Biobankat janë banka biologjike në të cilat bëhet grumbullimi i mostrave dhe ku mblidhen të dhënat nga pacientët. Qëllimi i tyre është hulumtimi shkencor në lidhje me sëmundjet e ndryshme.
Hapja e biobankave bëhet më qëllim të grumbullimit të mostrave nga pacientët, të sëmurët si dhe vullnetarët, në mënyrë që të ndihmohet në kërkimin shkencor të faktorëve të ndryshëm që ndikojnë në jetën e njeriut.
Këto mostra shiten në institucione që merren me hulumtime shkencore. Por, Kosova në mungesë laboratori për ruajtjen e mostrave, ato i jep falas për vendet e Bashkimit Evropian.
Ndonëse në Kosovë kohë më parë ka pasur një iniciativë për themelimin e biobankave, ka mbetur tek krerët e institucioneve që të marrin hapin e ardhshëm.
Kështu, tha për Radion Evropa e Lirë mikrobiologu nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Lul Raka. Sipas tij, janë mbajtur takime me qëllim të bashkëpunimit mes Universitetit të Gracit të Austrisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Universitetit Mjekësor të Tiranës.
“Një projekti shkencor që ka filluar në Kosovë dhe në Shqipëri me nismën e Universitetit të Gracit të Austrisë. Ka mbetur te krerët institucional në Kosovë që të japin përkrahje logjistike që projekti të ecë përpara. Universitetin e Gracit, 50 për qind e buxhetit për kërkime shkencore e sigurojnë pikërisht nga biobankat. Kjo për shkak se duhet të paguhen shuma të majme për mostra të cilat vendet e tjera i shfrytëzojnë për kërkime shkencore”, tha Raka.
Në anën tjetër, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se sa u përket biobankave më shumë ka pasur diskutime në nivel të hartimit të koncept- dokumentit për ligjin riprodhues, por ky ligj është në fazën e hershme dhe rezultatet do të shihen më vonë.
Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në këtë Ministri thotë se ekspertët e fushave të ndryshme mjekësore, institucionet shëndetësore dhe shoqatat e ndryshme profesionale kanë të drejtë të paraqesin nisma të ndryshme që lidhen me sektorin e shëndetësisë, e që lidhen edhe me nismat për legjislacion të ri.
“Sipas Ligjit për shëndetësi, hulumtimet klinike në njerëz duhet të rregullohen me një ligj të veçantë. Një ligj i tillë nuk ka qenë në agjendën legjislative të Qeverisë për fushën e shëndetësisë këtë vit, ndërsa për vitet vijuese do të shohim a do ta paraqes Qeveria e re në kuadër të agjendës legjislative”, tha Hoti.
Ndërkohë, Lul Raka tutje thotë se në Kosovë ka pasur mostra të cilat do të mund të shiteshin për hulumtime shkencore, sëmundje që janë të rralla për vendet tjera. Ai ndër tjera përmend ethet hemorragjike, shkruan rel.
“Kemi pasur mostra të etheve hemorragjike dhe me brucelozë, e që janë të rralla në vende tjera. Me shitjen e tyre do të mund të përfitonte buxheti i varfër i Kosovës dhe do ta hapte një dritare të jashtëzakonshme dhe ta lehtësonin aktivitetin profesional shkencor, por edhe menaxherial që do të mund të siguroheshin nga biobankat”, thekson ai. Biobankat për Kosovën janë më se të nevojshme, thonë edhe patologët në vend.
Sipas tyre, hapja e biobankave do të ndihmonte hulumtuesit e rinj në hulumtimet shkencore nga mostrat e ruajtura dhe do të dihej saktësisht sëmundja dhe do të mblidheshin informacione më reprezentative për incidencën e sëmundjes.