Analisti Andi Bushati thotë se aleatët e Bashës e xhelozojnë për marrëdhënien e LSI-së me PD-së sepse i lë ata në hije. I ftuar sot në rubrikën “Opinion”, në studion e lajmeve në News 24 Bushati analizoi arsyet që i shtynë aleatët e vegjël të Lulzim Bashës kundërshtojnë faktorizimin e LSI-së, brenda opozitës. Analisti tha se aleanca PD-LSI është problem morali për aleatët e Bashës por problem kulisash politikë.
“Të vegjlit nuk e duan LSI-në se iu duket si një mish i huaj mes tyre dhe të madhit. Nuk kanë problem moral por problem kulisash politikë. Duket sikur Basha dhe Kryemadhi i kanë bërë ata fare të parëndësishëm. Kjo është më tepër një këmbëngulje xhelozie se sa çështje parimore. Kështu e shoh unë sherrin e tyre me LSI-në”, deklaroi Bushati.
E sa për protestën e opozitës, ai u shpreh skeptik nëse lideri i PD-së, Basha do arrinte të tejkalonte çadrën, duke shtuar se të kujton gjithmonë e më shumë atë fabulën që bërtet për ujkun, por kur ujku vjen me të vertetë askush nuk e dëgjon.
“Shoh shumë pak hapësirë në horizont. Para zgjedhjeve opozita përdori maksimumin, çadra, bojkoti ishte maksimumi. Lulzim Basha ndodhet sot në situatën e asaj fabulës me bariun që bërtet për ndihmë nga ujku. Atë e rrethon mosbesimi, pasi nuk dihet se nëse njerëzit i mblidhen ai mund të jetë sërish i aftë të shkojë të bëjë një tjetër pakt me Edi Ramën për interesa okulte. Pra, në një kohë që Bashën e rrethon mosbesimi, duhet diçka më shumë dhe më e fortë se ajo që kërkonte çadra”,- tha Bushati.
Analisti ndër të tjera sheh si zgjidhjen ligjore të një problemi politik, siç ishte zgjedhja e kryeprokurores Arta Marku, iniciativën e re të PD dhe LSI për të mbledhur firmat e nevojshme për të ndryshuar Kushtetutën dhe ligjin në bazë të të cilit zgjidhet prokurori përgjithshëm. “DY gjëra kanë thënë, s’mund ta zgjedhë kryeprokuroren një parti dhe pa kaluar nga vettingu, sot shohim këtë inciativë”,- tha Bushati. Ai i qëndroi idesë së tij se nuk mund të ketë drejtësi duke përdorur metoda të padrejta.