Kandidati për postin e kryeprokurorit të përkohshëm, Granit Shahu ka hetuar një sërë çështjesh të rëndësishme; dënimi i Ilir Kupës, arrestimi i personave që shisnin mina me telekomandë, deri tek dënimi i vrasësit të Eva Vishajt, nënës së këngëtares Elsa Lila. Ndryshe nga kandidatet e tjerë Shahu është një emër i pa përfolur shumë në media.
Fillimisht e ka nisur karrierën si prokuror i Tiranës në vitin 2003 duke patur gjatë asaj kohe në duar një sërë çështjesh të rëndësishme. Pas pak viteve është transferuar sërish në Shkodër duke ushtruar profesionin e tij si prokuror. Me një dekret të presidentit të asaj kohe Bamir Topi, 9 prokuror lëvizën mes të cilëve edhe Granit Shahu i cili u transferua në Tiranë duke u rikthyer në prokurorinë e atij rrethi me 6 tetor të 2010-ës.
Pas 5 viteve shkëputje nga Shkodra prokurori Shahu rikthehet sërish në këtë qytet por kësaj here si drejtues i këtij institucioni. Në fakt prokurori Shahu duke qenë se edhe më përpara ka qenë pjesë e organit të akuzës në Shkodër ka ndërmarrë mbi supe një detyrë jo të lehtë duke qenë se vitet e fundit ka shumë ngjarje të rënda që ende janë pa autor dhe presin zbardhjen nga ana e prokurorisë.
Shahu ka hetuar edhe anëtarët e të ashtuquajturës banda e “Babagjyshëve”, e cila u bë e famshme me vjedhjen spektakolare të një argjendarie në një qendër tregtare në Tiranë.
Kreu i kësaj bende Ilir Kupa akuzohet për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit, vjedhjen e argjendarisë por dhe i arratisur edhe nga burgu grek i Trikallas. Ilir Kupa u dënua me 35 vjet burg.
Nën drejtimin e Shahut në Shkodër janë arrestuar dhe personat që shisnin mina me telekomandë. Policia sekuestroi 6 mina të telekomanduara në distancë me celularë, 2 pistoleta, 1 snajper.
Prokurori Granit Shahu ndoqi hetimet për helikopterin ushtarak u rrëzua në ujërat e liqenit të Shkodrës pranë fshatit Grizhë të Malësisë së Madhe. Në këtë aksident humbën jetën dy pilotë të Forcave të Armatosura, kapiten Floran Deliaj dhe toger Donald Hoxha.
Shahu ka qenë prokuror i dosjes për vrasjen e Eva Vishajt, nënës së këngëtares së njohur Elsa Lila. Në këtë vendim gjyqi vrasësi, Albenc Ago është dënuar me 20 vite burg. Eva Vishaj është qëlluar me armë zjarri nga Albenc Ago më 23 maj të vitit 1997, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në kilometrin e 29-të.
Granit Shahu by Tirana Today on Scribd