Ditën e djeshme u konfirmuan dy rastet e para në Itali të prekur nga koronavirusi. Bëhet fjalë për një çift kinezësh të cilët ishin në bordin e një kroçiere. Ata kanë shfaqur simptoma si temperaturë e lartë dhe probleme me frymëmarrjen, çka ka vënë autoritetet në alert. Italianët bllokuan anijen me 7000 pasagjerë.
Pas kryerjes së testeve, u konfirmua se çifti ishte i prekur nga virusi. Ata u izoluan në një nga spitalet e Romës. Kryeministri Conte tha se situata ishte në kontroll dhe se ata ishin në kujdesin e mjekëve. Megjithatë, si masa fillestare u ndërmor ndërprerja e të gjithë fluturimeve me Kinën, për të shmangur çdo rrezik.
Sakaq, pas deklaratës së fundit të kryeministrit, autoritetet vendase kanë ngritur nivelin e alertit dhe kanë shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare. Ende nuk është e qartë, nëse ka raste të tjera të konfirmuara apo kjo është një masa paraprake për të parandaluar të keqen e madhe.
Në një deklaratë për shtyp, Ministri i Shëndetësisë tha se rastet e konfirmuara në Itali dhe në Angli si dhe një rast tjetër i dyshuar ka bërë që qeveria t’i dalë në ballë situatës dhe të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.
Mësohet se çifti kinez ka udhëtuar me avion në Milano përpara dhe autoritetet dyshojnë se mund të kenë edhe raste të tjera të prekurish nga virusi.