Një sasi prej 6,2 tonë kanabis sativa është sekuestruar në jug të Kretës. Policia bregdetare greke thotë se ka sekuestruar sasinë më të madhe të kanabisit që është kapur ndonjëherë. Sipas burimeve lokale, sasia rekord e lëndës narkotike është sekuestruar në një anije që ishte nisur nga Qipro, e pasi ishte ngarkuar me lëndën narkotike në Siri kishte si destinacion Maltën.
Policia bregdetare greke publikoi njoftimin ku jep disa detaje mbi operacionin, që u krye në bashkëpunim me agjencinë evropiane të kufirit Frontex, që disponoi një avion të vetin. Në operacion kanë marrë pjesë forcat speciale, të cilët edhe kanë kryer të shtëna paralajmëruese, pasi ekuipazhi i rimorkiatorit nuk iu bind urdhrit për të ndaluar.
Autoritetet greke thanë se informacioni ishte ofruar prej shërbimeve franceze të Antidrogës. Besohet se ajo është prodhuar në Siri ose Liban, e do të dërgohej në Holandë, ku edhe do të tregtohej në dyqanet përkatëse të atij vendi.
Më pas rimorkiatori me emrin “Andreas” është drejtuar për në molin e Agia Galinit, ku është ushtruar një kontroll i imtësishëm, ku u përdorën edhe qenët e zbulimit të drogës.
Në vende të ndryshme të anijes, në vende të posaçme ishin fshehur 241 paketa me kanabis të përpunuar në formë çokollate. Policia bregdetare thotë se deri tani janë zbuluar 6.178 kilogramë.
Vlera e drogës së sekuestruar përllogaritet në 70 milionë euro. Gjashtë pjesëtarët e ekuipazhit, që të gjithë shtetas sirianë, janë arrestuar.
Po vazhdojnë kërkimet, se mos në bordin e anijes ka dhe sasi të tjera droge, ndërkohë që policia bregdetare greke thotë se po vazhdojnë hetimet në bashkëpunim me autoritetet e shteteve të huaja.
Autoritetet greke nuk kanë njoftuar se nga ishte nisur rimorkiatori i ngarkuar me drogë. Sipas disa burimeve të shtypit grek, ishte nisur nga Libia, ndërsa sipas disa burimeve të tjera, nga Qipro.











