Presidenti i Republikës, Ilir Meta është shprehur sot se kryeministri Edi Rama i ka sjellë dorëheqjen e zotit Ajazi, bashkë me kërkesën e tij për lirimin e zotit Ajazi. Në një intervistë për “Syri.net”, Meta ka thënë se ka dekretuar shkarkimin e kreut të SHISH, Visho Ajazi, por u shpreh se ka akoma kohë që të emërojë shefin e ri.
Presidenti ka sqaruar se nuk ka marrë asnjëherë kërkesë nga kryeministri Rama për shkarkimin e tij.
Gjithashtu, Meta i është përgjigjur kërkesës së bërë nga paraardhësi i tij Nishani, për publikimin e një fjalimi të mbajtur për çështjen e drogës nga ana e Metës në kohën kur ishte kryetar Kuvendi.
Ish-presidenti Nishani është shprehur se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Meta ka mbajtur një qëndrim dinjitoz, ku takimi ishte thirrur nga Nishani në atë kohë. Iu ka bërë thirrje që të deklasifikohet ky informacion dhe se Presidenti Meta që publikojë fjalimin e ish- kryeparlamentarit Meta mbajti në këtë takim.
Pjesë nga intervista e Ilir Metës
Po e filloj më zhvillimin kryesor të ditës së djeshme, shefi i SHISH, VishoAjaziLika ka dhënë dorëheqjen. A ka dekretuar presidenti Meta dorëheqjen e tij?
Për të shuar kuriozitetin tuaj para se të nisesha për në studion tuaj kam firmosur dekretin për lirimin nga detyra të Drejtorit të SHISH-it, z. VishoAjazi pas dorëheqjes së tij.
Po dekretin e emërimit në detyrë të njeriut të propozuar nga Kryeministri Rama a e keni firmosur?
Nuk ka asnjë emergjencë për arsye të faktit që Zv.Drejtori i SHISH-it vazhdon detyrën.
Kur jeni njohur realisht me dorëheqjen e shefit të Shërbimit Informativ dhe a ka pasur ai garancinë tuaj se, në rast se Kryeministri Rama i bën presion për të dhënë dorëheqjen ju do ta mbronit?
Së pari, unë në natyrën time gjithmonë në krye të institucioneve kam respektuar parimin e vazhdimësisë dhe në rastin konkret, aq më tepër që bëhet fjalë për një institucion të një rëndësie të veçantë dhe për sigurinë kombëtare, kam qenë i bindur që vazhdimësia gjithmonë është pozitive, është e rëndësishme në këto lloj institucionesh.
Për pyetjen tuaj më konkrete, mund t’ju them që vetëm një javë më parë e kam siguruar z. Ajazi që ai do të kishte përkrahjen time të plotë si President i Republikës për të vazhduar detyrën e tij, gjithmonë duke u përqendruar me përkushtim në luftën kundër terrorizmit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe natyrisht në përmbushje të detyrave të tjera që ka Shërbimi Informativ. Dhe ai më ka falënderuar për besimin. Kjo ka qenë thjesht për të konfirmuar një vazhdimësi, duke pasur në konsideratë edhe komentet e ndryshme mediatike që janë të zakonshme.
Ju po thoni se z. Ajazi para një jave ka marrë garancinë tuaj se do të vazhdojë në krye të SHISH-it…..?
Jo vetëm kaq, por edhe i kam konfirmuar që publikisht kur ta kisha një mundësi për t’u shprehur do të bëja qëndrimin tim publik në këtë drejtim, jo thjesht për z. Ajazi, pasi këtë garanci, mbështetje e ka pasur, por më shumë sa i takon efektivit të shërbimit informativ në terren në mënyrë që ata të vazhdonin detyrat e tyre sipas ligjit.
Të jemi më konkret, ju po thoni se ishit i gatshëm të firmosnit dekretin e dorëheqjes, por jo të shkarkimit të tij? A do të firmosnit një shkarkim në rast se do t’ua kërkonte z. Rama dhe nuk do të kishte një dorëheqje?
Së pari, dua t’u them se z. Rama nuk ma ka kërkuar një gjë të tillë. Për herë të parë i vetmi kontakt me z. Rama për këtë çështje ka qenë dje, kur ai më ka sjellë dorëheqjen e z. Ajazi bashkë me kërkesën e tij për lirimin e z. Ajazi.
Dorëheqjen e ka sjellë z. Rama te ju apo e ka sjellë z. Ajazi në Presidencë? Me sa di unë sipas Kushtetutës, shefi i SHISH-it dorëheqjen e paraqet fillimisht te Presidenti i Republikës…
Nuk dëshiroj të hyj në këto lloj modalitetesh, por nuk ka më asnjë rëndësi të harxhojmë edhe një minutë të vetme për këtë çështje, pasi është dekretuar tashmë lirimi i z. Ajazi nga kjo detyrë dhe ky ka qenë vullneti i tij. Nuk mund të mbahet askush në detyrë edhe një sekondë të vetme përtej vullnetit të tij.
Gjithsesi, mediat kanë aluduar se edhe në kohën kur z. Ajazi drejtonte SHISH-in ju jeni përgjuar z. Meta. Nuk i keni besuar aludimeve të mediave apo pavarësisht kësaj ju ishit i gatshëm ta mbronit z. Ajazi?
Së pari, unë nuk nisem në përmbushjen e detyrave të mia, aq më tepër të kësaj detyre kaq të lartë kushtetuese nga histori mediatike, nga të vërteta, nga të pavërteta dhe nga raporte personale të së kaluarës. Unë që nga 24 korriku i këtij viti shoh vetëm përpara të paktën për pesë vitet e ardhshme dhe në këtë drejtim për mua interes ka pasur dhe ka që ky institucion të përmbushë sa më mirë detyrën e tij, që padyshim mund ta kishte përmbushur edhe shumë më mirë se deri tani, aq më tepër kur vendi është vendosur në një pozicion jo të favorshëm për çështjen e trafiqeve dhe sidomos të trafikut të kanabisit apo të drogës.
Nuk mendoj se lufta kundër këtij fenomeni është një luftë që nuk ka pasur një angazhim dhe një përkushtim të SHISH-it, patjetër. Por të gjithë ata që mendojnë, meqenëse ju iu referuat burimeve mediatike, që ka qenë ky angazhim që mund të ketë sjellë këtë situatë, është gabim. Sepse të gjithë e dimë që këto probleme janë bërë të ditura në mediat më të njohura ndërkombëtare në BBC, në ARD, në televizionet e njohura franceze. Nuk po flasim për ato italiane dhe padyshim që është një problem që mendoj se ekzagjerohet në këtë rast.
Pra nuk ju ka shqetësuar ideja se mund të jeni përgjuar nga z. Ajazi?
Mua më jep kënaqësi çdo lloj ideje e këtyre përgjimeve aq më tepër kur bëhet fjalë për rastin konkret, në rast se ju do t’i konsideronit bisedat me Narin si përgjime shqetësuese.
U shprehët pak më parë se para një jave ish-shefi i SHISH-it ka qenë në zyrën tuaj dhe i keni garantuar mbështetje të plotë….
Ai ka pasur mbështetjen që nga momenti i parë që ne jemi takuar, për arsye se kur takohesh me një drejtues institucioni do t’i shprehësh një mbështetje, por para një jave e ka pasur të konfirmuar edhe më shumë për arsye sepse qarkullonin shumë biseda apo thashetheme siç ndodh rëndomtë, që do të ndërrohet apo nuk do të ndërrohet, dhe për t’i dhënë këtë mesazh mbështetjeje dhe sigurie që të vazhdonte punën.
A ju la të kuptonte z. Ajazi se do të jepte dorëheqjen?
Jo, asnjëherë nuk më ka lënë këtë përshtypje.
Dorëheqja e tij ka qenë një surprizë për ju?
Dorëheqja e tij ka qenë e papritur për shkak të bisedës së zhvilluar një javë më parë. Nuk ka rëndësi, por nuk më çudit shumë. Janë gjëra që ndodhin. Unë e respektoj vullnetin e cilitdo.
Sipas informacionit që kemi, arsyeja që Kryeministri Rama i ka bërë presion shefit të SHISH-it për të dhënë dorëheqjen është se, me ndryshimet e reja në kodin e procedurës penale, informacionet e SHISH-it mund të administrohen si provë në gjykatë. Nuk ka qenë më parë kjo praktikë. Kjo është arsyeja sipas meje që z. Rama i ka kërkuar me do kusht largimin…
Unë nuk mund të konfirmoj, sepse dorëheqja e z. Ajazi është paraqitur si rezultat i vullnetit të tij. Nëse ju doni të nënkuptoni që ekziston një vullnet për të manipuluar SHISH-in, që ai gjithashtu të manipulojë prova apo të dhëna të cilat keqpërdoren, mendoj që kjo është shumë e gabuar.
Pse e dekretuat dorëheqjen e tij pa e takuar më parë z. Ajazi për ta pyetur se çfarë ndryshoi brenda një jave?
E kam takuar dje z. Ajazi, para se vinte Kryeministri Rama në zyrën time.
A e pyetët se çfarë ndryshoi për një javë?
Jo, nuk kam dashur të hyj në detaje, ka qenë vullneti i tij, unë do të respektoj vullnetin e tij dhe cilitdo që mendon që nuk mund të përmbushë apo nuk ka më dëshirën për të qëndruar në atë detyrë. Askush nuk është i përjetshëm në funksione.
Pas largimi të z. Ajazi, opozita po akuzon se Kryeministrin Rama tashmë ka kapur çdo institucion. A ndjehet i shqetësuar Presidenti i Republikës?
Nuk jam këtu për të komentuar qëndrimet e opozitës e as të mazhorancës për çështje të caktuara. Nuk mund të komentoj dhe të bëhem pjesë e hamendjeve, supozimeve as e interpretimeve apo paragjykimeve të ndryshme. Unë jam për të mbështetur forcimin e institucioneve, pavarësinë e tyre dhe natyrisht që secila palë duhet të përmbushë detyrat e saj si qeveria dhe mazhoranca ashtu edhe opozita.
Kryeministri Rama ju ka lënë një emër në tryezë, ka propozuar Zv.Drejtorin e deritanishëm të SHISH-it për të zënë vendin e VishoAjazit. Por në fakt mediat kanë raportuar se ky zyrtar ka qenë një besimtar mysliman praktikant i rekrutuar në SHISH nga Bashkim Gazidede, më pas është larguar drejt Greqisë për disa vite, ka ndërruar emrin, është kthyer në Shqipëri. Është një propozim gjithmonë sipas medias, i ish-numrit dy të qeverisë, NikoPeleshi për të qenë në krye të SHISH-it. A është investuar Presidenti i Republikës për të investiguar mbi të shkuarën dhe CV-në e atij personi që do të jetë drejtuesi i Shërbimit Informativ?
Për të shuar kuriozitetin tuaj, nuk kam pasur mundësi as të lexoj këtë CV, që ju si gazetar pretendoni dhe nuk ka as ndonjë urgjencë për këtë çështje. Fakti që zotëria mban postin e Zv.Drejtorit tregon që është gjykuar i përshtatshëm nga autoritetet që e kanë propozuar dhe e kanë emëruar në këtë detyrë. Dhe njëkohësisht fakti që ky shërbim ka Zv.Drejtor është fakt pozitiv, sepse tregon që mund të vazhdojë të funksionojë. Sa i takon çështjes së dekretimit, sigurisht që nëse nuk mund të mbash dikë përtej vullnetit të tij asnjë minutë më shumë në një detyrë nuk ka asnjë arsye për t’u nxituar për të nënshkruar një dekret mendoj të rëndësishëm.
A ju paraqiti z. Rama një argumentim të propozimit të tij apo thjesht ua la emrin në tavolinë z. Meta?
Mendoj që ka bërë një propozim të arsyeshëm sipas detyrës dhe pozicionit të tij.
Po sipas Presidentit Meta?
Sigurisht që është tepër herët.