Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën “arrest shtëpie” për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Ndërsa nga ana tjetër Prokuroria ka kërkuar për ish-ministri “arrest me”.
Ky vendim vjen vetëm 3 ditë pas shkarkimit nga detyra të Besim Hajdarmataj nga drejtimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në vend të tij u komandua prokurorja e Durrësit, Donika Prela.
Pak ditë më parë në një dalje për media ai dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Tahiri akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për përfshirjen në bandën e Habilajve.
“Gjykata vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit nën hetim Saimir Bashkim Tahiri, i datëlindjes 30.10.1979, si person i dyshuar për kryerje të veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar në nenet 283/a dhe 333/a, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal dhe, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, e parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal.
Urdhërohet shtetasi nën hetim Saimir Bashkim Tahiri të mos largohet nga banesa e tij, ndodhur në Tiranë, Rruga “Kodra e Diellit”, Pallati Nr.3″, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Hetimi ndaj Saimir Tahirit nis pas publikimit të dosjes se Prokurorisë së Katania në muajin Tetor të vitit 2017, ku emri i ish-ministrit të Brendshëm përmendej në përgjimet telefonike dhe ambientale të kushërinjve, vëllezërve Habilaj.
Parlamenti me shumicë votash refuzoi të pranonte kërkesën e parë të Krimeve të Rënda për heqjen e imunitetit dhe më pas arrestimin e Saimir Tahirit i akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal me qëllimin trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Shumica parlamentare justifikoi vendimmarrjen me mungesën e provave të cilat implikonin drejtpërsëdrejti Saimir Tahirin në grupin e Habilajve.
Ish ministri, Saimir Tahiri vendosi në 5 Maj të dorëzojë vullnetarisht mandatin si deputet i qarkut të Tiranës, për t’u përballur me drejtësinë pa imunitet. TIRANA TODAY