Në Berlin Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas priti sot homologun shqiptar Ditmir Bushati për diskutime mbi ambicjet evropiane të shteteve të Ballkanit. Një muaj më parë, qeveritë e Bashkimit Evropian e shtynë me të paktën një vit vendimin për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas tha se zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor është në interesin strategjik të bllokut.
“Nëse nuk e bëjmë këtë, atëherë të tjerët si Kina dhe Rusia do të forcojnë influencën e tyre në rajon. Kam bindjen e plotë se popujt e Ballkanit Perëndimor dëshirojnë të jetojnë sikurse ne në Bashkimin Evropian, jo si popujt në Rusi dhe Kinë. Prandaj është një çështje e rendësishme për Bashkimin Evropian.”
Nga ana e tij, shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati tha se perspektiva evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor është jetike për përmirësimin e marrëdhënive në rajon, por do të shërbejë edhe për stabilitetin e jashtëm dhe të brendshëm, kryesisht për reformat në sektorin ekonomik.
“Besojmë se mbështetja e njëzëshme e Gjermanisë për të gjitha vendet në rajon, duke filluar nga Shqipëria, shton vlerat për stabilitetin në rajon, duke patur në mendje reformat dhe kryesisht drejtësinë dhe sektorin ekonomik. Kjo do të çojë tek një klimë më e mirë për investitorët dhe marrëdhënie më të mira fqinjësore në rajon.”
Bashkimi Evropian ka filluar procesin e vlerësimit analitik të Maqedonisë dhe Shqipërisë në përgatitje të hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor të vitit të ardhshëm. Një muaj më parë, qeveritë e bllokut e shtynë me të paktën një vit vendimin për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë pasi Franca dhe Holanda këmbëngulën për më shumë reforma për goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.