Kriza e prodhimit vendas të energjisë nga mungesa e reshjeve pritet të krijojë efekte negative zinxhir në ekonomi, që do të përfshijnë pakësimin e investimeve kapitale nga OSHEE dhe buxheti, zhbalancimin e tregtisë me jashtë dhe presione të reja për rritjen e borxhit publik.
Në tre muajt në vijim duhen së paku 70 milionë euro për importin e energjisë, raporton OSHEE, gjetja e të cilave do të duhet të angazhojë shumë institucione. Kolapsi që mund të vijë nga linjat e interkonjeksionit. Historia plot dështime e diversifikimit të prodhimit që nga TEC-Vlora deri tek impiantet e diellit dhe erës
Në këto 27 vite të tranzicionit, Shqipëria ka përjetuar kriza të shpeshta të prodhimit të energjisë, për shkak të varësisë së sistemit nga reshjet. Që kur termocentrali i Fierit pushoi së funksionuari në mesin e viteve 2000, prodhimi i energjisë nga burimet hidro zë 100% të prodhimit vendas, teksa qeveritë shqiptare që pasuan lanë pas planet për diversifikimin e prodhimit ose në rastin më të mirë, dështuan. Termocentrali i ri i Vlorës, që kushtoi 100 milionë euro, kaloi në procedura korruptive tenderimi, që pasuan me një defekt të rëndë gjatë ndërtimit, duke lënë sot e kësaj dite objektin jashtë funksionit dhe shtetin shqiptar nëpër gjyqe ndërkombëtare me kompaninë që e ndërtoi. Edhe pse kriza të ngjashme nga mungesa e reshjeve u shfaqën më pas, qeveritë zgjodhën të përballojnë emergjencat me mjetet e momentit pa i dhënë dhe sot e kësaj dite një zgjidhje afatgjatë problemit.
Për shkak të kësaj neglizhence, thatësira ka shkaktuar një krizë zinxhir, duke e zhvendosur mungesën e prodhimit vendas në një krizë të mirëfilltë fiskale dhe ekonomike.
Sot, vendi ndodhet në një situatë të ngjashme. Mungesa e reshjeve e ka çuar prodhimin në HEC-e në minimumet historike. Drejtori i Tregtimit të Energjisë në OSHEE, Elton Sevrani, tha se në një thatësirë të tejzgjatur duhen 25 milionë euro në muaj importe për të përballuar konsumin në vend, që luhatet në këto ditë të nxehta në rreth 18 milionë kilovatorë në ditë. Duke krahasuar mesataren e importit të vitit të kaluar që realizoi OSHEE për të mbuluar humbjet, harxhimet e tanishme për blerjen e energjisë jashtë vendit janë shumëfish më të larta se mesatarja e importeve mujore të OSHEE-së vitin e kaluar.
Llogaritë flasin se për të përballuar konsumin deri në tetor duhen së paku 70 milionë euro. Kjo shumë i kalon mundësitë e Operatorit të Shpërndarjes, ndaj ente të tjera duhet të futen në lojë. Për momentin, në buxhetin e vitit 2017, është programuar si fond rezervë një shumë 3 miliardë lekë (rreth 22 milionë euro), për të siguruar importet të energjisë në rast emergjence. Shuma është e mjaftueshme për të përballuar vetëm një muaj importe, nëse thatësia vijon. Një shumë tjetër rreth 22 milionë euro, që është pjesë e kredisë së Bankës Botërore e dedikuar për importe emergjente, pritet të azhurnohet në shtator, me krijimin e qeverisë së re, por sërish kërkohen më tepër. Në vitin më të keq, ku mungesa e reshjeve ka kërkuar importe të mëdha, janë dashur 100 milionë euro për të përballuar importin. Në një situatë të ngjashme është edhe këtë vit vendi. Kjo sasi valute, e cila gjithsesi amortizohet nga të ardhurat e përmirësuara të OSHEE, do të dalë jashtë vendit për blerë energji, në vend që të përkthehej në investime apo shpenzime të tjera brenda vendit.
Ekspozohet buxheti, rrezikohen investimet kapitale
Përvoja ka treguar se, mungesa e prodhimit vendas të energjisë ka prodhuar rreziqe fiskale që në fund kanë kontribuar në rritjen e përgjithshme të borxhit publik dhe janë bërë shkak për futjen në kaos detyrimesh të të gjithë sistemit energjetik.
Nën trysninë e FMN-së, qeveria shqiptare edhe më 2017 ka programuar një fond rezervë për 3 miliardë lekësh, të cilat do të mund të përdoren për të importuar energji në rast të një krize në prodhimin vendas. Këto fonde janë pjesë e fondit të shpenzimeve kapitale prej 71 miliardë lekësh. Burimet nga Ministria e Financave pohuan se buxheti 2017 do të ndryshojë në fillim të shtatorit për të bërë rialokime të posaçme për importet e energjisë. Në fund të muajit maj, arka e shtetit rezultoi me suficit 6.2 miliardë lekë, ose 46 milionë euro të cilat bashkë me fondet e kontigjencës 21 milionë euro bëjnë një shumë në total prej 87 milionë eurosh që mund të dedikohet për importet e energjisë.
Ekspertët e OSHEE lajmërojnë se importet e këtij muaji i kaluan të 23 milionë eurot. Të njëjtat burime pohuan se kompania ka mundësi të përballojë me fondet e veta edhe muajin gusht, por jo më tej dhe kjo do të bëhet duke shkurtuar fondin e investimeve të kompanisë. Nëse thatësira vijon, letër-garancitë e qeverisë për kompanitë duket se do të jenë të pashmangshme.
Kur qeveria Berisha erdhi në pushtet, në vitin 2005, ndërmori politikën e heqjes së kufizimeve të energjisë në rastet kur prodhimi vendas mungonte. Fatura u mor përsipër duke kredituar në mënyrë direkte me paratë e taksave blerjen e energjisë. Kjo praktikë u kthye në një precedent që u përdor për disa vite rresht, por që prodhoi një krizë të re, atë fiskale.
Pas vitit 2009, mbështetja buxhetore për energjinë ka qenë e lartë. Më 2011 dhe 2012, buxheti kreditoi me fonde të drejtpërdrejta importin e energjisë, për shkak të emergjencës që lindi nga mungesa e prodhimit vendas. Kjo shënoi një precedent të paaplikuar më parë, i cili mori kritika edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. Overdrafti i garantuar i KESH në fund të vitit 2013 arriti në 29 miliardë lekë dhe kjo shumë u rrit edhe mbi 13 miliardë lekë më 2014. Sipas Ministrisë së Financave, aktualisht, garancitë e buxhetit ndaj KESH janë 30 miliardë lekë, ose rreth 210 milionë euro. Kjo shumë peshon në stokun e borxhit me 2.02% të PBB-së.
Por teksa Shqipëria ka konsumuar mjetet e rritjes së borxhit duke e çuar atë në 71% të PBB, niveli më i lartë në rajon, nuk ka më hapësira për të financuar importet e energjisë me borxh dhe nga ana tjetër, kufizimet energjisë do të ishin një faturë më e lartë për të gjithë ekonominë.
Zinxhiri i krizës
Kriza e prodhimit të energjisë ka një efekt kaskadë që në finale e ngadalëson ekonominë. Fillimisht, deficiti tregtar i vendit do të thellohet edhe më shumë nga dalja jashtë e vendit e një sasie jo të zakonshme valute për importet.
Ndërsa institucionet që merren me monitorimin e zhvillimeve ekonomike kanë nisur të japin sinjalet për efektet negative të energjisë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, në një konferencë për media më herët gjatë javës, tha se ekonomia është rritur me ritme më të ngadalta në tremujorin e dytë 2017, edhe si rezultat i kushteve klimatike, të cilat duket se do të ndikojnë negativisht bujqësinë dhe prodhimin e energjisë më së shumti.
Rritja ekonomike në aspektin e krizës energjetike ngadalësohet nga fluksi më i pakët i investimeve publike, të cilat sipas ekspertëve, janë një indikator i rëndësishëm në faktorët e rritjes.
Shkurtimi i planit të investimeve nga OSHEE dhe rialokimi i fondeve kontigjencë në buxhet përkthehet në më pak punë për bizneset, të cilat tre vitet e fundit i kanë pasur një burim të madh financimi fondet e OSHEE-së me të cilat janë organizuar qindra tenderë për rikonstruksionin e linjave dhe nënstacioneve në të gjithë vendin.
Strategjia aktuale shmangu investimet në burimet e reja
Aktualisht, qeveria shqiptare është duke zbatuar strategjinë e rimëkëmbjes së energjisë që shtrin efektet e zbatimit deri në vitin 2020, por në themel të saj nuk është parashikuar diversifikimi i burimeve të energjisë, por tre etapa që synojnë të nxjerrin sistemin nga kolapsi ku gjendej, me një borxh 1 miliard dollarësh dhe një rrjet tërësisht të amortizuar në sektorin e shpërndarjes. Ristrukturimi i kredive të KESH në banka dhe përmirësimi i menaxhimit të sektorit dhe sidomos shpërndarjes janë synimet kryesore.
Në planin e investimeve vijuan projektet e mëparshme, ku spikatën investimi i Statkraft në kaskadën e Devollit, HEC-et e vogla dy megavat dhe ndërtimi i linjës së interkoneksionit Shqipëri – Kosovë, e cila për shkak të një konflikti Serbi –Kosovë, gjendet jashtë funksionit tani pas një viti kur kanë përfunduar punimet.
Shqipëria është e pasur me burime natyrore, ujë, diell dhe naftë, të cilat janë të mjaftueshme, jo vetëm për të plotësuar nevojat e vendit për energji, por për ta kthyer Shqipërinë në një vend eksportues në rajon. Por që pas viteve ‘80 kur u ndërtua HEC-i i fundit nën regjimin diktatorial të Hoxhës, qeveritë e pas rënies së diktaturës nuk e morën seriozisht rritjen e kapaciteteve të prodhimit. Të qindra HEC-et e ndërtuara në Shqipëri patën më shumë kosto në mjedis se sa realisht kanë përmirësuar bilancin tregtar të vendit. 38 objekte të vogla të prodhimit të energjisë elektrike nga uji nisën prodhimin gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, numri i HEC-eve private arriti në 138 nga 100 të tilla që ishin në vitin 2015.
Shumë kompani që më parë ishin të fokusuara në ndërtim dhe tregti po diversifikohen në HEC-e. Tregu i energjisë së rinovueshme është i garantuar dhe kostot e prodhimit, pas përfundimit të investimit, janë të lira. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhimi vendas, vitin e kaluar, shënoi 7,136,351 MW/h, nga të cilat 5,091,616 MW/h u prodhuan nga HEC-i në pronësi të KESH dhe 2,044,735 MW/h u prodhuan nga HEC-et private dhe ato me koncesion, duke zënë 27% të totalit të prodhimit vendas të energjisë. Mirëpo avancimi i investimeve në drejtim të HEC-eve nuk i shmang krizat energjetike në vend që kanë burim mungesën e reshjeve.
Pasi shumica e këtyre objekteve nuk kanë basen dhe nuk prodhojnë energji në kohën e verës. I vetmi basen i ri i shtuar është ai i Banjës, por kompania Statkraft, në kontratën që ka me qeverinë shqiptare, e shet produktin në tregun e lirë. Devoll Hydropower ka marrë pjesë sistematikisht në tenderët e energjisë të organizuar nga OSHEE për mbulimin e humbjeve duke ofruar çmim të njëjtë ose më të lartë se bursa. Por teksa ndërtimi i HEC-eve vijon me ritme të përshpejtuara, ende nuk po krijohen hapësirat ligjore për të mundësuar funksionimin e impianteve të vogla të prodhimit të energjisë.
Gërshërë në planet e investimeve?
Nga viti 2013 e deri në fund të 2016-s për qeverinë “Rama 1”, kishte vetëm një kryefjalë në renditjen e reformave të suksesshme dhe e gjithë kjo lidhej me sektorin energjetik. E arritja e treguesve mbi të gjitha në një sektor me financa të drobitura, kërkonte investime dhe mbështetje të vazhdueshme financiare. Projekti për Rimëkëmbjen me Bankën Botërore i dha një dorë të parë operatorëve të tregut. OSHEE këtij fondi do t’i shtonte edhe pjesën pozitive të arkëtimeve (sidomos nga borxhet e vjetra që po mblidhen përmes aktmarrëveshjeve), kurse KESH përveçse një situate të mirë hidrike, shoqëruar me eksporte në 2016, nisi të mblidhte edhe ato para që OSHEE nuk po i jepte prej kohësh. Por duket se ecuria pozitive e sektorit uli vigjilencën e parashikimit në fund të mandatit 4-vjeçar, duke sjellë një situatë që vuri në diskutim edhe mundësinë e furnizimit me energji të vendit.
E ndërsa OSHEE ka shpenzuar vetëm për korrikun mbi 22 milionë euro, duke siguruar energjinë e nevojshme për konsum, dhe KESH ka gati fondin 22.4 milionë euro nga kredia me Bankën Botërore, mbetet e mjegullt se ku do të bjerë barra nëse edhe pjesa tjetër e vitit do të shoqërohet me sasi të moderuar reshjesh. Gërshëra, ashtu siç ka ndodhur edhe në raste të tjera, do të prekë investimet dhe kjo është mirëkuptuar edhe nga Enti Rregullator i Energjisë.
Pak ditë më parë, ky Ent miratoi planet fillestare të vitit 2017 për KESH dhe OSHEE, që parashikonin respektivisht nga 15.3 dhe 6 miliardë lekë investime për të dyja kompanitë. Por gjasat janë që këto plane të rishikohen në funksion të rezervimit të fondeve për situata emergjente, nëse kushtet klimatike nuk ndryshojnë dhe kaskada e Drinit të vijojë të mbetet në nivele minimale. Viti 2017, të paktën për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë, konsiderohej si një vit më ambicioz në investime krahasuar me vitin e kaluar, pasi edhe fondi i parashikuar në planin e investimeve ishte 1.6 miliardë lekë më i lartë. Mbetet për t’u parë se ku do të funksionojë rialokimi i fondeve për projektet që konsiderohen më emergjente. Në çdo rast rishikimi, kompanitë do të jenë të detyruara që të kalojnë planet e tyre pranë Entit Rregullator të Energjisë.
Nevoja për rishikim vjen edhe në kushtet kur kompanitë kanë provuar që edhe në vite më të mira nuk kanë arritur të kryejnë plotësisht planet e investimit. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike rezulton që për vitin 2016 të ketë realizuar vetëm 61% të planit total. Konkretisht në vlerë, në fillim të vitit të kaluar, shpërndarja kishte parashikuar 13.4 miliardë lekë, por realizimi në fakt është vetëm 8.1 miliardë lekë. Janë të paktën 8 zëra në investime që shënojnë zero në fund të vitit 2016, ndërkohë që pjesën më të madhe të parave e ka marrë ndërtimi dhe rikonstruksioni në rrjet me tension të mesëm dhe të ulët. Një zë për të cilin ishte parashikuar jo pak, por një fond prej 2 miliardë lekësh, ishte ai për sistemin e matjes, por që nga 2 miliardë lekë është realizuar 875 miliardë lekë.
KESH, nga ana tjetër, është në të njëjtën situatë nëse marrim në vlerësim investimet gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare, ato u realizuan në masën 64%. Fondi i vënë në dispozicion në planin fillestar ishte 3.6 miliardë lekë, ndërkohë që rezultojnë të kontraktuara për zbatim vetëm 2.3 miliardë lekë.
Kërcënimi që vjen nga reshjet
Varësia nga reshjet, si dhe furnizimi vetëm përmes hidrocentraleve të vendosura në kaskadën e lumit Drin në veri të vendit, shkakton paqëndrueshmëri në prodhimin e energjisë së furnizuar nga KESh. Ministra e Energjisë thotë se kjo përbën një kërcënim në lidhje me parashikimin e importeve, duke rrezikuar kështu garantimin e furnizimit. Herë pas here nuk realizohet prodhimi i energjisë së parashikuar për shkak të luhatjeve të reshjeve, të cilat e pozicionojnë vendin në një situatë jo të favorshme për sigurimin e një furnizimi të besueshëm dhe të përballueshëm të energjisë, meqenëse ai ndikohet së tepërmi nga kushtet klimatike rajonale.
Sfida e furnizimit me energji elektrike të Shqipërisë ndikohet më tej nga kufizimet e kapacitetit transmetues të brendshëm dhe të jashtëm të lidhur me rajonin, si dhe nga sasia e pamjaftueshme e energjisë në dispozicion për furnizimin dhe tregtim nga vendet fqinjë.
Kjo situatë, përballë ngjarjeve ekstreme klimaterike, ndikon negativisht jo vetëm në Shqipëri, por edhe te fqinjët e saj, duke shkaktuar një efekt negativ. KESH bëri vlerësim të një rasti më të keq mbi skenarin për importet e energjisë së nevojshme për të mbuluar tregun e rregulluar në vitin 2014, e vlerësuar në atë kohë ekuivalente me 1200 GWh, ose rreth 100 milionë USD. Në të vërtetë, KESH importoi 180 GWh (rreth 12 milionë US$), gjatë vitit për shkak të përmirësimit të kushteve klimatike, duke filluar nga muaji mars, si dhe të një menaxhimi më të mirë të rezervës ujore në kaskadën e lumit Drin.
Situata e KESH-it
Kaskada e Drinit, e cila mban peshën kryesore në furnizimin e vendit me energji, nuk po përjeton ditët e saj më të mira. Sipas KESH, prurjet mesatare për vitin konsiderohen 50–60% më të ulëta se sa prurjet mesatare shumëvjeçare. “Për muajin korrik deri më sot është prodhuar mesatarisht 7,400 MWh në ditë, duke përfshirë dhe shërbimet ndihmëse për OST. Për periudhën nga data 7 korrik, gusht, shtator, KESH planifikon të furnizojë 3,500 MWh në ditë me qëllim që të arrijë të ruajë kuotën 271 metra në Fierzë, e nevojshme për të garantuar qëndrueshmërinë e sistemit”, – u shpreh KESH për “Monitor”.
Në këtë situatë, KESH pranon se do të rishikojë me shumë gjasa planin e saj ekonomiko-financiar, duke prekur disi edhe investimet. “Prodhimi i planifikuar nga KESH për vitin 2017 ishte rreth 3,800 GWh sipas skenarit që prurjet e vitit do të ishin mesatarisht aq sa prurjet mesatare shumëvjeçare. Mirëpo periudha e pranverës (periudhë gjatë së cilës në vite normale akumulohet rezervë energjetike në rezervuarin e Fierzës) nuk u shoqërua me sasinë e pritshme të prurjeve, rrjedhimisht prodhimi që pritet të realizohet në kushtet aktuale nuk i kalon 2,900 GWh për vitin 2017 (parashikim me rezervë, sepse treguesit deri më sot dëshmojnë se jemi në kushtet e një viti të thatë, pra stina e vjeshtës mund të mos shoqërohet me shira që përkthehen në prurje). Nga fillimi i vitit deri më sot, prodhimi nga kaskada është 2077 GWh”, – vlerëson KESH.
Tarifat e energjisë janë kthyer në një tjetër sfidë për tre operatorët të cilët vazhdimisht kanë bërë kërkesë për rishikim (përjashtim bën OSHEE). Por ERE ka vlerësuar se mbajtja e pandryshuar e këtyre tarifave garantonte të ardhura të mjaftueshme, të paktën në momentin kur është dhënë vendimi. Për KESH, gjithsesi pjesa e mosndryshimit ka sjellë një situatë të vështirë.
“Në kushtet kur prodhimi i energjisë elektrike pritet të jetë rreth 900 GWh më i ulët sesa parashikimi i bërë nga shoqëria në fund të 2016-s dhe vendimi i ERE-s Nr.52/2017 detyron shitjen e energjisë elektrike me një çmim më të ulët se sa ai i parashikuar nga shoqëria, duke mos siguruar mbulimin e kostove të veprimtarisë së shoqërisë për 2017, atëherë të ardhurat e pritshme ndikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në ulje, duke çuar në nevojën për rishikimin e programit ekonomiko – financiar të shoqërisë për vitin në fjalë. Është e natyrshme që rishikimi i këtij programi do të prekë edhe planin e investimeve në ulje. Ndryshimet në programin ekonomiko-financiar dhe planin e investimeve do të paraqiten për miratim në Këshillin Mbikëqyrës dhe përfaqësuesi i pronarit të vetëm të shoqërisë (MEI)”.
Thatësira “tërheq” në vorbullën e borxheve edhe OST
Sistemi energjetik në vend funksionon si zinxhir i përbërë nga tre kompanitë kryesore KESH, OSHEE dhe OST. Kjo bën që mosfunksionimi i njërës hallkë të dëmtojë edhe tjetrën. Reflektim i kësaj situate është ajo që po ndodh edhe me Operatorin e Sistemit të Transmetimit. Burime nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, që është edhe pronari i OST, bënë me dije se aktualisht kompania nuk po kalon ditët e saj më të mira. Kjo sepse mungon likuiditeti për të paguar kreditë që në total për vitin 2017 llogariten në 25 milionë euro. Kujtojmë që OST kërkoi dy herë rishikim të çmimit të transmetimit, por që në asnjë rast kërkesa e saj nuk u mor parasysh. Në kërkesën e saj, OST argumentonte se nevoja për të shlyer kreditë e përdorura për investime dhe projektet e tjera në vijim kërkonin fonde të konsiderueshme, që nuk arrinin të garantoheshin përmes tarifës prej 0.65 lekë/kwh që aplikohet sot.
Në këtë situatë, tarifa e kërkuar ishte 1.17 lekë, por ERE vendosi të mos aplikohej duke dalë si garant që OST të mbante tarifën 0.65 lekë/kwh dhe duke arkëtuar edhe borxhet që KESH dhe OSHEE kishin ndaj saj. Sot në kushte vështirësie, OSHEE po arrin që të paguajë vetëm faturën korrente. Burime pranë Entit Rregullator konfirmuan se çështjen e vështirësisë financiare, OST e ka ngritur edhe pranë këtij institucioni përmes një shkrese. Në rast se situata nuk do të gjejë zgjidhje, duket se çështja mes kompanive të sektorit do të përfundojë tek ekzekutimi me forcë i detyrimeve, një situatë që nuk është e largët për to. Detyrimet e ndaj OST kapin vlerën 8 miliardë lekë, ndërkohë që sot po paguhet vetëm pjesa korrente që me shumë gjasa, në një skenar më pesimist mund të mos respektohet.
Si do të ndikonte bursa në shmangien e situatës
Nga 1 janari i vitit 2018, sipas ligjit, pritet që të fillojë funksionimi i Bursës së Energjisë. Ky është afati që jepet në kuadrin ligjor, por me ecurinë që ka pasur deri më tani zbatimi i reformës, përfshirë legjislacionin sekondar dhe modelin e tregut, ka rezerva që ky afat të mos arrihet. Gjithsesi ekzistenca e një burse energjie do të ishte vetëm një bonus në rastet e një situate klimatike si kjo që Shqipëria po përballet tani. Nëse bursa do të ishte funksionale, parashikohej që të kishim një optimizim më të mirë të burimeve të energjisë, por edhe tregut. Sigurisht, një panoramë më e qartë e situatës dhe përdorimi optimal i kapaciteteve do të kishte garantuar edhe çmim më objektiv. Bursa e Energjisë, përtej impaktit pozitiv që do të kishte, duket se mbetet sërish peng i procedurave të vonuara. Një raport i Sekretariatit të Energjisë vlerësonte se sipas planit të veprimit që caktohej në modelin e tregut, ministri duhet të kishte vendosur mbi pjesën juridike dhe strukturën e përpara datës 31 mars 2017. Kjo nuk ka ndodhur duke bërë që operimi i saj të shtyhet ndoshta përtej 1 janarit të vitit të ardhshëm dhe për pasojë, të shtyhen edhe të mirat që do të përfitonte tregu nga funksionimi.
Rreziku i një kolapsi nga kapacitetet e dobëta transmetuese
Ekspertë të sektorit vlerësojnë se më shumë sesa situata e importit të lartë, shqetësim duhet të përbëjë pasiguria e sistemit për kapacitetet transmetuese. Sistemi shqiptar ka përballuar edhe kohë më të vështira ndër vite, kur importet arrinin edhe në 18 milionë kwh në ditë (sot janë më shumë se gjysma) por parashikueshmëria ul edhe vulnerabilitetin e sistemit.
Mungesa e parashikueshmërisë kufizon pjesën e sistemit të transmetimit dhe në një rast të jashtëzakonshëm, dalja jashtë funksioni e një linje mund të shkaktonte kolaps në sistem, me mungesë energjie, që në skenarin më optimist do të ishte nga 4-5 orë në gjithë vendin, por në një skenar pesimist edhe më tepër. Pasiguria për problemet në transmetim rritet edhe më shumë pasi linjat që bëjnë këtë ndodhen në gjithë rajonin si Greqi, Serbi ndërkohë që vetë këto vende kanë kaluar tashmë në pjesë importi duke e rritur ngarkesën në mënyrë të jashtëzakonshme, raporton Monitor.
Një ndër ngërçet që paraqitet në sistemin e transmetimit është edhe fakti që, edhe pse ka kaluar më shumë se një vit që linja 400 kilovolt me Kosovën është inauguruar, ajo nuk është vënë në funksion për shkak të ngërçit me Serbinë. Vënia në funksion do të kishte ndikim pozitiv në sistemin e transmetimit në tërësi. Ende transmetimi i Kosovës nuk është ndarë nga transmetimi i Serbisë për të vijuar si një operator i pavarur. Edhe pse pati një reagim nga pala shqiptare dhe një kërkesë pranë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, duket se çështja mbetet pezull. Sekretariati vetë deklaroi marrjen e masave karshi Serbisë, por duket se nuk kemi një rezultat përfundimtar që do zgjidhte ngërçin që mban peng një investim disa dhjetëra milionë euro.