monopol për t’u kthyer në një megamonopol ose oligopol.
T’i besosh kësaj PD-je, me po ata udhëheqës e idera si para tetë vitesh që t’u ndryshojë jetën shqiptarëve, është si t’i besosh Frankejshtanit të krijojë një monstër të re për të eliminuar atë të parën. Albert Einstein kishte ndoshta një shprehje edhe më të goditur: “është çmenduri të bësh të njëjtin eksperiment me shpresën se do përftosh një rezultat më të mirë”.
PS-JA, NJË ZOMBI QË SHPRESON TË ENDET NË PUSHTET DHE KATËR VITE TE TJERA
PS-ja e sotme i ngjan asaj të Fatos Nanos më 2005.
Që 8 vjet pas katrahurës së piramidave financiare, përgjegjësi numër një i tyre, Sali Berisha, të kishte ende guximin, fudullëkun apo karshillëkun të sfidonte shqiptarët për të riardhur në pushtet, duke konkurruar me PS-në e Nanos, kjo tregonte se në çfarë humnerash biblike kishte rënë keqqeverisja e “Robert Camçakizit”, siç e cilësonte Rama Kryeministrin e asaj kohe, Fatos Nano. I njëjti konstatim dhe paralel mund të bëhet edhe tani në fund të dy mandatave socialiste të Edi Ramës.
Që të arrijë Lulzim Basha, delfini i Berishës, të cilin shqiptarët menduan se e dërguan përfundimisht në pension më 2013, të ketë dhe ai guximin, fudullëkun, karshillëkun t’u kërkojë sërish shqiptarëve ta bëjnë dhe një herë nuse se e di ai si nusëron, pa premtuar të paktën sa për sy e faqe zhbërjen e atyre koncesioneve që qeveria ku ai bënte pjesë para 2013 e s’i bitisi, kjo tregon sesi është katandisur reputacioni personal i Edi Ramës, si ai Fatos Nanos më 2005. Dhe PS-ja e sotme, ashtu si PD-ja, nuk pati kurajën të rinovohet me një kryesi të re, për t’u distancuar nga ajo e së kaluarës dhe për ta mbajtur markën PS të papërlyer nga mëkatet e një personi.
Mungesës së rinovimit të PS-së duke filluar nga kryesia e saj, ashtu si te PD-ja, i shtohet një mungesë edhe më e theksuar programatore. Kjo bën që dy shtyllat bazë të diskursit elektoral të Edi Ramës të jenë justifikimi me dy katastrofa që kanë ndodhur dhe mund të ndodhin, për të maskuar boshllëkun në programin e PSsë.
Katastrofa e parë, me të cilën justifikohet Rama, është ajo natyrore – sanitare me tërmetin nga njëra anë dhe kovidi nga ana tjetër. Këto dy gjëma e paskan penguar PS-në të jetë po aq rezultative sa duhej. Katastrofa e dytë që Rama ua tund shqiptarëve si dordolec mban emrin Basha-Kryemadhi. Të votosh për ata të dy është ku e ku më keq se të votosh për PS-në, thotë pa pikë kompleksi establishmenti i Rilindjes.
Çfarë shterpësie morale dhe intelektuale që s’përkthehet ndryshe veçse me mesazhin “ne jemi bërrnut, por ata përballë janë zero me bisht”. Nëse nga programi i PD-së nuk mbahet mend asnjë masë që del në sipërfaqe si më e veçantë, si më shpresëdhënëse, te programi i PS-së ka në realitet diçka konkrete, por është sërish një koncesion i ri, lodra e re e PS-së që e mësoi nga PDja.
Lart e poshtë, Rama flet tani vetëm për një projekt të ri, aeroporti i Vlorës, që në vend t’u ndryshojë jetën shqiptarëve, do t’u rëndojë dhe më shumë xhepat. Koncesionari do një fitim të garantuar, vijnë apo s’vijnë turistë në Shqipëri e për më tepër nga Vlora në veçanti.
Zhvillimi i aviacionit civil është bërë në atë masë obsesionale për Edi Ramën në këto momente (si Berisha me maninë e mbjelljes së kulturës së arrës në kohën e vet) sa ai gjen kohë këto ditë për të shkuar e inauguruar aeroportin fantazmë të Kukësit, që i tillë do të mbesë sepse është programuar vetëm për fluturime të brendshme që s’ka kuptim të marrin një ditë zhvillim në Shqipëri.
Shqipëria me 5 aeroporte (Tiranë, Kukës, Vlorë, Sarandë, Korçë): është ky lajtmotivi i vetëm dhe surrealist i fushatës së Edi Ramës që me siguri duhet të përmbajë një dozë përfitimi personal përderisa po trumbetohet me kaq bujë.
Gjynah që nuk vuri po aq pasion te premtimi po aq i bujshëm që bëri gjatë tetë viteve në pushtet, e drejta e votës për diasporën, po ku me sa duket nuk kishte asnjë përfitim, por veçse vota më shume kundër tij.
PO E ARDHMJA E AFËRT?
Fatmirësisht, për shqiptarët, cilado do të jetë ajo parti apo koalicion partish që do të fitojë në këto zgjedhje, kjo s’do të përbëjë pengesë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Kjo është vendosur nga BE-ja që vitin e kaluar. Pritet tani vetëm përfundimi i zgjedhjeve në Shqipëri që të hapet konferenca e parë ndërqeveritare.
Me rrezikun e avancimit të ndjeshëm drejt pushtetit të ekstremeve të djathta në dy vendet kryesore europiane, Francë dhe Gjermani, ku zgjedhjet po trokasin në derë, BE-ja “po pret me urgjencë” tani të konfirmojë hapjen e negociatave si me Shqipërinë, ashtu dhe me Maqedoninë e Veriut, pasi më vonë do të jetë ndoshta tepër vonë.
Premtimi i Lulzim Bashës se me fitoren e PD-së BE-je do të hapë negociatat është thjesht një retorikë demagogjike. Këtë perspektivë shqiptarët e kanë të garantuar. Ajo që është më shumë në pikëpyetje është e ardhmja e zhvillimit ekonomik të vendit.
Debati po mungon totalisht në këtë drejtim. Përtej frazave të përgjithshme mbi uljen e taksave që është kthyer në alfa dhe omega të debatit të zhvillimit të Shqipërisë ndërkohë që në mënyrë cinike taksat rriten me shtimin e koncesioneve nga të dyja partitë, nuk ka përplasje idesh mbi rrugën që duhet të marrë me përparësi Shqipëria për të gjetur rritje të fuqishme ekonomike dhe punësim.
Është për të ardhur keq sepse para dy vjetësh Lulzim Basha filloi një përpjekje konceptuale se nga duhet të orientohet ekonomikisht Shqipëria. Sipas tezave të tij të hedhura para krizës së Covidit, si prioritet i parë duhet investuar në turizëm (krijim resortesh ne bregdet sipas Bashës, por a i duhet Shqipërisë turizmi masiv?).
Në vend të dyte vjen energjetika ku i duhet hapur rruga krijimit të një numri HEC-esh të tjera private pretendonte ne një fjalim me 2019 me biznesin Lulzim Basha me gjithë problematikën që ka njohur Shqipëria me ndërtimet kaotike të HEC-ve në vitet e qeverisjes së Rilindjes.
Në vend të tretë të prioriteve për kryedemokratin vjen teknologjia e informacionit me qëllim që të krijohet në Shqipëri një klasë programuesish, të cilët kërkohen shumë jashtë (por a nuk është më e leverdishme për tregjet e jashtme të kontraktojnë me programues që kushtojnë edhe më lirë, edhe që flasin anglisht si në Indi?).
Bujqësia vjen për Lulzim Bashin në vend të katërt të prioriteteve që duhet të ketë ekonomia shqiptare. Ndërsa në vend të pestë ai radhit logjistikën. Basha ëndërron ta shohë Shqipërinë si Holanda me porte të fuqishme (Durrësi dhe Vlora) si pika ngarkim-shkarkimi për shumë vende të Ballkanit deri në Budapest.
Çdonjëra nga këto prioritete që i gjeta në një bashkëbisedë të Bashës me biznesin e Vlorës në shkurt 2019 mund të diskutohet si në renditje, ashtu dhe neë përmbajtje, por pse pikërisht këto tema nuk i dëgjojmë të debatohen në këtë fushatë? Ndërkohë, PS-ja në këtë drejtim ndodhet në një shkretëtirë intelektuale absolute.
Që prej propozimit, i mirë apo i keq, të një Koço Kokedhime kur ishte ende anëtar i PS-së që Shqipëria mund të gjejë rritje të vazhdueshme e qëndrueshme ekonomike me biznesin legal shtetëror dhe ndërkombëtar të kanabisit, PS-ja nuk prodhon më ide në lëmin ekonomik.
Nëse debatet e ideve mbi ekonominë nuk ndodhin në fushatë elektorale kur pritet të ndodhin? Pa folur më pas për debatet në lidhje me financat publike (borxhi, deficitet), apo me një reformë të mundshme institucionale duke parë ngërçin që po prodhon aktualisht marrëdhënia president – qeveri.
Po debatet në lidhje me kulturën, arsimin apo me marrjen në ngarkim të të moshuarve me humbje kapacitetesh fizike, numri i të cilëve sa vjen dhe rritet duke u kthyer shumë shpejt në një plagë sociale. Sa shumë tema që meritojnë të debatohen në këtë fushatë, por që as nomenklatura nuk u përmendet e jo më përmbajtja.
Zgjedhjet e 2021 do të jenë një shans i humbur jo vetëm për partitë në garë, që vështirë do ta kenë të marrin maxhoranca bindëse për shkak të mungesave programore që u përmenden më sipër, por edhe për shqiptarët që do të hyjnë sërish në një cikël të ri katërvjeçar pa busull tjetër në dorë veç asaj drejt emigracionit.