Projekti i fiskalizimit, i njoftuar nga qeveria në fund të korrikut, është aktualisht në fazë konsultimi, çka ka nxjerrë në pah pikëpyetjet e para të tij dhe aspektet e paqarta që kanë nevojë për rishikim në draft. Grupet e interesit të përfshira në proces janë të një mendimi sa u përket përftimeve nga projekti.
Por ato ngrenë si shqetësim afatin e shpejtë me të cilin biznesi do të duhet të ambientohet me kërkesat e reja, problematikën e kostove të shtuara, që për disa biznese mund të “thajnë” edhe atë pak fitim të tyre, sidomos tek të vegjlit apo zgjidhjet teknike për raste specifike, ku zbatimi duket i pamundur.
Nga Nertila Maho
Në gusht të vitit 2018, Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit, hapi një tender për një sistem ku përfitues i drejtpërdrejtë do të ishte Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Në atë kohë, ky sistem që do të ngrihej, u njoh si Sistemi i Menaxhimit dhe Kontrollit të Faturave. Disa muaj më pas, këtë tender e fituan kroatët. Në atë kohë, fondi limit për ngritjen e sistemit u llogarit 15 milionë euro, por atëherë nuk u kuptua qartë se çfarë ishte ky projekt dhe sistem.
Një vit më pas, në fund të korrikut të këtij viti, qeveria njoftoi atë që po lakohet si reforma e fiskalizimit. Është i njëjti sistem, tashmë i ngritur nga kroatët e NEOS, dhe që pritet që në janar 2020 të bëhet funksional për fazën e parë që lidhet me transaksionet me para në dorë mes konsumatorit dhe biznesit. E teksa sistemi është gati, ajo që duhet të miratohet për ta bërë atë funksional është pjesa ligjore. Aktualisht, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nisur diskutimet e draftit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, për të marrë edhe mendimet e grupeve të interesit, ku në pah kanë dalë një sërë pikëpyetjesh lidhur me mënyrën sesi është konceptuar ky projektligj.
Grupe të ndryshme interesi kanë parashtruar pikëpyetje të ndryshme, në një përpjekje për të bërë korrigjime ose qartësime në draft, që pas konsultimeve dhe reflektimit të mundshëm të ndryshimeve, pritet të miratohet në muajin tetor. Të parët që ngritën siparin e konsultimeve ishin kontabilistët, ndërkohë që më pas kjo vijoi me përfaqësuesit e Shoqatave të Teknologjisë së Informacionit.
Kontabilistët, çfarë duhet të saktësohet që në fillim lidhur me fiskalizimin
Kontabilisti Artan Alia, një ndër përfaqësuesit e pranishëm edhe në takimin e konsultimit me Ministrinë e Financave për projektin e fiskalizimit, nënvizon se projekti në vetvete është një hap pozitiv. “Draftin e shoh pozitiv, pasi sa më shumë teknologji të kemi, aq më pak ka kontakte me korrupsionin, aq më pak ka ndërhyrje në profesion nga informaliteti”, – shprehet Alia. Sipas tij, ky draft paraqet mundësi pozitive për kontabilistët, falë përfshirjes së konceptit të faturës elektronike.
“Së pari, kontabilisti nga Analog kthehet në Dixhital, dhe kryen Konsulentin Dixhital.
Së dyti, administrojnë faturën dhe kontabilizimin e saj në mënyrë direkte online.
Së treti, reduktohet koha e pritjes së klientëve për grumbullimin e dokumenteve në letër, sistemimit dhe regjistrimit të tyre, koha e kërkimit të faturave të munguara apo dublikatave të tyre, arkivimi i faturave, koha telefonike për kërkimin e faturave, dorëzimi i faturave të klientit”, – nënvizon ai.
Gjithsesi, në thelb, sipas Alisë mbeten ende çështje që draftligji nuk i trajton dhe për të cilat duhet të jepet informacion nga strukturat përkatëse. Për shembull, një detaj i tillë është se çfarë duhet të kenë gati bizneset përpara se të regjistrohen në sistem. “A duhet të kenë të gjithë subjektet artikujt me kode të njëjta sipas: 1) kodit të nomenklaturës së mallrave doganore ; 2) bar-kodeve apo ndarje tjetër. A duhet deklaruar në platformë para fillimit të lëshimit të faturave, gjendja e inventarit sipas kodeve të artikujve të unifikuar?
Për subjektet që nuk kanë mallra, por kanë vetëm shërbime, a duhet të deklarojnë kodet e shërbimeve? Për subjektet prodhuese, a duhet të deklarojnë kodet e produkteve dhe gjendjet e inventarit? Për subjektet prodhuese, a duhet të deklarojnë normativat e materialeve për produktet e prodhuara? Për bar-restorantet a duhen deklaruar Recepturat? A e kontrollon dhe e nxjerr platforma gjendjen e inventarit”, parashtron Alia si çështje të tjera që kanë nevojë për sqarim.
Pagesat me karta krediti e çeqe, si do të trajtohen
Për kontabilistët, drafti aktual, edhe pse sjell risi pozitive në mënyrën sesi do të monitorohet qarkullimi dhe konceptin e faturës elektronike, ka disa aspekte që duhet të rishihen me vëmendje nga hartuesit. Për Artan Alinë, të tilla janë disa pika në nenin 3 ku, së pari, është ajo mbi përcaktimin se çfarë quhet pagesë me para në dorë.
“Pagesa me para në dorë, sipas ligjit, është pagesë për mallrat ose shërbimet e kryera me kartëmonedha ose monedha, të cilat konsiderohen mjete pagese në përputhje me legjislacionin e fushës dhe, për qëllim të këtij ligji, përfshijnë edhe kartat e debitit, kreditit dhe çeqet. Pyetja këtu është nëse subjekti shet me vlerë 100.000 lekë vetëm me kartat e debitit, kreditit dhe çeqet, çfarë do të derdhë në fund të ditës në bankë. Pra mjetet e mësipërme nuk janë mjete pagese me para në dorë”, – thekson ai.
Po kështu, lidhur edhe me përcaktimin e termit “vendi i ushtrimit të veprimtarisë” që sipas ligjit, konsiderohet një ose më shumë ambiente të një vendndodhje biznesi, në të cilën i njëjti tatimpagues që duhet të lëshojë faturë në përputhje me këtë ligj, ushtron veprimtari të ndryshme, të cilat i deklaron sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi dhe, për qëllime të zbatimit të procedurës së fiskalizimit, mund të konsiderohen vende të veçanta të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit. Në këtë kontekst, kontabilistët nënvizojnë se ka nevojë për sqarim nëse duhet të pajisen me NIPT-e sekondare vendet e veçanta të mësipërme?
“Një vendndodhje biznesi, supermarket apo hipermarket, mund të ketë aktivitete si tregti ushqimore, industriale, restorant, të cilat kanë kode të ndryshme NVE 2, do të duhet të ketë NIPT-e sekondare, kjo sjell që për çdo vend të veçantë, Taksa Bashkiake të veçanta”, – sqaron Alia. Sipas draft-ligjit për qëllim të monitorimit të lëvizjes së mallrave, për të cilat është lëshuar fatura shoqëruese, sipas pikës “c”, të këtij neni, do të konsiderohet si vendndodhje e biznesit çdo dyqan apo vend ku mallrat janë magazinuar dhe merren për transport.
“Një biznes që ka disa magazina brenda ndërtesës, a duhet të marrin NIPT-e sekondare dhe të paguajnë taksa bashkie më vete? Një faturë shoqërimi lëshohet dhe në rastin kur mallrave u kryhet një shërbim, pra lëvizin nga subjekti A në subjektin B për të kryer shërbimin. A duhet që te subjekti A të regjistrohen NIPT-e sekondare për kohën që mallrat qëndrojnë në subjektin B apo para fillimit të lëvizjes në drejtim të subjektit B?” shprehet Alia.
Kostot e fiskalizimit, ende nuk ka asgjë të qartë sa do t’i kushtojë biznesit
Që në deklarimin e projektit, qeveria do të nënvizonte se fiskalizimi do të ketë disa kritere që duhet të përmbushen nga bizneset, për ta bërë funksional sistemin e raportimit. Platforma kyçe, tashmë është gati, ndërkohë që i takon biznesit që të regjistrohet në të dhe kusht i parë është ai i firmës dixhitale miratuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e cila ka një kosto 4000 lekë në vit dhe më pas plotësimi, sipas nevojës, i pajisjeve harduer dhe softuer.
Në një fazë të hershme, Ministria pranoi se një pjesë e kasave mund të mos përshtaten me funksionalitetet e reja që kërkohen nga platforma e re e monitorimit të qarkullimit, ndaj biznesit mund t’i duhet të bëjë zgjedhje alternative. “Të gjithë ata që nuk do të duan të përdorin një kasë, ekziston mundësia e kompjuterit dhe telefonave celularë. Ne do të negociojmë me kompanitë e prodhimit të softuerëve që të krijojnë një të tillë, për sistemin e ri fiskal, i cili do t’i vihet në dispozicion biznesit.
Këto kompani do të mund të licencohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me miratimin edhe të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe synimi është që të kemi një treg të hapur. Përmes protokollit që do t’ju japin ne, ata do të krijojnë këtë softuer dhe do t’ua ofrojnë biznesit. Ideja është që duke hapur tregun dhe duke pasur sa më shumë kompani në treg, ne të arrijmë në një çmim tavan mes 60 dhe 80 euro pagesë në vit për softe. Ai do të mund të shkarkohet si aplikacion në një smartphone dhe fatura të printohet nëpërmjet një printeri fiskal”, – do të deklaronin nga Financat.
Lidhur me kostot, edhe grupi i kontabilistëve në takimin konsultativ ngritën pikërisht këtë problematikë. “Sistemi fiskal, pra platforma, na informuan që do të mbulohet nga buxheti i shtetit ndërsa të tjerat, si zgjidhja softuerike apo sistemi i komunikimit, janë kosto të reja për subjektet”, – nënvizon kontabilisti Alia.
Së pari, sipas tij, mbetet e paqartë nëse pajisja elektronike e faturimit do të jetë një kosto ekstra, nëse pajisja elektronike për lëshimin e faturës shoqëruese me memorie fiskale për regjistrimin e të dhënave fiskale në faturat shoqëruese do të ketë kosto shtesë, nëse do të ketë kosto edhe printeri fiskal për lëshimin e faturave nëpërmjet pajisjes elektronike të faturimit, ose për lëshimin e faturës shoqëruese, në rast se printeri fiskal nuk është pjesë e pajisjes elektronike të faturimit.
Si kosto potenciale shihet çdo pajisje elektronike (kompjuter, telefon celular etj.) që përdoret për të përpiluar dhe për të lëshuar fatura për shitjen e mallrave dhe për të ofruar shërbime për pagesa që kryhen pa para në dorë apo zgjidhja softuerike bashkë me sistemin e komunikimit ndërmjet tatimpaguesit dhe administratës tatimore nëpërmjet rrjetit të sigurt për transferimin elektronik të të dhënave nëpërmjet internetit. Në finale është edhe nënshkrimi elektronik që përcaktohet në përputhje me ligjin “Për nënshkrimin elektronik” dhe ligjin “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, që edhe ai mund të paraqesë kosto.
Faturimi, tatimpaguesit që përjashtohen nga ky detyrim
Draft-ligji që aktualisht është në tryezën e konsultimit, edhe pse është përpjekur të jetë gjithëpërfshirës, duket se ka ende hapësira që nuk i mbulon. Kontabilistët vlerësojnë se në të nuk janë përfshirë individët që merren me grumbullimin e mbetjeve, individët që shesin produkte bujqësore pa titull “fermeri” të regjistruar, apo individët që bëjnë shitje të rastësishme. “Në këto raste, ligji i Procedurave Tatimore, Neni 53, ka parashikuar ‘Faturë të përgatitur nga blerësi’, jo vetëfaturim – ligji i TVSH-së.
Po kështu, në nenin 9 ku paraqiten të dhënat e përgjithshme të faturës, në pikën 1 thuhet: Fatura e lëshuar përpilohet në formën e caktuar nga ministri përgjegjës për Financat dhe përmban, të paktën, informacionin e mëposhtëm: germa “e” iii.person që blen pronë personale me vlerë individuale mbi 500 000 lekë. Ligji i TVSH-së lejon deri në 40.000 lekë, të mos lëshojë faturë për individët, mendoj që nuk rakordon shifra e mësipërme me ligjin.
Përveç informacionit të përmendur në pikën 1, të këtij neni, kur fatura lëshohet nga blerësi për furnizimin e marrë nga furnizuesi, në faturën e lëshuar duhet të shkruhet “Vetëfaturim”. Në këtë rast, është e detyrueshme të përfshihet në faturë edhe informacion me numrin unik të identifikimit, emrin tregtar/emrin, mbiemrin dhe adresën e shitësit. Mendoj që duhet të jetë dhe opsioni ‘Faturë e Përgatitur nga Blerësi Ligji 9920 Neni 53. Po kështu ka edhe një tjetër paqartësi. Po në rastet kur fatura ka dhe kompensimin e shpenzimit sipas Ligjit dhe Udhëzimit të Ministrit të Financave të TVSH-së si do të realizohet?”
Të dhënat shtesë për faturën elektronike
Në nenin 10 të ligjit që ndalet tek të dhënat shtesë për faturën elektronike, kontabilistët vlerësojnë se ka nevojë për qartësim në pikën “ç”, ku nënvizohet pjesa e të dhënave të dorëzimit. Ajo që ngrihet si çështje është nëse duhet të bashkëngjitet Fletë-Dalja e shitësit apo Fletë Hyrja e blerësit. Në nenin 14, ku jepen detaje për regjistrimin e vendit të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit dhe pajisjeve elektronike e faturimit, në germën “h” përcaktohet se duhet të jepet emri i ofruesit të lidhjes elektronike (internetit). Kontabilistët vërejnë se në këtë pikë ka nevojë për më shumë qartësim, duke sjellë si rast atë të një qendre tregtare. “Në një qendër tregtare, subjekti qiradhënës ka ofruar dhe internetin në çmimin e kontratës. Duhet saktësuar se cili duhet të jetë ofruesi i shërbimit: kompania e internetit apo qiradhënësi”.
Zbatimi i procedurës së fiskalizimit të faturës
Në nenin 20, ku sillet në vëmendje fiskalizimi i faturës, kontabilistët vlerësojnë se pika 2 e këtij neni, ku thuhet se administrata tatimore kontrollon nëse janë dërguar të gjitha elementet e përcaktuara të faturës, nëse ajo është e nënshkruar elektronikisht, sipas nenit 19 të ligjit, dhe kryen kontrolle të tjera mbi saktësinë e faturës, ka nevojë për më shumë detaje. Këto lidhen me faktin se çfarë kontrollesh të tjera nënkuptohen, a janë kontrolle kontabiliteti.
“Nëse artikulli që tentohet të shitet është blerë më parë dhe ka apo nuk ka gjendje sipas inventarit kontabël? Do ta mbajë dhe inventarin kontabël platforma?”. Në pikën 6, subjektet e “vetëfaturimit” kanë detyrimin të zbatojnë procedurën e fiskalizimit në mënyrën e përshkruar në pikat 1 deri në 5, të këtij neni. Ajo që ngrihet si pikëpyetje nga kontabilisti Alia në këtë pjesë është po subjektet që përgatisin faturë të përgatitur nga blerësi si do të veprojnë?
Po kështu, në nenin 22, ku trajtohet procedura e veçantë për fiskalizimin e tatimpaguesve të klasifikuar si biznes i vogël, në pikën 2 thuhet se tatimpaguesi që lëshon faturë, faturat e referuara nën pikën 1, të këtij neni, duhet t’i printojë në letër dhe t’ia dorëzojë blerësit, ose t’ia dërgojë nëpërmjet postës elektronike, në dakordësi me të. “Vende përreth Shqipërisë, komunikimin e kanë me Postë Elektronike të Certifikuar. A ka mundësi që qeveria që ka platformën të ketë një Domein për të gjithë përdoruesit e regjistruar dhe të pajisë me postë elektronike të Certifikuar kundrejt pagesës, të gjithë subjektet e regjistruara në Platformë?
Detyrimi për depozitimin e parave në llogari bankare, ndikimet që mund të ketë
Një nga elementet më të debatuara të projektit të fiskalizimit është ajo e depozitimit të parave në llogaritë bankare. Eliminimi në maksimum i mbajtjes së parasë “cash” jashtë bankave, si një formë që mund të jetë shprehëse e evazionit apo informalitetit ka bërë që në draft-ligj të përfshihen disa pika që detyrojnë bizneset të depozitojnë në fund të çdo dite paratë në llogari.
“Në nenin 37, pika 1, thuhet se tatimpaguesi që lëshon faturë detyrohet që paratë që ka grumbulluar gjatë ditës mbi çfarëdo baze, që tejkalojnë nivelin e caktuar maksimal të arkës, në përputhje me nenin 38, të këtij ligji, t’i depozitojë në llogarinë bankare në të njëjtën ditë, dhe jo më vonë se ditën e ardhshme të punës. Kështu një biznes mund të mbajë para kesh (kartëmonedha dhe monedha), në fund të ditës së punës, deri në shumën maksimale të arkës.
Shumën maksimale të parave kesh e përcakton tatimpaguesi që lëshon faturë, në mënyrë të pavarur, duke nxjerrë një akt të brendshëm, në përputhje me nevojat dhe kushtet e sigurisë, por kjo nuk mund të jetë më shumë se maksimumi që përcakton projektligji. Por cilat janë limitet e arkës sipas tij? “Tatimpaguesi që lëshon faturë, mund të caktojë shumën maksimale të parave kesh në arkë, në mënyrën e mëposhtme: a) tatimpaguesit me qarkullim vjetor në vitin e kaluar deri në 2 milionë lekë deri në 50 000 lekë; b) tatimpaguesit me qarkullim vjetor mbi 2 milionë deri në 14 milionë lekë deri në 300 000 lekë; c) tatimpaguesit me qarkullim vjetor mbi 14 milionë lekë deri në 800 000 lekë” thuhet në projektligj.
Për kontabilistët, pavarësisht efektit pozitiv që ka caktimi i limiteve të arkës dhe futja në sistem e parasë, në horizont mund të shfaqen rreziqe për bizneset e vogla persona fizikë, siç mund të jenë së pari vendosja e tarifave nga bankat për arkëtimet ditore. Kjo tashmë është njoftuar nga të paktën një bankë, por në finale të gjitha duket se do të shkojnë aty, pasi vetë bankave u rriten kostot. Së dyti, është humbja e kohës çdo ditë për të arkëtuar apo për të tërhequr para nga llogaria.
Së treti, edhe pse duket një risk hipotetik, kontabilistët vlerësojnë se kjo situatë ekspozon biznesin më shumë ndaj rreziqeve të vjedhjeve. Individë të caktuar që kryejnë këto lloj aktivitetesh të jashtëligjshme, duke pasur dijeni për shumën që mund të qarkullojë një biznes dhe gjendjen në kasë, mund ta vjedhin atë.
Së katërti, sipas kontabilistëve personat fizikë kanë dhe biznesin dhe banesën në të njëjtin vend, për anëtarët e papaguar të familjes dhe për nevojat e jetesës tërheqin para nga arka ose i marrin nga shtëpia të ardhurat e biznesit të kursyera në vit dhe i përdorin për pagesa furnizimi ose të kundërtën.
Së pesti, kontabilisti Alia vlerëson se nëse kursimet e biznesit janë më shumë se 2.500.000 lekë të reja dhe me ligj detyrohet t’i depozitojë në bankë private, atëherë duhet që dhe certifikata e sigurisë e bankave të jetë me vlerë mbi 2.5 milion lekë, ose të kemi një bankë shtetërore që ka siguri 100%. Në nenin 38, ku përcaktohet limiti i arkës dhe shprehimisht në pikën 5, thuhet se tatimpaguesi që lëshon faturë, i cili kryen transaksione këmbimi monedhe, pavarësisht nga dispozitat e pikave 2, 3 dhe 4, të këtij neni, mund të përcaktojë maksimumin e arkës deri në shumën prej 1 700 000 lekë, kontabilistët vlerësojnë që ky limit është shumë i vogël për këtë kategori.
“Kudo që përdoret paragrafi ‘përdorin aplikacionin në ueb certifikuar (Cloud)’ i detyrueshëm sipas këtij projektligji, duhet të informohemi nëse aplikacioni është në një Server jashtë Shqipërisë, shitjet apo blerjet bëhen në këtë server, a lind e drejta e një administrate tatimore të huaj që të tatojë subjektet e këtij ligji për të ardhurat e krijuara?”, nënvizon Alia./Monitor