Media shtetërore e Koresë së Veriut ka deklaruar se presidenti i SHBA-ve Donald Trump, meriton dënim me vdekje sepse ofendoi liderin e vendit, Kim Yong-un.
Një editorial i botuar në gazetën e partisë në pushtet, Rodong Sinmun, e fokusoi zemërimin e saj në vizitën e Presidentit të SHBA-ve në Korenë e Jugut javën e kaluar, gjatë së cilës ai denoncoi “diktaturën mizore” të Veriut në një fjalim në Seul.
Vizita ishte pjesë e një turneu ku Trump vizitoi pesë kombe të Azisë, të cilat i nxiti kundër ambicies së Koresë së Veriut për armët bërthamore.
“Krimi më i keq për të cilin ai kurrë nuk mund të falet është se ai guxoi të dëmtonte dinjitetin e udhëheqjes supreme”, thuhej në editorial.
“Ai duhet ta dijë se ai është vetëm një kriminel i neveritshëm i dënuar me vdekje nga populli korean”, shtonte editoriali.
Anëtarët e dinastisë së Kim gëzojnë statusin e ngjashëm me vetë udhëheqësin në Korenë e Veriut, që ka treguar një ndjesi ekstreme ndaj çdo vërejtjeje që mund të shihet si tallëse ose mosrespektuese ndaj udhëheqjes.
Që kur u bë president, Trump është angazhuar në një luftë përshkallëzimi me Kim Jong-Un, duke shkaktuar betime personale dhe kërcënime për sulme ushtarake.
Sulmet midis udhëheqësve kanë ardhur në rritje tensionesh sidomos gjatë përpjekjeve të shtetit të Koresë së Veriut për të zhvilluar armë bërthamore.
Koreja e Veriut ka kryer një sërë testesh raketore balistike ndërkontinentale në muajt e fundit dhe ka shpërthyer atë që pretendonte të ishte një bombë hidrogjeni më herët këtë vit.
Në fund të turneut të tij në Azi, Trump përdori sarkazmën me udhëheqësin e Koresë së Veriut mbi gjatësinë dhe peshën e tij.
“Pse duhej të më ofendonte Kim Jong-Un duke më quajtur ‘plakush’, kur unë nuk do e quaja kurrë atë ‘të shkurtër dhe të shëndoshë’?”, shkroi Trump në Twitter.
Edhe lideri i Koresë së Veriut, i cili është 40 vjeç, e ka cilësuar Trump si një “matuf amerikan mendërisht të marrë”./ Burimi: The Telegraph, Përshtati: Tirana Today