Shira të rrëmbyer dhe erëra të forta kanë goditur rajonet qendrore e ato jugore të Italisë, ku zona më e goditur nga moti i keq është Abruzzo me përmbytje përgjatë vijës bregdetare dhe rrëshqitje dheu në pjesë të tjera të saj.
Në provincën e Teramos gjendja shfaqet kritike nga rrjedhat e ujit, ku është vendosur që të mbyllen shkollat. Si pasojë e shiut të dendur ka patur edhe një aksident rrugor, ku ka gjetur vdekjen një 27-vjeçar në Marche.
Sipas mediave italiane, pasagjeri që udhëtonte me të në kamionçinën e dalë nga rruga, mbeti i plagosur dhe ndodhet në spital. Reshjet që nuk kanë të ndalur prej 24 orësh kanë shkaktuar probleme të mëdha në kufirin e provincave të Pescares dhe Teramos duke i zënë autoritetet lokale në befasi.
Edhe qarkullimi hekurudhor u ndërpre përkohësisht në linjën Adriatike. Shkollat janë mbyllur, sipas mediave vendase, në pothuajse të gjitha komunat bregdetare. Autoritetet përkatëse kanë njoftuar se emergjenca në Abruzzo nuk prek vetëm bregdetin, pasi e vështirë paraqitet situata edhe në disa zona te brendshme të tij ku ka pasur rrëshqitje toke.
“TGCom” shkruan: “Më në veri, u regjistruan probleme me energjinë elektrike, pasojë e dëborës së fillim javës”. Ndërkohë prej tre ditësh erëra të forta që kapërcejnë 100 km në orë mundojnë Triesten. Forcat zjarrfikëse kanë kryer ndërhyrje të shumta në këtë zonë, për incidente të ndryshme që përfshijnë pemët e rrëzuara apo stenda afishimi të shkulura nga era.
Gjithashtu erëra të forta janë regjistruar edhe në Venecia, ku një pemë e madhe ka rënë mbi një shtëpi, ku fatmirësisht nuk pati viktima. Por si pasojë, tashmë shtatë pjesëtarët e familjes kanë mbetur jashtë.