Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani u bën thirrje zyrtarëve të FFK-së të lënë mënjanë konfliktet e brendshme dhe të mendojnë për kualifikimin drejt EURO 2020.
Kjo thirrje e tij vjen si pasojë e lajmeve që qarkullonin ditën e sotme në media për rrezikun e përjashtimit të dardanëve nga aktivitetet ndërkombëtare të futbollit.
Kujtojmë se Kosova do të përballet me Maqedoninë më 26 mars të vitit të ardhshëm, për të fituar një vend në kampionatin evropian. Skuadra fituese e kësaj ndeshjeje do të përballet më pas me fituesen e sfidës Gjeorgji-Bjellorusi.
Letra e kapitenit të Kosovës Samir Ujkani drejtuar Federatës së Futbollit të Kosovës për rrezikun e përjashtimit nga aktivitetet ndërkombëtare të futbollit:
Të shqetësuar nga lajmet që kemi lexuar sot në media, jemi të detyruar të reagojmë ndaj një situate për të cilën jemi habitur që ndodh tani, pikërisht në kohën kur kemi nevojë për stabilitet dhe mbështetjen e të gjithëve.
Futbolli i Kosovës ka mbijetuar e është zhvilluar me sakrifica të skajshme të shumë e shumë brezave dhe vetëm të bashkuar kemi arritur deri këtu.
Rrugën nuk e kemi pasur të lehtë, jo vetëm ne brezi aktual i futbollistëve, por dhe ata që shtruan rrugën për ne deri këtu, prandaj pas gjithë këtyre sakrificave, nuk mund të lejojmë që për interesa personale të kujtdo qoftë, të rrezikohet një proces kaq i rëndësishëm siç është rrugëtimi drejt kampionatit europian.
Prandaj, në një situatë të tillë, u bëjmë thirrje të gjithëve që t’i lënë anash interesat personale dhe të rreshtohen pas nesh në qëllim për të realizuar ëndrrën, jo vetëm në aspektin sportiv, por dhe për të gjithë ata që gjatë këtyre dekadave kanë sakrifikuar për arritjen e këtij qëllimi; kualifikimit të Kosovës në një garë të madhe siç është kampionati europian. Si futbollistë, ne jemi në krah të pjesës institucionale të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Me respekt, Samir Ujkani, kapiteni i Kombëtares së Kosovës në futboll