Presidenti Trump, ka mbështetur një projekt-ligj të dy senatorëve amerikanë që parashikon heqjen e lotarisë amerikane si dhe reduktimin drastik të leje-qëndrimeve që u jepen qytetarëve të huaj. Në rast se kjo paketë gjen mbështetjen e Kongresit, mund të ulë me 50% numrin e emigrantëve të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara.
Dihet që prej fushatës së tij presidenciale se Donald Trump i ka shpallur luftë emigracionit të jashtëligjshëm. Megjithatë tashmë Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara ka mbështetur projekt-ligjin për kufizimin e emigracionit të ligjshëm, i cili është prezantuar nga dy senatorët republikanë, Tom Cotton dhe David Perdue. Në rast se kjo paketë do të mbështetet në Kongres, shifrat e masave migratore në Shtetet e Bashkuara mund të përgjysmohen në 10 vitetet e ardhshme, ndërsa është parashikuar që t’i jepet fund lotarisë amerikane si dhe të ketë kufizime drastike në dhënien e leje-qëndrimeve të përhershme.
Trump e ka konsideruar reformën si planin më të mirë që mund të ndërmarrë ShBA në më shumë se gjysmë-shekulli, dhe këtë e ka shprehur gjatë fjalimit të tij.
Por, projekt-ligji i dy senatorëve, pavarësisht mbështetjes së hapur nga Presidenti, është përballur me kundërshtimet e ashpra nga anëtarët e Kongresit amerikan, ndaj mundësitë e miratimit janë të pakta. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se gjithçka mund të ndodhë në rast se lideri aktual i Shtëpisë së Bardhë do të nisë një fushatë për të bindur senatorët e kampit të tij.
Paketa e dorëzuar në Kongres është pritur me kundërshtime të ashpra edhe nga një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve, të cilët nuk pajtohen me qëndrimet e Presidentit. Sipas tyre, masa të tilla ekstreme cenojnë rëndë parimet mbi të cilat janë ngritur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.