Nga sot në Kosovë nisin kufizimet e energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët. Këto kufizime do të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumatorët. Konsumatorët gjatë ditës së sotme do të kenë nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime.
Ky vendim ka ardhur si pasojë e pamundësisë për të blerë energji elektrike nga jashtë, për shkak të rritjes së çmimit.
“Prej nesrit, vendi do të furnizohet vetëm nga prodhimi vendor. Kjo, pasi KEDS dhe KESCO nuk kanë mundësi financiare më që të nominojmë energji jashtë asaj që prodhohet nga gjeneratorët vendorë.
Deri tek kjo situatë ka ardhur për shkak të çmimeve enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare dhe mosmbulimit të kostos së sistemit.
Kjo ka sjellë situatë të rëndë financiare edhe për KOSTT-in, të cilën ENTSO nuk e lejon më të bëjë devijime. Kjo bën që secila kërkesë mbi prodhimin vendor të kufizohet në pamundësi të mbulimit nga importi.
Prej ditës së hënë (15 gusht) vendi do të furnizohet vetëm nga prodhimi vendor. Sot, disa muaj pas, të gjitha mundësitë financiare janë shterruar. Dy kompanitë, pra KEDS dhe KESCO nuk mund të bartin më të vetme barrën e krizës botërore energjetike dhe pasojat e saj në Kosovë. Kërkohet me urgjencë edhe veprimi i aktorëve tjerë në mënyrë që së bashku ta përballojmë këtë krizë”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.