Është mbyllur seanca gjyqësore në Itali dhe Moisi Habilaj është dënuar me 15 vite, 5 muaj e 10 ditë burg nga Gjykata e Katanias në Itali.
Ai konsiderohet gjerësisht si kreu i bandës së Habilajve që trafikonte drogë dhe armë nga Shqipëria në drejtim të shtetit italian.
Raportohet se organi i akuzës kishte kërkuar 3 vite më shumë nga çfarë vendosi gjyqtarja Maria Cardillo.
Ndërsa nga ana tjetër për Naser Seitin, financierin e grupit, gjykata ka vendosur dënimin me 7 vite 4 muaj dhe 26 ditë burg, 1 vit më shumë sesa kishte kërkuar akuza.
Antonio Riela u dënua me 14 vite burg, Meridian Sulaj 8 vite e 4 muaj burg, Angelo Busaca 7 vite e 4 muaj burg, Giuseppe Greco 2 vjet e 4 muaj burg.
Të lirë u lanë katër shtetas italianë Antonio Grieco, Carmelo Bertolini, William Patane e Massimiliano Bruno.
Sipas prokurorisë italiane, Moisi Habilaj së bashku me vëllain e tij Florjan Habilaj i shpallur në kërkim nga drejtësia italiane, konsiderohen krerët e një grupi kriminal të strukturuar italo-shqiptar që ka trafikuar armë e drogë nga Shqipëria në Itali me vlerë mbi 20 milionë euro me mbështetjen e segmenteve të caktuara të policisë së shtetit. Arrestimi i 15 anëtarëve të këtij grupi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Rosa dei Venti” më 14 tetor 2017-të.
Kujtojmë se ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, është hetuar dhe po gjykohet për bashkëpunim me këtë grup kriminal.











