Damian Gjiknuri ka reaguar për lajmin e hidhur të vdekjes së trajnerit të klubit të Flamurtarit në basketboll për femra. Viron Toska humbi betejën me COVID-19. Gjiknuri shpreh ngushëllimet për familjen, miqtë dhe të afërmit e ish-trajnerit.
Gjiknuri shprehet se Vlora humbi një qytetar model, e ndërsa vlonjatët humbën njeriun që me punën e suksesin e tij, i bëri të ndjehen krenar. Viron Toska humbi jetën në orët e para të mëngjesit të sotëm, teksa prej dy javësh ishte i intubuar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, në Tiranë.
Përpara një jave, Federata e Basketbollit do të bënte të mundur transportimin e Toskës drejt Turqisë, për një mjekim të specializuar, por futja në intubim e bëri të pamundur. Toska u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare.
Statusi
Me pikëllim mora lajmin se Viron Toska, trajneri rekordmen i klubit të Flamurtarit në basketboll për femra, humbi betejën me COVID-19.
Vlora humbi një qytetar model, vlonjatët humbën njeriun që me punën e suksesin e tij i bëri të ndjehen krenar edhe në momente të vështira ndërsa sporti shqiptar humbi një profesionist të klasit të parë.
Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të afërmit për ndarjen nga jeta të njeriut të tyre të dashur!