Kreu i Partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima ka deklaruar se qytetarët duhet të bojkotojnë zgjedhjet e 25 qershorit.
Kokëdhima shprehet se për shkak të interesit të 3-4 personave që kanë marrë peng Shqipërinë, u harruan premtimet e Rilindjes edhe kauzat e protestës së opozitës.
Sakaq, ai shprehet se Zgjidhja refuzoi të përfshihej në zgjedhje as drejtpërdrejt dhe as në rrugë të tjera.
Ish-deputeti socialist, vazhdoi deklaratën e tij në lidhje me situatën e rrezikshme ku gjendet vendi duke ashpërsuar gjuhën ndaj zhvillimeve të fundit politike.
Deklarata e Kokëdhimës:
Vota e një qytetari është e shenjtë, është urdhri i Zotit në demokraci. Nuk mund dhe nuk duhet të preket nga askush. Nuk ka Zot tjetër të vërtetë mbi këtë tokën tonë, përveç popullit, përveç njerëzve të lirë të këtij vendi. Kush i vjedh dhe manipulon votat e shqiptarëve sistematikisht në këto 23 vite? Kryetarët e partive. Ata i urdhërojnë vjedhjet e votave.
Ata që e kanë uzurpuar Shqipërinë, 3-4 njerëz që i morën shpirtin popullit dhe vendit tonë. Ja pse kauza e parë që Zgjidhja ka artikuluar në programin e saj është: të pastrohen përfundimisht zgjedhjet tona.
Pa i pastruar përfundimisht zgjedhjet, kurrë s’do të kemi pensione të mira, kurrë s’do të kemi asistencë sociale të mjaftueshme, kurrë nuk do të kemi punë, kurrë nuk do të shpëtojmë nga kusarët e pushtetit, kurrë nuk do të ndihemi të respektuar në zyrat e shtetit, kurrë nuk do jemi të shërbyer nga administrata publike, kurrë nuk do dalim nga skamja, mjerimi, varfëria dhe papunësia, kurrë nuk do e zhvillojmë dot ekonominë dhe nuk do jetojmë dot me dinjitet e gëzim në vendin tonë. Zgjidhja ka vendosur që t’i braktisë këto zgjedhje. Anëtarët dhe simpatizantët e Zgjidhjes nuk do marrin pjesë në votimet e 25 qershorit.
Ne kemi vendosur t’i bojkotojmë dhe t’i refuzojmë këto zgjedhje, për ta refuzuar këtë kastë të diskredituar politike dhe për t’ia shkurtuar jetën asaj. Ne e mbështetëm protestën tre mujore të opozitës, sepse ajo u deklarua në favor e në mbështetje të kauzave tona për zgjedhje të lira e të ndershme dhe për ti kthyer qytetarëve të thjeshtë të drejtat e grabitura nga kryetarët e partive, të drejtat e mohuara për të votuar ne referendume dhe për të zgjedhur vetë kandidatët për deputetë, për kryetar bashkie, këshilltarë etj përmes primareve të hapura, mikse dhe të mbyllura, kauzat tona për hapjen dhe lirinë e konkurencës në tregun politik, në ekonomi e gjetkë, për drejtësi, punë e mirëqenie, për një qeveri dhe qeverisje të pastruar nga trafikantët e hashashit dhe zyrtarët e korruptuar.
Ne e mbështetëm këtë protestë pavarësisht dhe duke e ditur se PD dhe PS, kanë 25 vite që vjedhin zgjedhjet. Zgjidhja deklaroi se nuk do merte pjesë në zgjedhje pa opozitën, në zgjedhje që do e përçanin popullin tonë. Zgjidhja gjithashtu deklaroi se nuk do të merte pjesë në zgjedhje pa reformë zgjedhore dhe pa infrastrukturë që do garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk do shkonte në zgjedhjet ku votat i numëron Rilindja dhe PD-ja.
Dhe për këto arsye Zgjidhja refuzoi të përfshihej në zgjedhje as drejtpërdrejt dhe as në rrugë të tjera. Zgjidhja u qëndroi deri në fund deklarimeve të veta. Ju kujtohet me çfarë premtimesh erdhi Rilindja në pushtet? Do ta çojmë Saliun para drejtësisë për të gjitha krimet që ka bërë, për 21 janarin, për të vrarët, për të plagosurit, për Gërdecin, për krimet e korrupsionin, për koncesionet që janë bërë në dëm të popullit, do të anulojmë koncensionet e tij etj.
Në fund u harruan të gjitha, edhe premtimet e Rilindjes edhe kauzat e protestës së opozitës. Në fund përfunduan në një koalicion të dy palët, Saliu, Partia Demokratike, Rama dhe Partia Socialiste. Rama e shkatërroi të majtën, i shiti idealet e saj, e shiti Partinë Socialiste dhe luftën e militantëve të saj, e dorëzoi pushtetin dhe e ndau në tavolinë me PD-në vetëm për interesat e pushtetit të tij personal. Rilindja dhe PD-ja nuk bënë marrëveshje për zgjedhjet, as për kauzat e protestës së opozitës dhe as për zgjedhjet e lira. Ato bënë marrëveshje vetëm për bashkëqeverisje dhe ndarjen e pushtetit në katër vitet e ardhshme. Në parlamentin e ri nuk do ketë përfaqësues të popullit dhe të bazës së partive, do kemi vetëm çetat e shërbëtorëve dhe servilëve të kryetarëve.
Shqipëria do të qeveriset edhe për katër vitet që vinë nga 3-4 njerëz. Qytetarët tanë do të jenë të përjashtuar nga e drejta e pjesëmarrjes në qeverisjen e vendit. Pse e bënë këtë pazar Rilindja dhe PD? Sepse kasta e ka kuptuar se po i vjen fundi, e ka kuptuar se vetëm në këtë rrugë mund t’i zgjatet jeta sundimit të saj dhe regjimit famëkeq të partitokracisë shqiptare.
Rilindja bëri krime të shumta ndaj popullit, ligjit dhe shtetit në këto katër vite. Ajo e ndau shtetin në feude për të gjithë servilët, injorantët dhe kriminelët që mbajnë nē këmbë pushtetin e saj. Rilindja bëri korrupsion të shfrenuar, bëri ekonominë kriminale tē hashashit dhe koncensionet më të paimagjinueshme në dëm të popullit dhe interesave kombëtare duke ja kaluar ku e ku koncensioneve të Saliut.
Qeverisja e saj prodhoi arrogancën dhe sjellje nga më të neveritshmet për popullin tonë. Me miliardat e bëra në këto rrugë dhe përmes kriminalizimit të politikës, ekonomisë dhe të shtetit, Rilindja eleminoi çdo hapësirë demokratike e lirie në Shqipëri dhe e çoi drejt rezikut të shkatërriimit të plotë opozitën e vendit. Rama përgatiti zgjedhje pa opozitën dhe zëvendësimin e kësaj të fundit me kukullat e Rilindjes, me opozitën e emëruar prej tij. Partitë e vogla dhe veglat e Ramës.