Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zhvilluar sot një takim me ambasadoren e OSBR/ODIHR në Tiranë, Audrey Glover. Mësohet se Kryemadhi i ka dorëzuar shefes së misionit një dosje të plotë me të gjitha shkeljet e Kushtetutës të dokumentuara gjatë zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
“Sot pata kënaqësinë të takoja Ambasadoren Audrey Glover.
I dorëzova asaj një dosje voluminoze me të gjitha shkeljet e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor për votimet moniste të 30 qershorit.
Është shumë e rëndë për demokracinë shqiptare dhe turp për klasën politike që 29 vite pas vendosjes së demokracisë pluraliste, vazhdojmë flasim për pamundësi mbajtjesh së proceseve zgjedhore në respekt të ligjit.
Akoma nuk kemi një proces zgjedhor ku qytetarët të votojnë të lirë e në mënyrë të fshehtë pa ndikimin e krimit të organizuar dhe intimidimin e tyre me bukën e gojës apo vendin e punës, si dhe ku rezultati në reflektimin e vullnetit real të qytetarëve të jetë i gjithëpranuar nga palët.
Votimet farsë të 30 qershorit ishin maskarada më e madhe, por besoj edhe e fundit! Shqipëria do ketë zgjedhje demokratike, sipas parimeve europiane, nga të cilat do dalin përfaqësues që do rivendosin shtetin e së drejtës dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë në rrugën e duhur”, shkruan Kryemadhi në “Facebook”.
Kujtojmë se një ditë më parë përfaqësuesja e OSBE/ ODIHR zhvilloi një takim edhe me kreun demokratik, Lulzim Basha. Ndërkohë, pak orë pak takimit të mbajtur, opozita e bashkuar i kërkoi KQZ-së që t’i vihen në dispozicion të gjitha materialet zgjedhore të 30 qershorit.