Minatorët kanë protestuar paraditen e sotme para Kryeministrisë, me një qëllim të vetëm: Të përfitojnë sa më parë statusin e minatorit. Ata thërrisin së bashku në kor “diktaturë”, “diktaturë”, e të pajisur me megafon, kanë thënë se janë të vendosur në kërkesat e tyre.
Në një video të siguruar për “BalkanWeb” , një prej minatorëve ka një thirrje të veçantë për kryeministrin. “Timonin ta dhamë, apo na e more bravo të qoftë, merr edhe fyellin po ta kujtoj prapë, vetëm ndërro melodinë dhe poezinë: Na jep me shpirt emrin status se minatorët largohen që sot”, ka thënë Agim Rryta, minator i Valiasit, dhe një nga iniciatorët e sindikatës së Valiasit në 1991.
“Dil e thuaj vetëm një fjalë, a e meritojnë këto njerëz statusin e minatorit? Dil e thuaj cila është arsyeja që ju nuk e pranoni? Ta them unë, i keni dhënë të gjitha minierat me koncesion”, thotë ai më pas.
Paralajmërimi i minatorëve është i qartë: nuk do të largohen nga Kryeministria pa siguruar miratimin e statusit te tyre. Ata shprehen se do t’i japin fund protestës, vetëm nëse kërkesat e tyre marrin zgjidhje përfundimtare brenda 2 javëve të ardhshme.