Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka cilësuar festën e Kurban Bajramit si një ditë përgjegjësie për të gjithë, por në veçanti për politikën.
Pas vizitës në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Basha tha se kjo është një ditë përkushtimi, por edhe përgjegjësie për secilin për një shoqëri të drejtë.
“Dua t’ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë Gëzuar festën e Kurban Bajramit. Është një ditë feste dhe solidariteti mes njerëzve. Është dita kur individi dhe shoqëria bashkohen me përkujdesin ndaj më të pamundurve. Ndaj sot lutjet dhe mendimet e mia janë për më të pamundurit, të vobektit, për ata që jo vetëm sot, por shumicën e vitit i kanë tryezat bosh. Natyrisht për të moshuarit, për të sëmurët, në veçanti për fëmijët. Lutja ime dhe mendimet e mia janë për një shoqëri më solidare, të zemrës së dhimbsur, për një shoqëri me më shumë mundësi, që jo vetëm ditën e Kurban Bajramit, jo vetëm ditën e festave, por çdo ditë, tryezat e shqiptarëve të jenë plot, buzëqeshja të kthehet në fytyrat e fëmijëve dhe familjeve të pamundura. Prandaj kjo është dhe një ditë përkushtimi, zotimi dhe kujtimi për përgjegjësitë e gjithsecilit, në raport me një shoqëri më të drejtë dhe, në veçanti për përgjegjësitë e rënda dhe të rënduara të politikës”, deklaroi Basha në një prononcim të shkurtër për mediat.