Një turist kroat ka rrëfyer një histori sa të rrallë, aq edhe të bukur. Duke vlerësuar jashtëzakonisht gjestin e një shqiptari, Vlatko Horvat ka publikuar në Facebook një eksperiencë që i ka lënë një ‘shije’ fort të mirë për shqiptarët.
Horvat kishte kaluar pushimet në vendin tonë, ndërsa pas largimit të tij nga Shqipëria, kishte humbur portofolin në Sarandë.
Këtë e kishte kuptuar vetëm nëpërmjet një mesazhi, ku shkruhej: “E di që ia kalove shumë mirë në Sarandë por nuk ishte nevoja të lije një bakshish kaq të madh :)”.
Ishte i riu shqiptar, Alban Koka, ai që ka gjetur portofolin dhe më pas i ka shkruar kroatit.
Jo vetëm kaq, por Koka ia ka nisur portofolin turistit me gjithçka kishte brenda në adresën e tij. Kjo e ka habitur kroatin, i cili shkruan se Shqipëria dhe Shqiptarët janë të bukur.
“Ma dërguan portofolin me të gjitha paratë brenda dhe të gjitha kartat bankare. Shqipëria është kaq e bukur, shqiptarët janë njerëz ekstra,”shkruan Horvat.