28 Tetor 1940 – Italia pushton Greqinë
Ushtria e italiane, që tashmë kishte pushtuar Shqipërinë, nis pushtimin e Greqisë, në atë që do të dëshmohet si një fushatë katastrofike ushtarake për forcat e Benito Mussolinit. Duçe i befasoi të gjithë me sulmin kundër Greqisë; madje edhe vetë aleati i tij kryesor, Adolf Hitler, u kap gafil, sidomos kur vetë Mussolini e kishte nxitur Fyhrerin të besonte se nuk kishte asnjë qëllim të tillë.
Udhëheqësi nazist e denoncoi këtë akt, si një gabim të madh strategjik. Sipas Hitlerit, Mussolini duhet të ishte përqendruar në Afrikën Veriore, duke vazhduar përparimin në Egjipt. Madje edhe vetë shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë italiane, u njoftua për sulmin vetëm pasi ai kishte filluar.
Por me gjithë paralajmërimet për mospushtimin e Greqisë nga ana e gjeneralëve të tij, pavarësisht nga mungesa e gatishmërisë nga ana e ushtrisë, pavarësisht se sulmi ndaj një vendi malor pikërisht gjatë sezonit të dimrit dhe shirave të dendur, kundër një ushtrie të gatshme për të luftuar dhëmb për dhëmb për mbrojtjen e pavarësisë së vendit, Duçja vazhdoi përpara me planin e tij me një arrogancë absolute, i bindur se mund t’i mposhtte grekët brenda disa ditësh.
Ai dinte gjithashtu një sekret, se miliona lireta ishin nisur drejt Athinës për të korruptuar politikanët dhe gjeneralët grekë, që të mos i rezistonin pushtimin italian. Nëse paratë e dërguara nëpërmjet agjentëve fashistë shkuan apo jo në destinacionin e duhur, kjo mbeti e paqartë.
Fakt është se edhe nëse do të ishte realizuar ai operacion, me shumë gjasa nuk do të shënonte asnjë dallim:grekët arritën të sprapsnin pushtuesit italianë në Shqipëri pas vetëm një jave dhe fuqia e Boshtit i kaloi 3 muajt e ardhshëm duke luftuar për jetët e ushtarëve të saj në një betejë mbrojtëse. Si për ta përkeqësuar më tej situatën, thuajse gjysma e flotës italiane në Taranto u shkatërrua nga një sulm ajror britanik. Benito Musolini ishte poshtëruar.
28 Tetor 1962 – Përfundon zyrtarisht kriza e raketave kubane
Në orën 9 të mëngjesit, udhëheqësi sovjetik Nikita Khrushchev njofton përmes një deklarate në radion e Moskës, se Bashkimi Sovjetik do të tërheqë raketat e tij bërthamore nga Kuba. Pas shumë diskutimeve, Uashingtoni ra fshehurazi dakord të zhvendosë të gjitha raketat e tij nukleare nga baza ushtarake në Turqi në kufi me Bashkimin Sovjetik, në këmbim të heqjes së raketave sovjetike nga Kuba. Presidenti amerikan, John Kennedy, reagoi menjëherë duke lëshuar një deklaratë, ku e quante aktin e Bashkimit Sovjetik “një kontribut të rëndësishëm dhe konstruktiv për paqen”.
28 Tetor 1886 – Në Nju Jork inaugurohet Statuja e Lirisë
Në Nju Jork, presidenti amerikan Grover Cleveland, mer pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Statujës së Lirisë, një monument gjigant, dhuratë e miqësisë së popullit francez ndaj atij amerikan. Ndërtimi i Statujës së Lirisë, u propozua nga historiani francez Edouard de Laboulaye, për të përkujtuar aleancën franko-amerikane gjatë Revolucionit Amerikan.
Ajo u projektua nga skulptori francez Frederic-Auguste Bartholdi, ndërsa struktura e brendsghme metalike u projektua nga Eugene-Emmanuel Viollet-le-Duc dhe Alexandre-Gustave Eiffel, ky i fundit i famshëm për projektimin dhe ndërtimin e Kullës Eiffel në Paris.
28 Tetor 1955 – Lindi William Henry Gates III, i njohur si Bill Gates, bashkë-themelues i kompanisë së famshme “Microsoft” së bashku me Paul Allen, dhe aktualisht njeriu më i pasur në botë. E krijuar në vitin 1975, “Microsoft” është sot kompania më e madhe e softuerëve në botë.
Në janarin e vitit 2000, Gates dha dorëheqjen si drejtor ekzekutiv i kompanisë, ndërsa nga qershori i vitit 2006, njoftoi se do të angazhohej vetëm me kohë të pjesshme, për t’iu përkushtuar me kohë të plotë fondacionit të tij të bamirësisë ”Bill & Melinda Gates”. Megjithatë, ai është kritikuar shpesh për taktikat e tij të biznesit, të cilat janë konsideruar si anti-konkurruese. Ky mendim është mbështetur edhe nga vendime të shumta gjyqësore kundër kompanisë së tij.
28 Tetor 1981 – Lars Ulrich dhe James Hetfield formojnë grupin e famshëm muzikor “Metallica”. Ishte Ulrich ai që vendosi fillimisht një njoftim në një gazetë të Los Anxhelosit, ku kërkonte muzikantë të tjerë të muzikës metal. Kitaristët James Hetfield dhe Hugh Tanner nga grupi “Leather Charm”, iu pergjigjën pozitivsht. Deri në mesin e viteve 1980, grupi u bë i mirënjohur në SHBA dhe mbarë botën, ndërsa një nga hitet e tyre më të padiskutueshme është “Nothing Else Matters”.
28 Tetor 1995 – Të paktën 300 persona humbën jetën nga një zjarr i madh që ra në metronë e Bakusë, kryeqytetin e Azerbajxhanit. Sipas hetimeve pas ngjarjes, zjarri u shkaktua nga një shkëndijë elektrike në njërin nga 5 vagonët e një treni. Për shkak të problemeve me hapjen e dyerve, pasagjerët kaluan me shpejtësi në vagonët ngjitur. Shumë udhëtarë u shtypën për vdekje nga turma, ndërsa jo pak prej tyre vdiqën të asfiksuar monoksidi i karbonit. 750 vetë arritën të shpëtojnë, edhe pse 265 prej tyre u plagosën rëndë.
28 Tetor 969 – Pas një rrethimi të gjatë, ushtria bizantine i jep fund 300 viteve të sundimit arab në Antioki.
28 Tetor 1636 – Në Kembrixh të Masaçusetsit themelohet Kolegji i Harvardit, institucioni më i vjetër i arsimit të lartë në Shtetet e Bashkuara.
28 Tetor 1901 – 34 persona mbetën të vdekur nga trazirat që shpërthyen para Shtëpisë së Bardhë në SHBA, për shkak të vizitës që zhvilloi udhëheqësi i zezakëve Booker T.Washington me ftesë të presidentit Teddy Roseevelt.
28 Tetor 1904 – Policia e Sent Ljuisit në SHBA, eksperimenton një metodë të re hetimi:shenjat e gishtërinjve.
28 Tetor 1914 – George Eastman shpall shpikjen e fotografisë me ngjyra.
28 Tetor 1982- Partia Socialiste e Punëtorëve Spanjollë fiton zgjedhjet, duke i dhënë Spanjës qeverinë e saj të parë socialiste që nga vdekja e presidentit të djathtë Francisco Franco.
28 Tetor 2007 – Argjentina zgjedh presidenten e saj të parë femër në historinë e saj, Cristina Fernandez de Kirchner.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce