Pas ngjitjes së tyre në pushtet, komunistët sekuestruan 43.816.682 monedha ari ose 320 tonë, që ndodheshin kryesisht në duart e popullatës. Këto veprime u justifikuan me “ligjin” për tatimin e jashtëzakonshëm për fitimet e luftës”, dhe “për konfiskimin e pasurive private”.
Ndërkohë sipas një shkrese zyrtare në Thesarin e Shtetit, në vitin 1990 figuronte vetëm 3.029 tonë ar. Po ku shkoi pjesa tjetër? Një pjesë e arit, u përdor në vitet e para pas çlirimit për të blerë grurë dhe mallrat e tjera nga Bashkimi Sovjetik. Ndërsa dyshimet më të mëdha, janë se ari i shqiptarëve është depozituar kohë pas kohe në Perëndim.
Në vitet e fundit të regjimit kur edhe situata ekonomike ishte tejet e rënduar, u kryen disa transferta të mëdha ari dhe argjendi. Zyrtarisht për “qëllime kambizmi”, ndërsa dyshohet se ato kanë kaluar në favor të udhëheqësve të lartë komunistë.
Në shkurtin e vitit 1992, shtetasi amerikan Xhon Mekgou dëshmoi se kishte qenë dëshmitar i transferimit nga Shqipëria në Zvicër të 10 tonëve ar në fillim të vitit 1991. Presidenti i atëhershëm Ramiz Alia i hodhi poshtë këto pretendime.
Por një hetim i policisë zvicerane në Cyrih, vërteton se vetëm më 3 korrik 1989 nga Tirana mbërritën me avion 3100 kg ar. Ndërkohë në vitin 2000 në tunelet e Thesarit të Shtetit në Kërrabë, dyshohet se u vodhën rreth 280 kg ar.
Hetimet nuk zbardhën kurrë sasinë e floririt të vjedhur dhe as autorët e vërtetë, ndërsa për vjedhjen do të akuzoheshin disa fshatarë të zonës.
Përgatiti Tirana Today