Ansi Nika, një shkodran te Laçi, luante kundër Vllaznisë. Erion Vucaj (e nisi nga stoli) dhe Olsi Gocaj, dy shkodranë të bardhezinjve deri dje, riktheheshin në Laç si kundërshtarë. Pak a shumë edhe vetë trajneri Armand Cungu kishte njëlloj rikthimi, sepse provoi të fitojë Kupën e Shqipërisë në stolin e kurbinasve. Gentian Mezani debutoi sot me fitore si “timonier” i Laçit, i ardhur nga Vlora në vend të të dorëhequrit Stavri Nica. Udhëtuesve u mungonte sulmuesi Atsina, i dëmtuar, kështu që nga fillimi starton Andi Ribaj. Fieraku ka rastin e artë për të shënuar në minutën e 6-të, teksa i kap vendësit në kundërsulm, por godet shumë keq përballë portierit Selmanaj. Kundërpërgjigjia e Laçit është e menjëhershme. Pas një goditje këndi, pa shkuar akoma minuta e 10-të, topi gjen Fangaj përballë Selimajt, por shkodrani bardhezi nuk godet dot, sepse topi i hiqet nga këmbët nga Orelesi. Dhe vjen minuta e 21-të: Kejvi Bardhi nis një pasim të gjatë për te Uzuni, por sulmuesi beratas godet trupin e një mbrojtësi shkodran, mbi vijën e zonës së 16-metrave. Topi shkon në formë “spondi” në këmbët e 19-vjeçarit Xhixha, që godet tokazi dhe e dërgon në rrjetën e Vllaznisë.
Minutat në vazhdim të pjesës së parë janë me lojë të hapur, me reagim të Vllaznisë, por Selmanaj e mban portën e tij të paprekur. Pjesa e dytë është më këmbëngulëse për shkodranët, që nuk pajtohen me disavantazhin, ndërsa vendësit mbrohen mirë dhe dalin nga krahët rrezikshëm. Në minutën e 59-të vjen goli i dytë për kurbinasit. Nika, nga e djathta e sulmit, fut një top në formë goditjeje në zonën e portës mike. Portieri Selimaj nuk e zotëron dot topin, që përplaset në trupin e Pjeshkës dhe që aty shkon drejt vijës fatale. Aty gjendet Xhixha, që vetëm sa e shtyn për në rrjetë. Cungu bën zëvendësime në formacion, duke hedhur në lojë Tafilin dhe Vucajn, por të tijtë janë goditur në momentin e tyre më të mirë. Disavantazhi tashmë është dekurajues për kuqeblutë, ndërkohë që Mezani dhe bardhezinjtë nuk lëshojnë fare terren, luajnë me pasion dhe vendosmëri, duke marrë tri pikët e para në shtëpi për këtë kampionat. Laçi kishte 3 pikë, të fitores në transfertë me “demat e kuq”, ndërsa pas këtij “stacioni” të garës ngjisin shkallë në renditje, me 6 pikë. Vllaznia mbeti në kuotën e 4 pikëve, të një fitoreje ndaj lushnjarëve dhe barazimit pararendës në Gjirokastër. /Tirana Today/