Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi sot 21 vite burg për Arbër Çekajn, i cili akuzohet për trafikimin e 613 kg kokainë që u kap në Portin e Durrësit. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të bëjë 14 vite burg.
Për Donald Lushajn, organi i akuzës ka kërkuar 10 vite e tetë muaj burg, ndërsa për Armando Pezakun, 8 vite e 8 muaj.
Gjatë seancës gjyqësore, Çekaj mohoi akuzat në ngarkim të tij, ndërsa deklaroi se prokuroria ka kërkuar arrestimin e tyre, me qëllim për të fshirë një grup të strukturuar shumë të famshëm.
“Unë dhe këta të tre jemi këtu se prokuroria duhet t’u thoshte italianëve se operacioni përfundoi me sukses. Që të gënjenin të huajt që prokuroria po punon e pavarur nga politika. Na arrestuan për të fshirë një grup të strukturuar shumë të famshëm.
Nuk e dija që qenkam kaq i famshëm që kolumbianët te më bënin dhuratë kaq drogë, pse nuk e vazhduat aksionin që unë të fusja duart tek droga? Pse e ndërpretë aksionin?
Të isha kaq i zgjuar nuk do shisja banane, po do kisha makina e vila. Unë nuk e kuptoj pse doni ta çoni këtë çmenduri deri në fund për të mbrojtur persona të tjerë.
‘U kap me 613 kg’/ Prokuroria kërkon 21 vite burg për Arbër Çekaj
Mendoni ju se Guarda di Finanza nuk e kishte konstatuar ngarkesën? Ata e konstatuan dhe e lanë qe të shkohej te autorët dhe të zbulohej rrjeti i vërtetë.
Po si mendoni që unë i lashë një 20-vjeçari gjithë këtë investim pa u siguruar, si mund ta lija unë gjithë këtë drogë në dorë të dy të rinjve, Donaldo Lushaj jeton me qira, mirë unë që qenkam budalla dhe skam vila e luks po edhe ky?
Unë nuk jam kriminel, kur më arrestuan në Gjermani bëja shaka me policët, kjo prokurori ka bërë komplot ndaj meje.
Kam qenë jam dhe do jem i pafajshëm, më gjykoni në bazë të provave e fakteve”, dëshmoi Arbër Çekaj.