Përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, ka zhvilluar një darkë pune në Shkup me kryeministrat e vendeve të Ballkanit. Aty ishin të pranishëm kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ai i Maqedonisë, Zoran Zaev, ai i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiç.
Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e kryeministrit Kosovës thuhet se Haradinaj ka deklaruar me këtë rast se “Kosova ka shënuar progres në shumë procese të rëndësishme, të nevojshme për integrimin e vendit në familjen evropiane dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj”.
“Është një proces i gjatë për të cilin jemi të përkushtuar si Qeveri, andaj është e rëndësishme që kjo të vlerësohet dhe Kosova duhet ta marrë liberalizimin e vizave. Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe me të drejtë pret që çështja e vizave të jetë çështje javësh ”, theksoi Haradinaj.
Forcimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe rruga evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas komunikatës, ishin temat tjera që u diskutuan në këtë darkë pune me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor.