Pas ngjarjes së rëndë që tronditi Shkodrën, kanë dalë detaje të reja. Policia njofton se autori i krimit kishte telefonuar policinë, së cilës i ka thënë se e shoqja kishte vrarë veten.
Por, pas mbërritjes në vendngjarje, rezultoi se Lumturie Xhilaj nuk është vetëvrarë, por dyshohet se e ka vrarë i shoqi, krim që më pas e ka pranuar edhe vetë autori.
Në vendngjarje policia ka sekuestruar armën e gjahut, me të cilën është kryer krimi dhe që Beqir Xhilaj e kishte me leje.
NJOFTIMI I POLICISË:
Shkodër.
Më datë 08.05.2017, rreth orës 00: 05, njoftohemi se është vetvrarë me armë gjahu në banesë shtetasja Lumturie Xhilaj, banuese në fshatin Guci e Re Njësia Administrative Rrethina Shkodër.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.
Në përfundim të veprimeve të para të kryera, rezultoi se shtetasja Lumturie Xhilaj nuk është vetvrarë por dyshohet se e ka vrarë bashkëshorti për motive të dobëta, krim që më pas e ka pranuar edhe vetë autori.
Në këto kushte Specialistët për Hetimin e Krimit bënë arrestimin në flagrancë të shtatasit:
Beqir Xhilaj, 74 vjeç, banues në fshatin Guci e Re Njësia Administrative Rrethina Shkodër.
Në vendin e ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e gjahut të cilën e mbante me leje shtetasi i lartpërmendur.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, e parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal.