Florian Përvathi, pasi mori hak për të atin, nuk ka shprehur pendesë për vrasjen e Lekë Lekëgjonajt. 17-vjeçari i cili ndodhet në paraburgimin e Lezhës, nuk është në gjendje të mirë psikologjike, mirëpo ka dëshmuar se krimin e ka kryer për hakmarrje. Vëllai i dy vëllezërve dhe një motre, e kishte planifikuar vrasjen e Lekë Lekëgjonajt pasi do merrte hakun e të atit, të vrarë nga vëllai i viktimës në vitin 2009.
Sapo 65-vjeçari zbriti nga makina, i riu qëlloi në drejtim të tij e më pas për tu siguruar që ai kishte vdekur qëlloi sërish, duke u larguar më pas nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “Audi” që e priste në rrugën kryesore. Shtëpia ku ndodhi krimi ishte e vëllait të viktimës, i cili kishte kryer vrasje dhe aty nuk jetonte njeri.
Florian Përvathi ka deklaruar se armën me të cilën qëlloi për vdekje Lekë Lekëgjonajn, e kishte prej të paktën një viti. Kështu mësohet të ketë deklaruar adoleshenti para hetuesve të Lezhës, të cilët një ditë më parë morën dëshminë e tij. Megjithatë 17-vjeçari nuk ka treguar se ku e ka siguruar këtë armë.
Përse mori hak?
17-vjeçari, Florian Përvathi ka marrë hak për babanë e tij të vrarë në 2009. Gjon Përvathi u ekzekutua nga vëllai i viktimës, Ndue Lekgjonaj me motivin se i kishte bllokuar rrugën. Prej vitesh Përvathi kishte pasur probleme me familjen Lekëgjonaj, ndërsa të hënën mori hak.