Teksa është takuar me vajza dhe gra, të njësisë 7, në Tiranë, kryetari i LSI-së ka shfrytëzuar rastin për t’i dhënë sërish një mesazh aleatit të tij, Ramës.
Meta u shpreh se klasa politike duhet të ndryshojë kulturën dhe të mos ketë prioritet egon personale, duke thumbuar kështu Ramën.
“Paqja sociale fillon te familja dhe pastaj në shoqëri dhe kudo. Politika shqiptare ka nevojë për një transformim thelbësor, që ka të bëjë me kulturën e tyre. Kultura që ne duam është e një klase politike që punon me përgjegjësi. Synon të mirën publike dhe vë disa prioritete mbi egon individuale apo partiake, në interes të vendit”, tha Meta.
Situata mes dy liderëve aleatë të qeverisë është mjaft e tensionuar për shkak të bojkotit të opozitës, që ka pasuar me vendime të ndryshme të Ramës dhe Metës. Ky i fundit është shprehur se zgjedhjet nuk do të zhvillohen pa opozitën.