Vëmendja e të gjithë sportdashësve në Shqipëri në javën e 18 të kampionatit ishte vendosur në “Yeqir Zmeri”, ku Kukësi priti Flamurtarin. Dy ekipe me investime mjaft të mëdha në merkato dhe mjaft të konsoliduar, të cilat priten të rivalizojnë Skënderbeun në rrugën për titullin kampion. Edhe pse kërcënimet e para vijnë nga verilindorët të cilët prekin dhe traversën, golin e parë e gjejnë miqtë me anë të Danilo Alveshit, i cili devijoi në rrjetë një top të ardhur nga goditje këndi.
Pjesa e dytë pa më shumë kërkues Kukësin i cili e gjeti golin vetëm në minutën e 82’ nga pika e bardhë e penalltisë, ku Elis Bakaj nuk gabon. Minutat e mbetura prodhuan një rast mjaft të pastër të Danilo Alvesit, që për pak shënoi me kokë, pas topit të ardhur nga këndorja dhe një goditje nga distance e kuksianëve, me topin që ‘qethi’ shtyllën e Nurkoviç.
“Loro Boriçi” priti gjigantët e Skënderbeut, ku u zhvillua një ndeshje në ritme të jashtëzakonshme dhe u shënuan plot 5 gola. Ishte Vllaznia që gjeti golin e parë që në minutën e 6’ me anë të Sedat Berisha, që devijoi krosimin e Gilman Likës. Por pak minuta nga fundi i pjesës së parë ishte Kristi Vangjeli që barazoi rezultatin, pas një aksioni model të Osmanit. Korçarët u treguan agresivë edhe në pjesën e dytë, ndërsa avantazhin e gjetën pas një 11-metërshi të ekzekutuar saktë nga Sabien Lilaj. Më pas shkodranët hidhen në sulm, por nuk arrijnë të jenë të rrezikshëm, kjo bën që të lenë hapësira prapa dhe që shfrytëzohen mjaft mirë nga korçarët. Është Gjergji Muzaka që gjen golin e tretë pas një aksioni mjaft të bukur personal, ndërsa ka kohë edhe për një gol të 4-t, të shënuar nga James.
Në kampionat Laçi ka fytyrë tjetër nga Kupa, pasi një javë më parë shpartalloi 3-1 Luftëtarin, ngeci sërish në Superiore përballë Teutës së Stavri Nicës. Ky i fundit duhet të jetë më i kënaqur nga rezultati, pasi arriti të ndalë Laçin, skuadrën nga e cila dha dorëheqjen në fillim të sezonit. Nga ana tjetër, vendasit e Mezanit ushtruan shumë presion dhe krijuan disa mundësi të mira shënimi, por nuk arritën të dërgojnë topin në rrjetë, për të marrë 3 pikët.
Pasi ndali në barazim Teutën javën e kaluar, Lushnja i ‘pret hovin’ edhe Luftëtarit, që në kampionat numëronte 4 fitore radhazi. Lagunarët dhe gjirokastritët nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola, ndonëse nga sulmi i të dyja kampeve pritej shumë më tepër sot.
Kur janë luajtur 18 javë, pra gjysma e kampionatit, Skënderbeu kryeson bindshëm me 40 pikë, ndërsa rezultati në Kukësi-Flamurtari, i dha mundësinë korçarëve të thellojnë në 8 pikë distancën nga vlonjatët ndjekës. Kukësi, kampion në fuqi e shikon veten 11 pikë larg kreut, pas gjysmës së parë të kampionatit, ndërsa Vllaznia e Lushnja mbyllin renditjen me 15 dhe 10 pikë.