Presidenti i Republikës, Ilir Meta shprehet se çkapja e shtetit është nevojë ulëritëse për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe për të ndalur shpopullimin e saj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta iu rikthye vendimit të tij të sotëm për kthimin e ligjit që zgjat afatin e koncesionit të aeroportit “Nënë Tereza” me 13 vjet.
Kreu i Shtetit e cilësoi procedurën e kryer në shkelje flagrante të ligjit dhe të Kushtetutës.
Për Metën, kjo është dëshmi se kryeministri Edi Rama ka kapur çdo pushtet, ndaj dhe ai i bën thirrje deputetëve që të reflektojnë për këtë koncension.
”Çkapja e shtetit është nevojë ulëritëse për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe për të ndalur shpopullimin e saj.
Demokracia është kontrolli i sovranit mbi të zgjedhurit dhe jo zgjedha e oligarkisë mbi qytetarët dhe dhunimi i të drejtave të tyre kushtetuese.
Dëshmova sot përballë qytetarëve të Republikës një rast flagrant të kapjes së shtetit nga sekti në pushtet me urdhër të Kryeoligarkut në pushtet, që ka kapur çdo institucion publik dhe tmerrohet nga zgjedhjet e lira dhe rivendosja e llogaridhënies demokratike.
U bëj thirrje të gjithë deputetëve të reflektojnë për këtë koncesion sa më parë’’, shkruan Meta në rrjetin social, Facebook.