Nga: Roland Qafoku
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës vërtetoi se kontinenti evropian ishte një vullkan i fjetur që shërtheu papritur. Tashmë Vladimir Putin duket sikur ka në dorë pultin e komandimit të Evropës jo me tubacionet e gazit, por me luftë me raketa e tanke dhe për herë të parë ndër dekada qytetarët në Perëndim po përballen me një kërcënimi real ndaj rendit gjeopolitik. Që prej mëngjesit të 24 shkurtit ku u ndërmor sulmi, secili shtet në kontinent po bën llogaritë e veta. E sado të mendosh me naivitet se Ukraina është larg nesh, apo se ne mund ta bëjmë gjumin të qetë se na mbron NATO, pyetja reale në këtë megafrikë kontinentale për ne shqiptarët është: A rrezikohet që Kosova dhe Shqipëria të përfshihen në luftë? Sapo ushtria ruse ndërmori sulmin e parë mëngjesin e të enjtes, mes mijëra e mijëra deklarateve, opinioneve dhe parashikimeve disa kanë kaluar pa shumë vëmendje. Ivana Stradner, drejtuese e “American Enterprise Institute” dhe njohëse shumë e mirë e çështjeve të Ballkanit lëshoi një përcaktim që në rastin më të mirë të mundshëm nuk mund ta shpërfillim dhe në rastin më të keq duhet të ndezim sirenat e alarmit ajror:
“Unë nuk do ta përjashtoja Ballkanin si një fushëbetejë tjetër, ku Rusia mund ta sfidojë Bashkimin Evropian dhe NATO-n, për t’i treguar se të dyja janë “tigra prej letre”.
Po përse Stradner nuk e përjashton përhapjen e konfliktit në Ballkan dhe a janë vërtetë shqiptarët të rrezikuar? Teorinë e Ivana Stradner e mbështetën gjatë këtyre ditëve edhe dy diplomatët e njohur amerikanë Daniel Fried dhe Kurt Walker, të cilët deklaruan për “Zerin e Amerikës” se Vladimir Putin do të tentojë të krijojë probleme në Ballkan me qëllim që ta tërheqë vëmendjen e madhe që aktualisht ka bota ndaj agresionit në Ukrainë. Fried, që dikur ka qenë pjesë e Departamentit të Shtetit dhe ambasador në Poloni tha:
“Ky është një agresion në stilin e Luftës së Dytë Botërore, por ka ngjashmëri edhe me sulmin e Hitlerit në Poloni”. Në të njëjtën gjatësi vale ishte edhe Kurt Ëalker, dikur përfaqësues special i SHBA në Ukrainë i cili po për Zerin e Amerikës tha: “Putini e do kaosin dhe mendoj se do të provojë të nxisë probleme, ndoshta edhe luftë në Ballkan për të marrë vëmendjen e Europës, për ta vështirësuar përgjigjen e saj ndaj sulmit të tij, agresionit ndaj fqinjit të vet Ukrainë”. Të tre këto parashikime janë të frikshme dhe na e sjellin luftën në derën e shtëpisë. Ato të bëjnë të bësh lidhjen logjike me atë që Vladimir Putin bëri në vitin 2019 duke folur për median serbe gjatë një interviste për të kuptuar më mirë ndoshta arsyet e asaj që po ndodh sot por edhe mund të ndodh nesër. Tha Vladimir Putin: “Politika e SHBA-së dhe e disa vendeve të tjera Perëndimore, që synojnë të konfirmojnë dominimin e tyre në rajon, ka qenë një faktor serioz destabilizues për Ballkanin”.
Për kë e kishte fjalën Vladimir Putin në 2019 teksa nxori nga goja këto fjalë dhe për kë e ka fjalën sot kur thotë se Perëndimi do marrë një përgjigje që nuk e ka menduar kurrë? Rusia po kërcënon hapur ato që ajo i quan katër “vatra” në Ballkan: Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën. Për Kosovën e ka treguar me deklarata dhe fakte duke e krahasuar me rajonin e Krimesë në Ukrainë që e ka pushtuar prej kohësh. Maqedoninë kërkon të dominojë në politikën e vendit anëtër të NATO-s. Në Malin e Zi ishte e qartë ajo trazirë në 2016 ishte mbështejllë me flakën ruse dhe në Bosnje aleati i tij është udhëheqësi i serbëve, Milorad Dodik. Dhe e gjithë kjo panoramë lidhet me një shtet që ka pas, Serbinë. Është fakt i pamohueshëm që Serbia nuk ka thjesht afeksion ndaj Rusisë. Ajo është aleate e vjetër dhe e re dhe në këtë situatë lufte ka një të mirë nëse mund ta quajmë kështu. Me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, Serbia nuk mund ti bëjë të dyja, edhe të bëjë hapa për tu anëtarësuar në BE, edhe të jetë aleate me Rusinë. Ky është rasti për të treguar nëse ky shtet i përkëdhelur deri tashmë nga BE do jetë në unison me qendrimin e saj dhe të SHBA, apo do hidhet zyrtarisht në krahët e Putinit për të qenë aleat solid i Rusisë edhe në luftë. Peshorja fatkeqësisht anon nga e dyta. Ka disa fakte që e vërtetojnë këtë sidomos nw fushën ushtarake. Vetëm për vitin 2017 Serbia e rriti buxhetin e ushtrisë, specifikisht për armatimin në shifrën marramendëse 364 për qind duke arritur një marrëveshje me Rusinë për blerje avionësh me vlerë 65 milionë dollarë. Rusia i ka shitur Serbisë sisteme të mbrojtjes ajrore Pantsir-S1M, tanke, transportues të blinduar, helikopterë dhe raketat anti–tank Kornet. Po ashtu ajo ka ngritur një bazë të shërbimit sekret ushtarak për mbledhjen e të dhënave të inteligjencës pranë kampit “Bondsteel”, bazës së NATO-s në Kosovë. Por lidhja dhe aleanca e Serbisë me Rusinë nuk mbaron këtu. Gjatë janarit u zbulua se ministri i Brendshëm serb Aleksandër Vulin kishte përgjuar disidentët rusë që u mblodhën në Beograd. Vulin ia dorëzoi të zbardhura bisedat e tyre bashkëpunëtorëve të Putinit dhe kjo solli menjëherë arrestimin e tyre. Pavarësisht një gjysmë zhurme që u bë në Serbi, ministri Vulin vazhdon i qetë detyrën gjë që nënkuptonn që për këtë që ka bërë ka payur bekimin e presidentit Aleksandër Vuçiç. Për çfarë i ka bërë të gjitha këto Serbia dhe Rusia bashkë? Sigurisht që nuk besohet se i ka për të forcuar paqen në rajon. Duket qartë dhe hapur se Ukraina është një casus beli për të bërë shtrirjen më në Perëndim dhe më në perëndim Rusia do të thotë se i ka sytë dhe mendjen në Ballkan.
A E MBROJMË DOT SHQIPËRINË DHE KOSOVËN?
Në Kosovë frika dhe pyetja se çdo bëjë Serbia në këtë situatë lufte është kthyer në normale. Presidentja Vjosa Osmani bëri një deklaratë teorike këto ditë lufte teksa tha: “Nëse Serbisë i shkon mendja që ta sulmojë Kosovën, ata e dinë shumë mirë që nuk përballen vetëm me ushtrinë dhe policinë e Kosovës, por përballen edhe me ushtrinë e NATO-s, sepse ushtria e NATO-s ka mandat të plotë që në raste të tilla ta mbrojë çdo cep të kufijve të Republikës së Kosovës, sidomos ato që janë në veri”. Ndërsa kryeministri i Shqipërisë Edi Rama vërtetë na sqaroi duke na kujtuar se jemi pjesë e NATO-s që nga 4 prilli 2009, por ama mes 30 anëtarëve të kësaj aleance, nëse NATO do jetë e zënë në ndonjë moment me ndonjë cep tjetër konflikti, çdo të bëjmë ne, do ti lutemi NATO-s të na mbajë ne me hatër se jemi gjynah? Kryeministri tha: “Jemi vend i NATO-s dhe sot është përsëritur nga të gjithë se vendet e NATO-s, çdo vend i NATO-s është në një tjetër regjim mbrojtje. Në rastin e Ukrainës jemi partner me Ukrainën por sipas kushtetutës së NATO-s se vëmë menjëherë në lëvizje artikullin 5 që kur sulmohet njëri vend janë sulmuar të gjithë dhe në atë moment janë të gjithë që mbrohen. Ka një pjesë njerëzish që janë të shqetësuar që kjo luftë mund të vijë në Shqipëri dhe ne s’kemi avionë, ne s’kemi raketa etj. Shqipëria nuk është në NATO, një vend anëtar për të pasur raketa është në NATO një vend anëtar që ka një sërë prioritetesh të vetat të koordinuara me alencën”.
Por a të qetësojnë deklaratat e Osmanit dhe të Ramës në një kohë kur planeti mund të përfshihet I gjithë nga Lufta e Tretë Botërore? Fakti është se ato që tha Osmani dhe Rama më shumë të duken sikur Kosova dhe Shqipëria bashkë janë Luksemburgu me 124 mijë banorë që e mbron Belgjika si patrozhaniste e saj e vjetër. Shqipëria vërtetë është anëtare e NATO-s dhe mbrohet prej saj, po Kosova që nuk është anëtare? Në këtë situatë duhet të kuptojnë se së pari duhet të kishim miratuar një traktat mbrojtjeje reciproke me njëri-tjetrin pavarësisht se jemi dy shtete. Ne jemi një komb dhe ky është rast unikal si askush tjetër në Evropë. Dhe si të tillë, Shqipëria duhet të jetë e angazhuar në mbrojtjen jo vetëm të vetes së vet, por edhe të Kosovës. Nëse do ishte nënshkruar ky traktat Kosova do ishte shumë më e mbrojtur pikërisht për faktin se Shqipëria është anëtare e NATO-s. Ndërkohë tjetër angazhimi për të modernizuar ushtrinë nën çadrën e NATO-s duhet të jetë një synim emergjent i afërt por dhe i largët i qeverisë. Arritja e 2 për qindshit të buxhetit të ushtrisë si pjesë e buxhetit kombëtar nuk mund të quhet më luks. Vërtetë është një kusht i NATO-s, por ne duhet ta kthejmë në angazhim shtetëror për të mos i lënë shteg spekullimeve serbe siç thoshte dikur Milosheviçi se Shqipërinë e pushtonte vetëm me shoqatën e gjuetarëve. Rezistenca me luftë e Ukrainës prej 44 milionë ndaj Rusisë 150 milionë banorë është një model se si çdo komb sado i vogël të jetë bën gjithcka për të mbrojtur vendin e vet. Çdo ditë po raportohet se kjo rezistencë po i shkakton dëme të mëdha ushtrisë ruse që ajo nuk i kishte parashikuar. Epo Serbia 6.5 milionë banorë përballë dy shteteve shqiptarë me 5 milionë banorë nuk është ndonjë diferencë e madhe. Prandaj, sigurimi i mbrojtjes dhe rezistencës vetjake edhe pse jemi anëtër të NATO-s do të ishte një garanci jo vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, por edhe për Kosovën.
UKRAINA DUHET TË NJOHË KOSOVËN
Shqipëria si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB ka bërë atë që pritej. Votoi në unison me SHBA-në për të dënuar agresonin e Rusisë ndaj Ukrainës pavarësisht se rezoluta nuk kaloi pas vetos së Rusisë. Megjithatë presidenti Volodymir Zelenskyy bëri deklaratën falenderuese duke përfshirë edhe Shqipërinë duke thënë: “Falënderues për të gjitha shtetet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që votuan për të ndaluar sulmin rus. Veto e Rusisë është një njollë gjaku në pllakën e saj në Këshillin e Sigurimit, hartën e Europës dhe botës. Koalicioni anti-luftë duhet të reagojë menjëherë”. Tani në kohë lufte ne shqiptarët nuk mund ti kërkojmë llogari Ukrainës përse nuk e njeh Kosovën. Por ajo që po bën Shqipëria në Këshillin e Sigurimit duhet të jetë vath në vesh për Ukrainën zyrtare kur kjo luftë të përfundojë. Njohja e Kosovë si shtet i pavarur siç ka bërë shumica e Evropës do ta nderonte Ukrainën që po pëson pak a shumë atë që Kosova pësoi nga regjimi i Milosheviçit kur Serbia kur e invadoi në vitin 1999. Në një kohë paqe, Ukraina madje mund të lobojë dhe ndikojë që edhe shtete të tjera ta njohin Kosovën.
LUFTA LARG DHE AFËR
Viti 2022 është përvjetori i 100-të i Bashkimit Sovjetik dhe presidenti Vladimir Putin ka nisur të realizojë ëndrrën e tij të rikthimit të superfuqisë së dytë Botërore. Ose, siç thotë George Friedman, Rusia pas shembjes së BS-së i ka zorrët jashtë dhe Vladimir Putin kërkon ti mbledhë. Analistët këto ditë i referohen shpesh historisë së perandorisë romake, e cila nuk kishte qëllim të sulmonte botën. Ajo donte të mbronte veten duke dalë jashtë territorit të vet, duke e zgjeruar këtë territor dhe kështu u bë perandori që jetoi 1 mijë vjet. Dhe për analogji, Putin e nisi nga Ukraina sepse aty ka parë pikën e rilidhjes dhe ringjizjes së Bashkimit të ri Sovjetik si 100 vjet më parë kur u shpall bashkim pikërisht duke përfshirë Ukrainën si njw nga 15 republika. Profesori legjendar i universitetit të Harvardit dhe autori i librit “Përplasja e qytetërimeve” e ka cilësuar më mirë se kushdo tjetër: “Ashtu si marrëdhëniet franko-gjermane përbëjnë bërthamën e BE-së, po ashtu edhe marrëdhëniet ruso-ukrainase janë bërthama e qenësishme për unitetin e botës ortodokse”. Ndërsa Lindja dhe Perëndimi i Ukrainës nuk janë në një mendje dhe ky është një problem i vjetër, një gjeneral rus e gjeti zgidhjen teksa tha: “Ukraina lindore brenda 5, 10, apo më shumë vjetësh do kthehet përsëri. Ukraina perëndimore le të shkojë në djall”! Këto ditë ka jo pak analistë analistë të gjeopolitikës kritikojnë SHBA përse zgiodhi zgjerimin e NATO-s me vendet në kufi me Rusinë kur mund të investohej më shumë në nxitjen e demokratizimin e Rusisë. Nëpërmjet sulmit në Ukrainë Rusia ka tronditur rendin boëtror dhe të frikësuar nuk janë vetëm vendet rreth saj që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Rreth e rrotull shtetit të sulmuar dhe atij që e sulmoi ndjehen më të frikësuar për përhapjen e saj si në efektin domino. Habia ishte se edhe Finlanda dhe Suedia u futën në kërcënimin e hapur të Vladimir Putinit. Ethet e Luftës së Tretë Botërore nuk janë pa arsye dhe tashmë media e paraqet portretin e Vladimir Putin në cover-at e gazetave dhe revistave duke i vënë me fotoshop mustaqe alla Çaplin dhe flokët e lëpirë hedhur menjanë, fiks si të Adolf Hitlerit në 1933 kur themeloi Rahjhun e Tretë. Putin e bëri sfidën ndaj perëndimit. Nisi një sulm si Hotleri ndaj Polonisë dhe pasi arriti deri në dyert e Moskës, për 8 dekada fyrheri gjerman cilësohej si i fundit i pushtuesëve të mëdhenj aventurierë të traditës së vjetër të Aleksandrit të Madh, Cezarit dhe Napoleonit. Tani i takon perëndimit tia kthejë, por kush do ta ndalojë Putinin? SHBA dhe Evropa kanë misionin për ta bërë këtë. Ndryshe ka rrezik që të ndodhë si me Adolf Hitlerin. Ai e shpalli me mburrje se Rajhun e kishte ndërtuar për të jetuar 1 mijë vjet, por në fakt zgjati vetëm 12 vjet e 4 muaj. E megjithatë i shkaktoi rruzullit 50 milionë viktima shumica civile. Do jetë shumë vonë nëse nuk ndërhyhet të ndalohet Hitleri i shekullit të 21.