Largimin e shqiptarëve nga një pjesë e madhe e popullsisë, kryeministri nuk e sheh si tragjedi. Deklaratën e bëri vet Rama, në një komunikim me gazetarët në qytetin e Kukësit.
I pyetur se çfarë do të bëhet nga qeveria dhe a ka marrë masa lidhur me këtë fenomen gjithnjë e në rritje, Rama tha se hyn tek ata persona që nuk e shohin si tragjedi, ndryshe nga ata që derdhin lot krokodili (duke iu referuar opozitës).
Por, duket se qeveria nuk ka asnjë plan konkret për të zhdukur këtë fenomen, ndërsa Rama tha se është pjesë e historisë.
“Po ndodh një fenomen që tjerët e kanë kaluar me parë. Po të shohim shifrat, nuk ka asnjë të shifër të veçantë. Kush ikën, është komplet në të drejtën e vet që të krijojë një eksperiencë. Ata që vijnë sjellin dije, pasionin dhe rrugë për të investuar. Ndryshe nga ata që derdhin krokodilë, unë hyj te ata që s’e shofin fare si tragjedi, është pjesë e historisë ky fenomen. Kemi qenë në bunker, tani jetojmë në një botë të hapur. Problemi është si t’i bëjmë të interesuar ata që largohen për të investuar këtu. Në aeroportin e Kukësit, do u japim mundësi atyre që jetojnë në Angli të shkojnë e të vijnë nga Kukësi me shumë më pak nga ç’harxhojnë sot, për shkak të tarifës së lartë të Rinasit. T’i bëjmë që të shohin oportunitet te fakti që nëse duan të investojnë te shtëpitë e tyre, këto shtëpi të kthehen në agroturizëm apo bujtina. Stani i Hoxhës ishte një gjë e pabesueshme, s’ka asgjë më shumë në Alpet e Zvicrës.”/ TIRANA TODAY