Martesa midis anëtarëve të një familje mbretërore, ishte dikur diçka normale, dhe shihej si një mënyrë për të siguruar pastërtinë gjenetike. Kjo lloj martese, siguronte që gjaku “i zakonshëm”, të mos e ndoste gjakun e pastër aristokrat.
E çfarë mund të shkonte keq? Në fakt shumë gjëra. Defektet e lindura, të shkaktuara nga ky lloj bashkimi, ishin shumë të mëdha në familjet mbretërore nga Rusia në Portugali, madje edhe në Egjiptin e lashtë, ku praktika e martesës midis vëllezërve dhe motrave konsiderohej si një sjellje hyjnore.
Sëmundjet e trashëguara si porfiria, transmetohen përmes gjeneve të caktuara. Për shembull, Mbretëresha britanike Viktoria, një ithtare e fortë e linjës së pastër të gjakut, u martua me kushëririn e saj Albert. Të dy patën 9 fëmijë, të cilët më pas ia kaluan sëmundjen e hemofilisë familjeve mbretërore në të gjithë Evropën. Ja cilët janë rastet kryesore të këtyre deformimeve:
Mbreti spanjoll Karli II, kishte një nofull tepër të gjatë dhe buzë të trasha
Produkti i një linje të gjatë martesash brenda familjes së famshme mbretërore Habsburgase, Karli II kishte atë që hyri në histori si Nofulla Habsburgase. Me një gjuhë tepër të gjatë, një nofull të poshtme tepër të harkuar, dhe buzë të trasha, ky deformim njihet si prognatizëm mandibular.
Kjo gjendje ia vështirësonte përtypjen, dhe sillte derdhjen e shpeshtë të ushqimit nga goja. Ndërkohë ai pati zhvillim të vonuar. U ushqye me gji deri në moshën 5-vjeçare, dhe nuk u arsimua dot. Nga ana tjetër ishte impotent, dhe paaftësia e tij për të lënë pasaardhës i dha fund mbajtjes nga Habsburgët të kurorës spanjolle, kur Karli abdikoi nga froni në vitin 1700.
Sëmundja e princit Aleksei i dha fund Perandorisë Ruse
Askush në familjen e Romanovëve nuk dihej se ishte hemofilik (një sëmundje gjenetike potencialisht fatale, ku gjaku nuk mpikset normalisht). Car Nikolla, i ati i Alekseit ishte martuar në familjen e Mbretëreshës Viktoria të Anglisë, e cila ishte pjesë e një klani ku martesat brenda familjes ishin një normë.
Caresha Aleksandra, ishte mbesa e Viktorias. E dëshpëruar për t’i shpëtuar jetën të birit, Aleksandra kërkoi ndërhyrjen mistike të priftit Rasputin. Por jetesa në oborr e një burri si Rasputin, i njohur për fiksimin e tij pas alkoolit, raporteve intimeve me burra dhe gra, nuk u pëlqye nga aristokracia. Mistiku Rasputin fitoi ndikim të madh në oborrin mbretëror. Kaosi në familjen mbretërore, ndihmoi në nxitjen e Revolucionit Rus në vitin 1917, pas së cilit familja mbretërore u ekzekutua.
Faraoni Tutankamun kishte kafkën të deformuar për shkak të martesës me të motrën
Ndonëse cilësohet faraoni më i famshëm i Egjiptit të lashtë, testet e ADN-së të kufomës së mumifikuar të mbretit Tutankamun, tregojnë se ky sundimtar i Egjiptit rreth vitit 1300 Para Erës sonë kishte një trup dhe shendet të dobët, për shkak të traditës mbretërore egjiptiane ku vëllezërit dhe motrat martoheshin me njëri-tjetrin. Ai u ngjit në fronin në moshën 9-vjeçare, dhe jetoi deri në moshën 19-vjeçare. Ai ka të ngjarë të kishte qiellzën e çarë, një këmbë të çalë dhe skoliozë, si dhe një kafkë të zgjatur, të deformuar.
Një sëmundje e trashëguar e urinës, mund ta ketë çmendur mbretin Xhorxh III
Mbreti anglez Xhorxhi III, mbretërimi i të cilit u shoqërua me humbjen e Revolucionit Amerikan, ka të ngjarë të kishte një çrregullim gjenetik, që i preku më shumë mendjen sesa trupin. Ai besohet të ketë vuajtur nga porfiri, një sëmundje që e bën të kaltër urinën e një pacienti, dhe që shkakton periudha marrëzie.
Testimet e mëvonshme mjekësore, tregojnë se porfiria ishte e zakonshme në shtëpinë mbretërore të Hanoverit, së cilës i përkiste Mbreti Xhorxh III. Ai e kaloi dekadën e fundit të mbretërimit të tij duke u fshehur nga njerëzit, dhe në fund të jetës humbi shikimin dhe dëgjimin.
Mbretëresha Viktoria mund të ketë përhapur hemofilinë në të gjithë mbretëritë e Evropës
Mbretëresha Viktoria, e njohur si matriarka e mbretërisë evropiane, vuante nga hemofilia, një çrregullim i mpiksjes së gjakut. Megjithëse ajo arriti të shmangte efektet anësore më serioze të sëmundjes gjatë gjithë jetës së saj të gjatë, paraardhësit që solli në shtëpitë mbretërore në të gjithë Evropën nuk ishin dhe aq me fat.
Zakonisht hemofilia merret nga gratë përmes gjeneve të të dy prindërve, dhe nuk ka asnjë lidhje me faktin se Mbretëresha Viktoria ishte martuar me kushëririn e saj të parë, Princin Albert. Sidoqoftë, historianët kanë diskutuar nëse babai i mbretëreshës Eduardi, Duka i Kentit – ishte në të vërtetë babai i saj biologjik.
Kleopatra ishte ndoshta mbipeshë, ashtu si edhe pjesa tjetër e familjes së saj
Ndërsa Kleopatra është e njohur në kulturën popullore për trupin e saj të hollë dhe bukurinë mahnitëse, ka shumë të ngjarë që mos ketë qenë aspak kështu. Arkeologët besojnë se Kleopatra vuante nga pesha e tepërt dhe faji ishte i familjes së saj.
Në traditën e Ptolemeut, familja e Kleopatrës e praktikonte rregullisht inçestin. Mbipesha në familjen e saj u përkeqësua nga inçesti. Për më tepër, shumë studiues besojnë se ajo dhe vëllai dhe motra e saj ishin të prekur nga tipare më pak tërheqëse.
Burimi i lajmit: https://www.ranker.com/list/mutations-and-birth-defects-caused-by-royal-inbreeding/peterdugre?ref=browse_list
Përshtatur nga TIRANA TODAY