Alfred Balla është zgjedhur kryetari i ri i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Me 10 vota pro, anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë kanë zgjedhur Alfred Ballën në krye të këtij institucioni.
Emërimi i juristit me eksperiencë 31-vjeçare në sistemin e drejtësisë, është bërë në mbledhjen e sotme të KLP, e cila u zhvillua në prezencë të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe të përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Programit OPDAT.
Gjatë prezantimit të platformës përpara anëtarëve të KLP, Alfred Balla, i cili deri tani ushtronte detyrën e zëvendëskryetarit, tha se disa nga karakteristikat dhe vlerat që gëzon, plotësojnë kriteret dhe garantojnë kandidaturën e tij si të vlefshme për këtë post, përgjatë dy viteve në vijim.
“Eksperienca ime 3 vjeçare si anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë që nga dita e parë e krijimit të tij, si një organ i ri Kushtetues i qeverisjes së sistemit të Prokurorisë. Përvojat e mia profesionale juridike 31-vjeçare në sistemin e Prokurorisë, Gjykatës së Lartë, Avokatisë, pranë Këshillit të Ministrave dhe ajo 15-vjeçare akademike, të cilat më japin aftësinë të jem në gjendje të njoh imtësisht sistemin e drejtësisë në vend, nevojat e problemet e tij”, u shpreh Balla.
Ai ishte kandidati i vetëm në këtë garë. Deri më tani ai ushtronte detyrën e zëvendëskryetarit, ndërsa mandati i Ballës si kryetar i KLP-së zgjat 2 vite.
Në këtë detyrë, Balla zëvendëson Gent Ibrahimin, të cilit i kishte mbaruar mandati që më 19 dhjetor 2021.